Realitet studentor

Marina Kërçeli: Unë studentja e “vrarë”...

Kështu siç shkruan Marina, një studente e shkëlqyer por e “vrarë” nga koha e pandemisë, janë me mijëra studentë në vendin tonë. Ajo ka vendosur të tregojë një realitet të jetuar i cili me sa duket do t’i kushtojë shumë në të ardhmen...

Të vrasësh nuk do të thotë, që përherë vrasja të shpërblehet me gjak por ndonjëherë dhe vrasja ndodh ashtu, pak nga pak filluar prej disa të drejtave themelore që ka njeriu. Dhe ne na vranë për plot një vit të tërë, na kanë mohuar të drejtën për t‘u arsimuar ashtu siç i ka hije një studenti, na mohuan të qenurit aktivë dhe të pasurit interaktivitet mes ne studentëve dhe profesorëve. Nuk është pak kjo e thënë nga një e dalluar si unë... 


U drejtova dyerve të universitetit me shpresën se aty do të plotësoja boshllëqet e lëna pas nga gjimnazi, dhe me plot bindje se në universitet do të rritesha. Jo vetëm në numër, por do të rritesha nga ana akademike dhe profesionale. Do të gjeja mundësinë e munguar, që shpesh në studentëve të ardhur nga gjimnazet e zonave rurale, zor se i kemi të plotësuara. Sot që po shkruaj, dhe revoltohem lidhet me faktin se shpresat si studentë u shuan, dhe janë kapur veç mbas një fije, mësimi online.


Për të folur më konkretisht rreth këtij të fundit, di të them se nuk ka plotësuar asgjë nga ajo që na ofronte auditori. Nuk ka me interaktivitet, na mungon përqendrimi por mbi të gjitha është thelluar edhe më tepër forma e të mësuarit të gjërave në mënyrë motorike. Dhe unë e dalluara, këtë metodë kam zgjedhur, pasi nuk kam gjetur ende një mënyrë efikase, atë të të mësuarit me logjikë. Sot që të gjithë ne jemi të revoltuar, lidhet pikërisht me faktin se nuk kemi asgjë veç se një auditori të ngrirë, jo i ngrirë në metoda, por i ngrirë mbas një ekrani. 


Nuk u vendos aspak faj pedagogëve, pasi kush më shumë e kush më pak prej tyre, është munduar të japë maksimumin që mund të të lejojë një ekran bardh e zi. Kemi më shumë se një vit tashmë, që duart tona nuk kanë ndier aromën e shkumësit, sytë tanë nuk hasin më dërrasën e zezë, por aq me pak as ato banga aq të dashura nga ne studentët. Kemi pothuajse një jetë të tërë, në aq sa ne kemi jetë, ku çdo vit radhazi, i kishim idetë e qarta, e kishim edhe një plan për karrierën tonë. 


"Karrierë"?, tashmë edhe kjo fjalë e ka humb fillin, qysh prej momentit që ne studentëve na dërguan drejt qyteteve tanë, si thasë mielli, për t‘u brumosur në auditorin më të ri" shtëpi" versus "kompjuter". Në momentin e parë që na u dha njoftimi për t‘u kthyer, mbase e pranojmë se u treguam egoistë, me buzëqeshjen që reflektonte në fytyrat tona, me idenë se si çdo pauzë tjetër pushimi dhe ky nuk do zgjaste shumë. Por ja që na vërtetuan të kundërtën, kaluan ditë, javë, muaj dhe këto muaj u bënë plot 1 vit. Përgjatë gjithë këtij viti, ne studentët përjetuam humbje shumë të mëdha, duke renditur nga ato ekonomike, sociale, psikologjike dhe emocionale.


Por nuk e di nëse mund ta quaj sektor, apo drejtim, ajo që ne na dëmtoi më tepër ishin pasojat ekonomike. Qira të paguara kot në muaj, me shpresën se do të riktheheshim sapo të përfundonte dy javëshi, apo dhe çdo afat shtyrje që vinte njoftim nga Ministria e Arsimit. 

