Trajnimi i mësuesve

Libri digjital, Albas në shkollën “Muhamer Janina”

Ekipi i trajnimeve Albas ishte në Urën Vajgurore në shkollën “Muhamer Janina” për të ofruar mbështetje teknike si dhe për të prezantuar orë model përpara mësuesve.

Ekipi i trajnimeve të Portalit Shkollor Albas ishte në shkollën “Muhamer Janina” në Urën Vajgurore për të diskutuar me mësuesit e kësaj shkolle për librat digjitalë. Trajnerët biseduan nga afër me mësuesit dhe ndanë së bashku eksperiencën 2-vjeçare të përdorimit të teksteve digjitale në orën e mësimit. Qëllimi i takimeve është ofrimi i asistencës teknike, prezantimi i orëve model dhe bashkëbisedimi nga afër i autorëve të teksteve më mësuesit.

Trajnimi u organizua sipas tre pikave

  • Si funksionon një libër digjital
  • Planifikimi i një ore mësimi model duke përdorur librin digjital
  • Si të bëhemi pjesë e kësaj platforme shkollore dhe të shkarkojmë librat digjital

Mësuesit kanë një raft librash virtualë njëlloj siç mund të kenë në shtëpi ose në shkollë një raft fizik librash. Ata kanë mundësi të zgjedhin librin që duan të përdorin duke klikuar kopertinën e atij libri. Në raftin virtual mësuesit mund të kenë libra nga klasa e 1-rë deri në klasën e XII-të. Vlen të theksohet që struktura e ndërtimit dhe përdorimi i librit është i njëjtë për të gjithë librat digjitalë.

Mësuesit u njohën më mënyrën e ndërtimit të një orë model në lëndën e fizikës, klasa e X-të. Ora model e ndërtuar mbi tekstin digjital u prezantua nga trajnerja Elona Terziu e cila është një përdoruese e rregullt e librit digjital në orën e mësimit. Tema mësimore: “Llogaritja e energjisë potenciale dhe energjisë kinetike” është e pasur me materiale multimediale aplete dhe pyetësorë. 

Procesi i regjistrimit dhe i shkarkimit të librit digjital konsiston në ndjekjen e disa hapave kyç si: krijimi i llogarisë personale për secilin mësues, zgjedhja e lëndëve që japin mësim në shkollë, krijimi i klasave virtuale të ndara në grupe dhe përdorimi i materialeve multimediale që ndodhen brenda librit digjital. Mësuesit kanë mundësi të parapërgatiten për një temë të caktuar në shtëpi, të përzgjedhin materiale, t’i bashkëngjitin në tekst dhe platforma bën të mundur që materialet të dërgohen nga pajisja në shtëpi në laptopin e shkollës duke përdorur llogarinë personale të mësuesit.

(Portali Shkollor)

2,496 Lexime
6 vjet më parë