STUDIMI ONLINE

Mësimi në universitete do të bëhet online, pedagogët: Vendimmarrje e vonuar

Tri ditë para nisjes së vitit të ri akademik, Komiteti Teknik i Ekspertëve për pandeminë ka marrë vendimin të propozojë që “mësimi në universitete duhet të zhvillohet online të paktën për një muaj”. Fill pas këtij lajmi kanë ardhur dhe reagimet e para nga pedagogët.Ne kemi shkëputur disa prej tyre.

Në vendin tonë autoritetet shëndetësore kanë dhënë alarmin sa i përket situatës me koronavirusin. Drejtuesja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli tha se ashtu si në Evropë edhe në Shqipëri të dhënat janë shqetësuese. 


Kështu Komiteti i Eksperteve ka kërkuar që mësimi në universitete të bëhet online, për të paktën 1 muaj dhe më pas do të vlerësohet sërish situata. 


“Kemi vendosur unanimisht të propozojmë që universitetet të zhvillojnë vetëm mësim online, pra mësim vetëm ne distancë pa prezencë fizike të paktën për muajin e parë të hapjes duke vlerësuar situatën ne dinamike. Aulat dhe konviktet do të jenë të mbyllura deri në një vendim të dytë”, kështu ka thënë dje në një dalje për mediat, Kryetarja e këtij Komiteti, Mira Rakacolli


Menjëherë pas këtij lajmi ka pasur reagime të ndryshme nga qytetarët, por veçanërisht nga studentët dhe pedagogët. Ne kemi shkëputur disa prej mendimeve apo qëndrimeve të këtyre të fundit, postuar në profilet e tyre të rrjeteve sociale. Në komentet e tyre nuk mungojnë as pikëpyetjet, për të cilat sigurisht priten përgjigje....


Mirdaim Axhami: “Mësimi online ishte një e papritur e madhe pasi i gjithë stafi pedagogjik qe përgatitur për rikthimin e pjesshëm në ambientet e universiteteve. Është bërë një punë shumë e madhe për organizimin e mësimdhënies përmes platformave online dhe mësimit fizik. Kjo qe një vendimmarrje e vonuar. Të gjithë studentët kanë bërë përgatitjet e duhura për t’u zhvendosur në Tiranë ku dhe gjenden universitetet kryesore. Përkundrejt situatës së paraqitur dhe gjendjes që ka shkaktuar pandemia, vendimi do të zbatohet dhe nuk ka asgjë që mund të bëhet në lidhje me këtë. Universiteti i Tiranës ka marrë vendim që do të jetë një platformë e unifikuar për gjithë universitetin, janë bërë trajnime për gjithë pedagogët që do të përdorin këtë platformë, janë hapur adresa e-mail-i me domeinin universiteti i tiranës.edu.al për të gjithë studentët e të gjitha grupeve, në të gjitha nivelet dhe ne jemi gati për ta zhvilluar këtë mësim online”. 

 

Erlis Cela: “Propozimi për të kalimin online të mësimdhënies në universitete vetëm 3 ditë para fillimit të vitit akademik, është një goditje mbi studentët, familjet e tyre dhe stafet akademike. Prej ditësh studentët janë vendosur në Tiranë, Durrës apo qytete të tjera ku studiojnë. Kanë shpenzuar për shtëpitë me qira,  veshje dhe për përgatitje të tjera. Në kushtet kur familjet shqiptare janë në vështirësi të mëdha ekonomike, një vendim vetëm tre ditë para se te fillojë shkolla, i ka çuar në lumë edhe ato pak para që kishin. Nga ana tjetër kjo na i ka bërë akoma më të vështirë ne që prej javësh po punonim për të mirëpritur studentët tanë në auditorë. Nëse ka vërtet një rriskë kaq të madh nga fillimi i vitit të ri akademik, atëherë ky komiteti i ekspertëve (për disa dyshoj qe janë të tillë) duhet ta kishte parashikuar më përpara. Pandemia ka muaj që ka filluar. Ne tashmë kemi parë se çfarë ka ndodhur me valën e parë dhe çfarë po ndodh në vende të tjera. Nuk mjafton kaq që komiteti të merrte një vendim të paktën dy javë para. Si do orientohen studentët e vitit të parë me universitet?”.


Lekë Pepkolaj: “Në momentin e fundit, për universitetet vendoset mësimi online: A e dinë që vendi s’ka të siguruara dritat, s’po flas për internet apo mjete të tjera?! Mësimi duhet të behej në formën e përzier, gjysma në sallë dhe gjysma online dhe të alternoheshin. Leksionet për grupet e mëdhaja krejtësisht online. Ne të shkencave natyrore pa dërrasën e zezë nuk bëhet. Do t'i vendosim në shtëpi u pa puna. Seminare, laboratorë dhe praktika nuk bëhen dot online. Në vend që të mendohej sesi të mbahet distancim social jashtë ambienteve të universitetit, këta e mbyllin fare. Dy vite rresht pa mësim në prani është shumë e rëndë. Liria e Universiteteve ku është?".


Fatmir Memaj: “Ka një mungesë parapërgatitje për mësimin online. Si të thuash strukturat e arsimit që nga ministria e linjës, universitete dhe studentët u gjetën të papërgatitur. Kjo është një nga defektte kryesore pasi universitet e tjera europiane kanë kohë që e kanë filluar mësimin online. Kështu që edhe ne duhet të kishim hedhur disa hapa qoftë për mësimin, qoftë për të bërë kurse dhe trajnime online nga universitetet. Gjë që ishte në të gjithë nivelin zero”. 


Arlind Qorri: “Studenti mesatar në Shqipëri nuk ka internet në shtëpinë e tij. Mund të ketë një sasi interneti të kufizuar në telefonin e tij, nuk ka kompjuter. Dhe në rastin më të mirë i bën detyrat nëpërmjet celularit. Kjo ka bërë që krejt bërja e mësimit online të jetë, të bëjmë sikur po bëjmë mësim, të bëjmë sikur po mbyllim vitin akademik. Pedagogët të marrin rrogat , studentët të marrin diplomat apo notat që për mendimin tim kryesisht janë fiktive. Edhe një herë të bëjmë sikur po jetojmë në një vend normal që në fakt nuk jemi”.



Përgatiti për publikim Nanila Allkja Biçaku 

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë

4,745 Lexime
3 vjet më parë