A u tregua e drejtë kjo e fundit? 

Dyshoj fort se jo, pasi çdo thirrje e jona, kundrejt saj, në fund plotësohej me një përgjigje: Është Komiteti i Eksperteve ai që vendos! Por kur fuqia e këtij komiteti qëndron kaq lart, atëherë pse nuk ndërhyri komiteti, qeveria apo kushdo qoftë, për t‘i ofruar ndihmë çdo studenti kudo qoftë që ishte ai, edhe në ato zona më të thella, kjo qeveri t‘i përgjigjej me ofrimin e një pajisje. Lemë mënjanë faktin, se që këto pajisje të vendosen në funksion duhet të plotësohen edhe me akses në internet, ku për këtë të fundit nuk dihet saktësisht se sa është tarifa për çdo student, kundrejt çdo pagesë mujore që studenti detyrohet të kryente vete, pasi nëse jo, do të përballej me ngeljen për mos prezencë, por edhe ngelës në provime pasi nuk kishte akses interneti për të kryer provimin.  


Edhe unë e dalluara, jam një prej tyre, e gjendur në një zonë rurale, mungesën e një kompjuteri, ku më pas rrethanat ma imponuan për ta blerë dhe një të tillë, ku në fund u shpërbleva me një tarifë goxha të konsiderueshme për një studente si unë, dhe e papunë. Me babin në emigrim dhe nënën shtëpiake, pandemia na gjeti në një moment shumë të vështirë ekonomikisht, por megjithatë këto kushte duhet të plotësoheshin, pasi edhe unë e dalluara rrezikoja ngeljen. Në rastin e realizimit të provimeve, të detyruar për t‘i kryer edhe këto online, u shpërblyem në fund me një notë të konsiderueshme, por ka dhe ata që ngelën, pasi në rast mosprezence, vlerësimi ishte  "pasaportë", e dalluara X .. vlerësohet me përsëritje në lëndë.


A mund të gjejmë fajtorin e vërtet? 

Normalisht që jo, pasi pedagogu vlerëson atë që ne i servirim, se sa japim ne gjatë gjithë semestrit, por dhe ne jemi të pafajshëm pasi nuk është faji ynë familjet tonë shqiptare, me të ardhura sa për të siguruar jetesën, nuk mund të siguronim çdo muaj 2 deri në 3 paketa interneti. Duke lënë pas të gjitha këto, shpesh momenti më gjen të revoltuar fort, dhe hera herës  të dorëzuar plotësisht për hallin që na ka rënë mbi supe në studentëve. E shohim emigrimin rrugëzgjidhjen tonë të vetme, sepse mbase aty do të vlerësohet në mos diploma, do të vlerësohet intelekti ynë, dhe të ardhurat do të jenë më të larta. Pasi në kohë pandemie, të gjithë dolën dalluar, prej mundësi kopjesh, kohë në dispozicion për të çuar një projekt, apo teze provimi. E pra, dhe unë e dalluar, u detyrova të përballem me opinionin publik: "He se ju 10-ta i merrni të gjithë, pasi kopjoni".


Dhe kjo më ka vendosur në dyshime të mëdha, çfarë do t’i ndodhë diplomës tonë, apo do të përjetojmë një regres në lidhje me vlefshmërinë e saj. 


Gjithsesi deri sa të shkojmë deri aty, mendoj se ka goxha kohë, pasi dhe ne vetë si studentë i jemi bashkuar këto kohë, forumeve të partive të ndryshme politike, duke i vërtetuar të gjithë ne të tjerëve se nuk qëndron problemi te pandemia, dhe rrezikshmëri që mund të kanosim ne, por problemi qëndron deri në përfundim të zgjedhjeve se ku i dihet, lind dhe ndonjë protestë studentore, si ato që gjithmonë përfundojnë në fund me qëllime politike.


E pra të dashur studentë, dhe unë fort e dalluara, besoj se kemi ende rrugëtim të gjatë mbi mësimin online...!


Nga Marina Kërçeli


©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.   

3,101 Lexime
3 vjet më parë