Aktualitet

Mësimi në universitete do zhvillohet në auditorë, do lejohen vetëm studentët e vaksinuar

Ministja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka deklaruar se mësimi në universitete nuk do të zhvillohet më i alternuar por në auditorë dhe studentët duhet të shfrytëzojnë javën përpara nisjes së mësimit për t`u vaksinuar që të ndjekin leksionet.

Ministja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ditën e sotme ka inspektuar qendrën e vaksinimit të studentëve në universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës.


Manastirliu u shpreh se mësimi nuk do të zhvillohet më i alternuar por në auditorë dhe studentët duhet të shfrytëzojnë javën përpara nisjes së mësimit për t`u vaksinuar që të ndjekin leksionet.

“Kemi nisur një aksion do thoja sa i përket vaksinimit të të gjithë personave plus 18 vjeç me fokus studentët, të rinjtë, ku vërehet që kemi interes të shtuar. Gjatë kësaj jave kemi nisur bashkëpunimin me strukturat e arsimit të lartë, vetë rektorët janë të angazhuar me gjithë stafet e tyre për të njoftuar studentët që kjo javë është javë vaksinimi se duke nisur nga java tjetër do duhet të paraqesin kartën e vaksinimit për vijimin e procesit normal mësimor. Ne të gjithë duam që mos kemi më ndërprerjet ë shkollave, ato mësime që kryheshin në mënyrë të alternuar, por ajo që synojmë është që mësimi të bëhet në auditorë dhe e vetmja mënyrë që mësimi të zhvillohet në auditorë është që të vaksinohemi se është e vetmja armë e njohur nga të gjithë e cila kufizon përhapjen e infeksionit”, tha ministrja.


Pavarësisht fushatës së vazhdueshme për domosdoshmërinë e bërjes së vaksinës për të mbrojtur jetën nga Covid-19, ende shumë studentë nuk janë të bindur për tu vaksinuar dhe këtë e tregon edhe numri i vogël i të rinjve që i janë drejtuar qendrës së vaksinimit.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,668 Lexime
3 vjet më parë