
Lideri në mes të zhurmës dhe urtësisë...
Ky shkrim nga Fiqiri Çifliku thekson se lidershipi i vërtetë nuk matet me zërin më të lartë në dhomë, por me aftësinë për të dëgjuar dhe nxjerrë në pah mendimin e thellë, shpesh të heshtur. Lideri i mirë krijon hapësirë për reflektim, gjithëpërfshirje dhe vendimmarrje të mençur.
"Zëri më i lartë në dhomë nuk është gjithmonë ai që sjell urtësinë më të madhe, ndonjëherë, është heshtja ajo që mban brenda flakën e idesë së vërtetë."
Shkrim nga Fiqiri Çifliku, ekspert arsimi
A ke qenë ndonjëherë në një mbledhje ku zëri më i lartë merr komandën? Zëri i lartë duket si mendim i fortë apo energji shpërthyese, dhe të gjithë të tjerët heshtin. Në fillim duket si udhëheqje, vetëbesim, prani, moment, por e vërteta është se zhurma nuk është vlerë ashtu sikundër heshtja nuk është mungesë. Zëri më i mençur në dhomë është shpesh ai më i qeti dhe ndonjëherë, është ai sjell ide fituese kur të tjerët e humbën, u iku ndërkohë që dëgjonin zërin më të fortë të vendoste tonin.
Ka disa shenja që tregojnë se po të ikën ideja e vërtetë përpara syve dhe ti si lider nuk po arrin ta kuptosh e ta ndezësh këtë flakë. Kjo ndodh aq herë sa ti e barazon zërin e lartë me udhëheqjen. Nuk do të thotë se ai që flet i pari apo më shumë ka të drejtë. Nuk matet udhëheqja me zë por me rezultat. Të qetët rrallë e marrin fjalën ndaj lideri i mirë përpiqet të dëgjosh përtej volumit. Nëse vlerësohet shpejtësia dhe zhurma, mendimtarët e thellë heshtin. Ndaj është e nevojshme të krijohen hapësirë për reflektim, mendim kritik dhe arsyetim logjik, jo vetëm reagim. Mjafton të pyesim: “Kë nuk kemi dëgjuar ende?”
Duhet të shmangim e interpretimit të heshtjes si mungesë idesh. Disa njerëz mendojnë thellë përpara se të flasin. Duhen ftuar me kujdes dhe tu jepet koha e nevojshme të shprehin mendimin e tyre. Ndoshta edhe jashtë atyre takimeve formale pasi zbulimi shpesh ndodh në pushim. E nëse nuk i kthehesh më mbledhjes pasi mbaron, ideja më e mirë mund të humbasë. Entuziazmi nuk duhet të barazohet me ekspertizën dhe vendimet udhëhiqen nga provat dhe saktësia e tyre dhe jo nga energjia apo zhurma.
Duhet të bëjmë kujdes për të menaxhuar dominimin e të zhurmshmit pasi të tjerët tërhiqen. Me kohë, mendjet e mprehta pushojnë së ndari. Nëse ndarja e mendimeve nuk është e sigurt, ajo shuhet. Është kultura jote ajo që formon bisedën duke mbajtur parasysh të mos lëvdojë paraqitjen në vend të qartësisë. Një prezantim i bukur s’mund të zëvendësojë thellësinë. Takimet, punëtoritë, seminaret, mbledhjet nuk janë garë kush flet më shumë, por janë bashkëpunime për qartësi. E roli yt është të sjellësh në dritë zërin e saktë – jo atë më të zhurmshmin.
Do takime më të mira? Lehtëso, mos u kufizo vetëm duke dëgjuar. Do vendime më të mira? Ngadalëso dhe shiko përreth. Do ekip të vërtetë? Vlerëso kontributin, jo vetëm stilin e komunikimit. Urtësia e vërtetë? Jo gjithmonë ngre dorën. Nganjëherë… pret thjesht ti jepet mundësia për të folur dhe këtë e ke në dorë ti që drejton mbledhjen.
Ata që flasin shumë ose zënë hapësirën sigurisht sjellin energji dhe entuziazëm dhe nganjëherë, një ide e mirë ka nevojë për zjarr. Kanë aftësi të mobilizojnë, aktivizojnë, e nxisin lëvizjen përpara dhe e bëjnë problemin të duket. Zëri i tyre i lartë shpesh e bën çështjen të marrë vëmendjen që ndryshe mund të injorohej dhe kjo nuk është gjithnjë negative. Ata kanë guximin të hidhen në ujë edhe kur s’ka garanci pa u frikësuar nga mosmarrëveshjet. Ky impuls mund të ndihmojë kur nevojitet një vendim i shpejtë por kujdes ata reflektojnë urgjencën kulturore për “t’u dukur”. Zëri i tyre mund të jetë edhe simptomë e një kulture që vlerëson shpejtësinë ndaj thellësisë. Dhe njohja e kësaj tregon ku jemi si shoqëri.
