Ndarja e çmimeve

Konkursi për esenë më të mirë, fiton Xhavit Matmuja

Portali Shkollor Albas shpall fituesit për esenë më të mirë kushtuar mësuesit. Çmimin e parë e fiton Xhavit Matmuja, nxënës i shkollës “Sinan Tafaj” në klasën e 11-5.

U zhvillua sot në ambientet e Albas ceremonia e ndarjes së çmimeve të konkursit “Mësuesi, modeli dhe frymëzimi im”. Ndër 100 ese të dërguara në adresën [email protected] juria përzgjodhi 5 esetë më të mira të cilat u publikuan në portalishkollor.al gjatë kësaj jave.

Çmimin e parë e fitoi Xhavit Matmuja, nxënës i shkollës “Sinan Tafaj” në klasën e 11-5. Eseja i dedikohet mësuesit që i ka dhënë mësim në shkollën 9-vjeçare, por që Xhavitit i ka mbetur në mendje. Ishte një bisedë shumë domethënëse për të, ajo që e ka bërë të jetë më i përkushtuar dhe më i vendosur në atë çfarë do të arrijë në jetë. Në mendjen e tij ka mbetur e fiksuar një fjali: "Ti nuk mundesh të fitosh mbi të tjerët, sepse të tjerët do të duan të të binden ty". Teksa mori çmimin, i emocionuar ai foli para të pranishmëve për mësuesin që është model për të. Xhaviti do e takojë shumë shpejt mësuesin që e frymëzon pasi ka një dhuratë për t’i dërguar.

Konkurenca e fortë vuri në pozitë të vështirë jurinë tonë e cila e kishte shumë të vështirë të përcaktonte fituesin. Gara u bë akoma më e fortë kur u përzgjodhën 5 esetë më të mira. Kështu juria vendosi të kishte dy çmime të dyta dhe dy çmime të treta. 

Çmimi i dytë shkoi për Elsa Bretin, nxënëse në shkollën “Isa Boletini” dhe çmimi tjetër i dytë shkoi për Brand Kaçorrin, nxënës në shkollën “Sinan Tafaj”. Mesazhi që përcjell Elsa në esenë e saj është se mësuesi model nuk mund të gjendet tek një individ i vetëm, prandaj ajo e konsideron tejet të rëndësishëm secilin mësues dhe i vlerëson të gjithë. Ndërsa për Brand mësuesit janë plejada e njerëzve të zgjedhur për të përcjellë tek fuqia e re inteligjencën njerëzore dhe hapin evolucionar human.

Çmimi i tretë shkoi për Refxhei Tola, nxënëse e shkollës “A. Z. Çajupi” dhe për Gilbert Hoxhaj nxënës i shkollës “Sinan Tafaj”. Për Refxhein është model mësuesja e letërsisë Lida, e cila e këshillon, e mbështet dhe zgjon tek ajo dëshirën për të punuar dhe për të ecur përpara në jetë. “Lida ime, e Kadaresë, e çdo kujt që dashuron artin magjik të fjalës, letërsinë”, shkruan ajo. Gilbert shkruan: “Nuk mund të qëndisësh gjë tjetër në uniformën e një nxënësi, përveç dashurisë për dijen dhe respektit për mësuesin”. 

Gara ishte e fortë veçanërisht mes Xhavitit dhe Brandit. Dy ese të realizuara shumë mirë dhe të mirë argumentuara. Natasha Poroçani, kryetare e jurisë tha se çmimi i parë shkoi për Xhavit Matmujën sepse ai kishte shkruar për një mësues konkret, pra kishte një model, pikërisht kjo i dha çmimin e parë. Befasia ishte pas publikimit të shkrimit të Brand Kaçorrit, është eseja më e klikuar dhe e komentuar në internet, pavarësisht se është publikuar e fundit. Kështu Brand fiton të drejtën e publikimit të shkrimeve të tij në Portalin Shkollor.

Gjatë ceremonisë ku ishin të pranishëm 5 nxënësit më të mirë, të shoqëruar nga drejtoreshat e shkollave përkatëse dhe mësueset e letërsisë, pati edhe diskutime. E në fakt diskutimet ishin pikërisht nga Brand i cili donte të dinte më shumë për kriteret e vlerësimit, kjo tregon se ai diskutimi i brendshëm mes anëtarëve të jurisë, ajo vështirësia për të përcaktuar fituesin u shtrua në tavolinën e rrumbullakët ku ishim ulur për të komunikuar çmimet. Poroçani, duke iu përgjigjur Brandit, vlerësoi edhe një herë esenë e tij dhe forcën e argumentit teksa shpjegoi se ishte pikërisht mungesa e një modeli mësuesi konkret në ese që e pozicionoi atë në vendin e dytë.

Portali Shkollor Albas falënderon të gjithë nxënësit që morën pjesë në konkurs, drejtuesit e shkollave për bashkëpunimin dhe mësueset e letërsisë për angazhimin e tyre. Urime dhe shumë suksese për 5 më të mirët: Xhavit Matmuja, Elsa Breti, Brand Kaçorri, Refxhei Tola dhe Gilbert Hoxhaj.

(Albina Hoxhaj, Portali Shkollor)


2,118 Lexime
7 vjet më parë