Latif Ajrullai, mësuesi idealist dhe sipërmarrësi vizionar
Kujtojmë sot në përvjetorin e ndarjes nga jeta Latif Ajrullain, presidentin e kompanisë tonë; e kujtojmë e na mungon aq shumë... Për 20 vjet, kompania ALBAS që ai drejtonte, u bë një nga më të njohurat e më të suksesshmet në tregun e librit shqip.
Kujtojmë sot në përvjetorin e ndarjes nga jeta Latif Ajrullain, presidentin e kompanisë tonë; e kujtojmë e na mungon aq shumë... Për 20 vjet, kompania ALBAS që ai drejtonte, u bë një nga më të njohurat e më të suksesshmet në tregun e librit shqip.
U diplomua në Fakultetin e Shkencave të Natyrës për Kimi, Magjistër në Farmaci, për shumë vite ka punuar si profesor i kimisë në Tetovë, dhe mbahet mend nga ish-nxënësit e tij si mësimdhënës i shkëlqyer; u largua nga puna gjatë proceseve antishqiptare të diferencimit në Maqedoninë e ish- Jugosllavisë komuniste.
Latif Ajrullai, si atdhetar e vizionar, së bashku me partneren e tij, poeten e mirënjohur Rita Petro, realizuan një ëndërr të tyren për të bërë tekste shkollore për nxënësit shqiptarë në të gjitha trevat shqiptare. Në vitin 2000, ata themeluan kompaninë e mirënjohur ALBAS në Shqipëri, me degët e saj në Maqedoni, Kosovë, Preshevë, duke nxitur dhe duke përkrahur bashkëpunimin dhe punën me grupe të përbashkëta autorësh, me qëllim që këto tekste të kenë një frymë mbarëkombëtare shqiptare.
Latif Ajrullai iu përkushtua me pasion botimeve shkollore, si botues, autor, përkthyes: autor i romanit "Kufiri", bashkautor në disa tekste shkollore të Diturisë së Natyrës e të Kimisë; autor i librave "Më quajnë Nikola Tesla”; "Më quajnë Edison", përkthyes i librave "Rruga në të cilën rrallë shkohet", Scott Peck; "Femra të mençura, zgjedhje të gabuara", Ligji", "100 shkencëtarët që ndryshuan botën", duke lënë në dorëshkrim ende pa përfunduar romanin ""Ëndrra e fundit e Sofokliut" dhe përkthimin "Thënie të arta nga Ajnshtajni".
Latif Ajrullai ka dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm si Kryetar i Shoqatës së Botuesve të Teksteve Shkollore, për respektimin e konkurrencës së ndershme në tregun e librit, ka denoncuar hapur e me guxim çdo shkelje apo padrejtësi dhe ka ndikuar në përmirësimin e legjislacionit të teksteve shkollore.
Latif Ajrullai ishte i pari që propozoi dhe luajti rol kryesor në ngritjen dhe mirëfunksionimin e rrjetit të distributorëve të teksteve shkollore në të gjithë Shqipërinë.
Ishte largpamësia dhe këmbëngulja e Latif Ajrullait, që për herë të parë në Shqipëri u hap platforma digjitale Portali Shkollor Albas dhe u digjitalizuan të gjitha tekstet shkollore, gjë që ndihmoi në modernizimin e procesit mësimor.
Në kërkim të rritjes së cilësisë grafike e të shtypshkrimit ishte nisma e Latif Ajrullait për ngritjen e një prej shtypshkronjave më moderne, me standarde europiane në Shqipëri, me investim shqiptaro-kroat, Deaprint.
Si president i kompanisë ALBAS. Latif Ajrullai do të kujtohet për këmbënguljen në zbatimin e ligjeve dhe të rregullave të biznesit, për mbështetjen e punonjësve, për ngritjen profesionale të tyre përmes trajnimeve, për autoritetin dhe për këmbënguljen në realizimin e të gjitha projekteve të kësaj kompanie në fushën e dijes.
Ajrullai ishte një sipërmarrës vizionar, që drejtohej sa nga përpikëria e fakteve, aq dhe nga zemra dhe dashuria për punën.
I gjithë ekipi ynë i kompanisë ALBAS jemi të përkushtuar që të çojmë përpara punën, vizionin e tij dhe projektet e lëna përgjysmë.
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
"Ylli i zemrës"-Lasgush Poradeci, lexim i komentuar nga Rita Petro
Tituj librash për festat kombëtare të 28-29 Nëntorit nga ALBAS
"Vargje të lira" Migjeni - Lexim i komentuar nga Rita Petro