Ndërkohë të qetët që nuk flasin shpesh e pjekin mendimin e tyre në heshtje. Ata reflektojnë më gjatë, e shohin situatën nga më shumë kënde, dhe kur flasin, sjellin thelb, jo fjalë. Janë më të vëmendshëm ndaj ndjeshmërisë sociale. Përgjithësisht nuk ndërpresin, dëgjojnë më me empati, dhe shfaqin kujdes për atmosferën e bisedës – cilësi të rralla por jetike në vendimmarrje. Krijojnë hapësirë për zërat e tjerë të padëgjuar. Duke mos e marrë vëmendjen për vete, ata nxisin të tjerët të ndihen të sigurt për të kontribuar. Pa shumë zhurmë, formojnë kulturë mirëkuptimi. Janë shtyllë stabiliteti në kohë pasigurie. Në vend që të ngrenë panik, ata zakonisht shfaqin durim dhe kujdes në rrugëzgjidhje.
E ti në roli i liderit duhet të jesh aty më shumë se moderator, e më pak se dirigjent, duke modeluar ritmin, jo vetëm radhën e fjalës. Një lider i mirë nuk lejon që zhurma të barazohet me ndikim. Ai e sheh kush ka folur, por vëren edhe kush po mendon. Krijon klimë për guximin e mendimit të heshtur. Kur lideri i jep vlerë pyetjeve si “Çfarë mendon ti?” në vend të “Kush është dakord me mua?”, ai sheh më thellë se konsensus sipërfaqësor. Lideri e njeh vlerën e atyre që nuk kërkojnë vëmendje, por që sjellin dritë kur u jepet mundësia të diskutojnë. E për këtë është e nevojshme ti kthejmë takimet në pasqyra, jo vetëm në skena. Të krijosh një hapësirë reflektimi kolektiv, ku më shumë rëndësi ka pyetja e mirë sesa përgjigjja më e shpejtë. Është shumë e rëndësishme të mbrosh diversitetin e stilit të komunikimit, pasi jo të gjithë kontribuojnë njësoj.
Kur lideri vendos theksin te dëgjimi aktiv dhe gjithëpërfshirja, nuk është thjesht duke koordinuar njerëz, por duke kurorëzuar kulturë. Kjo qasje sjell një sërë përfitimesh dhe mekanizmash të mençur për të ruajtur balancën në mjediset e punës. Vendimmarrja bëhet më e mirë kur mendimi i thellë nuk shtypet nga zëri i fortë, duke rezultuar në vendime më të balancuara dhe të bazuara në logjikë e reflektim. Kështu rritet besimi dhe përfshirja psikologjike, pasi të gjithë ndihen të dëgjuar, çka përkthehet në rritje motivimi, përkushtimi dhe përgjegjësie kolektive. Zbulohen talentet e heshtura, pasi shumë ide brilante humbasin sepse nuk kanë mikrofonin. Kjo qasje bën të mundur që lidershipi i së ardhmes të rritet nga rrënjët e reflektimit. Reduktohet tensioni i brendshëm dhe konfliktet e heshtura, pasi kur secili ka hapësirë për të ndarë mendimin, bie presioni i akumulimit dhe parandalohen përplasjet e fshehura. Krijohet një kulturë kolektive që mëson dhe evoluon, ku takimet bëhen laborator reflektimi dhe përmirësimi të vazhdueshëm.
Të gjithë mbeten të kënaqur nëse palët e zhurmshme ndihen të dëgjuara, por edhe sfidohen që të dëgjojnë, dhe palët e qeta marrin sinjale se mendimi i tyre ka peshë, edhe pa retorikë të fortë. Organizata fiton në urtësi, maturi dhe mendim strategjik – jo thjesht në nxitje dhe zhurmë.
Për të amortizuar rezistencën, është e rëndësishme të edukojmë vlerën e heshtjes përmes trajnimeve, feedback-ut ose shembujve të thjeshtë. Bëje të dukshme çdo lloj kontributi, jo vetëm prezantimet, por edhe një koment në një dokument apo ide në mesazh të vonuar. Përdor rrotacion në drejtimin e mbledhjeve, në mënyrë që të gjithë të kuptojnë më mirë si është të dëgjosh pa dominuar. Bëj pyetje me hapje të gjerë, jo vetëm ato që kërkojnë aprovim të shpejtë. Jep hapësirë për mendim të vonuar – dërgo pyetje paraprake, fto komente pas mbledhjes. Vëzhgo kush nuk po flet – dhe ftoje me kujdes. Jo për të ekspozuar, por për të fuqizuar. Ndërto një kulturë ku heshtja nuk ngatërrohet me mungesë kontributi. Alterno formatet – ndonjëherë fjalimi i lartë, ndonjëherë reflektim i heshtur me post-it a mesazhe asinkrone. Vlerëso për ndikim, jo për volum – bëj të dukshme kontributet që vijnë nga të qetët. Eduko ekipin për të dalluar paraqitjen nga qartësia dhe energjinë nga ekspertiza.
Balanco zërat përmes teknikave specifike, si metoda “të gjithë shkruajnë një ide në letër përpara se dikush të flasë” ose “pika e heshtjes” 60 sekonda reflektim para diskutimit. Krijo rituale që përforcojnë kulturën e dëgjimit, si për shembull: çdo mbledhje të mbyllet me pyetjen “Cili mendim nuk u tha, por duhet të dëgjohej?”
"Udhëheqja e vërtetë nuk matet me volumin e zërit, por me thellësinë e mendimit dhe qartësinë e vizionit që sjellin në dritë zërat e heshtur."
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Kualifikimi i mësuesve 2025, procedurat dhe kriteret e vlerësimit
Model vlerësimi për Mësuesin Koordinator të Sigurimit të Cilësisë në arsim
Për t'u edukuar nuk mjafton arsimimi