Analizë

Marrëdhëniet e mira, rutina, kreativiteti dhe spontaniteti në mësimdhënie

A mund të jeni spontan/ kreativ në klasë nëse keni vendosur shumë rregulla dhe rutina? Shkrimi i mëposhtëm vjen si material plus për ata mësues të cilët asnjëherë nuk shkëputen nga të lexuarit pavarësisht problemeve që ka profesioni i tyre.

Shpesh herë kur kam folur për kreativitet jam ballafaquar me “argumentet” nuk kemi kohë, po shpeshherë edhe është keq interpretuar thua se po flitet për një mësimdhënie krejt spontane të pa përgatitur fare. Një faktor tjetër që shpesh është ngritur si shqetësim është edhe klima e bashkëpunimit dhe sjellja e nxënësve në klasë. Ka një lidhshmëri për të mos thënë një mishërim në mes të marrëdhënieve të mira mësues- nxënës, rutinave, rregullave, kreativitetit dhe spontanitetit.


Marrëdhënie të mira mes mësuesit dhe nxënësit - çfarë do të thotë kjo?


Marrëdhëniet e mira krijojnë një klimë mirëkuptimi, krijojnë besueshmëri, rrisin tolerancën dhe flexibilitetin dhe krijojnë një ndjenjë të përbashkët. Një ambient i tillë stimulon kreativitetin dhe të menduarit alternativ, gabimi shihet si një mundësi për të mësuar (nxënësit guxojnë të shprehin mendimet e tyre në klasë pa u frikuar se do të tallen nga shokët e tyre të klasës) dhe aftësia analizuese dhe reflektuese rritet. Të gjithë këta faktor ndikojnë në performancen e nxënësit. Një marrëdhënie e mirë është e bazuar në mirëkuptim dhe respekt te ndërsjellë, aty nuk dominon mosha, gjinia, apo profesioni. Shumica e marrëdhënieve krijohen në klasë - këtu ju si mësues shihni dhe i kushtoni vëmendje nxënësve tuaj, po mbi të gjitha me angazhimin, butësinë dhe vendosmërinë tuaj tregoni se jeni atje për ta. Marrëdhënia me nxënësit tuaj është profesionale, që do të thotë se ju duhet të jeni në gjendje të bashkëpunoni me të gjithë nxënësit tuaj, edhe nëse nuk i vlerësoni të gjithë nxënësit tuaj në nivel personal - me një fjalë duhet të dallohet profesionalja nga personalja. Rutinat dhe struktura e qartë janë të nevojshme për të krijuar siguri në klasë. Megjithatë, nuk është vetëm një çështje e vendosjes së rutinave të mira, por rutinat duhet të mbahen për të krijuar një mjedis të sigurt për të gjithë. Rregullat e mirëqenies së shkollës janë një shembull i rregullave që të gjithë mësuesit në shkollë duhet të ndjekin. Për shembull, nëse një mësues lejon nxënësit e tij të dëgjojnë muzikë gjatë mësimeve të tij, edhe pse kjo shkel rregullat e mirëqenies, do të krijojë probleme për mësuesit e tjerë. Përveç kësaj, nxënësit tuaj vënë re se ata mund të shtyjnë kufijtë, të cilët ju i humbni në planin afatgjatë. Do të ishte e pa logjikshme të kërkohej nga nxënësit të mos konsumojnë duhan nëse ti si mësimdhënës konsumon duhan. Do ishte e pa logjikshme të kërkohet nga nxënësi të mos mungojnë apo të mos vonohet nëse ti si mësimdhënës mungon apo vonohesh. Pra një rregull i thjeshtë është që rregullat mundë të implementohen vetëm atëherë kur ata që vendosin ato rregullat i respektojnë vetë.


A mund të jeni spontan/ kreativ në klasë nëse keni vendosur shumë rregulla dhe rutina?


Rutinat, struktura dhe parashikueshmëria janë baza e një udhëheqje të suksesshme - kjo i bën nxënësit të ndihen të sigurt, gjë që nga ana tjetër zvogëlon shfaqjen e konflikteve dhe krijon hapësirë për të qenë spontan herë pas here. Struktura dhe qartësia krijojnë hapësirë për kreativitet dhe spontanitet. Në klasë, padyshim që ju duhet të ndryshoni përmbajtjen tuaj të mësimdhënies dhe të jeni spontan brenda kufijve të caktuar, por marrja e çdo mësimi sipas dëshirës mund të jetë problematike për mësimdhënien dhe udhëheqjen tuaj në planin afatgjatë.

Hulumtimet tregojnë se mungesa e strukturës dhe rutinave krijon stres tek të gjithë nxënësit e sidomos tek nxënësit që kan probleme neuropsikiatrike. Nxënësit e stresuar e kan më të vështirë të përthithin mësimin, sepse stresi ndikon negativisht në kujtesën e punës. Prandaj, një mjedis mësimor i sigurt dhe i parashikueshëm është i rëndësishëm për nxënësit që të jenë në gjendje të absorbojnë mësimin në një mënyrë të mirë.


Përfundimisht!

Marrëdhëniet e mira krijojnë klimë mirëbesimi dhe mirëkuptim për nxënësit, ata kuptojnë që rregullat dhe rutinat janë në favorin e zhvillimit të tyre si në mënyrë sociale ashtu edhe intelektuale. Rregullat dhe rutinat zvogëlojnë konfliktet, rrisin efikasitetin dhe krijojnë hapësirë për spontanitet dhe kreativitet.


Nga Shpend Rukiqi 

Degree of Master of Science filozofi

Postgraduate Diploma in Special Educational Needs

Degree of Master of Education Kimi/ matematik



© Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

389 Lexime
1 muaj më parë