OPINION

Mësuesi, figura qendrore e shkollës

Mësuesit duhet të jenë shembull dhe modele që duhen ndjekur, ndaj dhe përgjithësimi i punës së tyre, i aftësive menaxhuese të klasës, i përvetësimit me nivel të lëndës dhe dhënia e saj në mënyrë sa më të kapshme, janë vlera që s`mund t`i anashkalojmë.

Kemi vënë re se bëhen shpesh herë trajnime të mësuesve dhe natyrisht kur këto mbështeten në përvojat më të përparuara europiane dhe ato botërore, edhe arritjet dhe rezultatet nënkuptohen që janë shumë herë më të mira, por do të  thosha që edhe vet drejtuesit apo mësuesit professionalë, duhet të sygjerojnë forma metodike, sikurse përvoja që janë të avancuara dhe japin rezultate konkrete te nxënësit tanë. Nëse merret apo aplikohet një përvojë ta zëmë nga vendet skandinave, që janë të përparuara në arsim, sigurisht që ky hap është një gjë shumë e mirë nga institucionet arsimore të vendit, por të mos harrojmë se ato reforma nuk duhet të zbatohen shabllon, sepse edhe mësuesit, edhe nxënësit tanë, kanë disa karakteristika të ndryshme, që lidhen me zhvillimet e shumanshme të atyre vendeve e që ato janë: sociale, ekonomike, teknologjike e shkencore. Por, edhe ligjet, udhëzimet, metodologjitë që përdoren etj., atje i përkasin dhe i përgjigjen atij standardi të lartë dhe jo nivelit e standardit tonë aktual. Specialistët që e njohin mirë këtë problematikë, natyrisht që duhet ta thonë më mirë dhe me më shumë kompetencë fjalën dhe mendimit e tyre, veçanërisht tani në fillimin e vitit shkollor, sepse, një punë e nisur mirë, përbënë edhe një mundësi dhe bazë për një të ardhme më të mirë dhe më të sigurt.  

 

Mësuesit është fytyra e klasës


Natyrisht që shkolla sot dhe puna e mësuesit është edhe më e vështirë se në dekadat e monizmit, kjo edhe për faktin sepse sot bëhet problem i madh dhe i papranueshëm për shoqërinë mbajtja e displinës së nxënësve me anë të dhunës, me anë të shuplakave dhe britmave frikësuese. Sot kërkohen forma sa më efektive, por të bazuara dhe në liritë dhe të drejtat që ka, ashtu si mësuesi, por edhe nxënësi, i cili duke qenë në rritje dhe duke mësuar, ka nevojë edhe të respektohet më shumë, të trajtohet ngrohtë, si dhe të nxitet e  ndërgjegjësohet për nevojën e përvetësimit të lëndës, duke ia bërë shkollën sa më të dashur, dhe jo si një vend të bezdisshëm e monoton, por të mirëpritur, që ai të shkojë me qejf e dëshirë atje, duke kuptuar se ajo është për atë vetë, por edhe për shoqërinë e familjen, për vetë zhvillimet. Këtu, mësuesi merr përparësi dhe rol të veçantë e pararojë. 

Një mësues të mirë, që di ta kryej më së miri detyrën, nxënësit jo vetëm e  dëgjojnë dhe e kuptojnë, por ata arrijnë ta përvetësojnë që në klasë temën e mësimit, kurse duke e thelluar më tej në shtëpi, të nesërmen, ata janë të aftë  të tregojnë nivelin e përvetësimit të dijeve që kanë fituar.



Të gjithë ne, kur bëjmë retrospektivë të kohës kur kemi qenë nxënës, sjellim në vëmendje mësuesit tanë më të mirë dhe më të dashur prej të cilëve kemi mësuar aq shumë, por dhe që kanë ditur të sillen  mirë duke ndërtuar me ne marrëdhënie sa më të pëlqyeshme që tek e fundit i kanë shërbyer përgatitjes me dijet e nevojshme dhe edukimit tonë. 


Prandaj dhe kërkesa është e tillë që mësuesit duhet të jenë shembull dhe modele që duhen ndjekur, ndaj dhe përgjithësimi i punës së tyre, i aftësive menaxhuese të klasës, i përvetësimit me nivel të lëndës dhe dhënia e saj në mënyrë sa më të kapshme dhe të kuptueshme, janë vlera që s`mund t`i anashkalojmë, por t`i përgjithësojmë, ato janë vlera për të cilat kanë nevojë edhe të tjerë dhe, këtë e bëjnë edhe vetë mësuesit, duke përfituar nga kolegët e tyre, por e  bëjnë edhe drejtuesit, duke përgjithësuar shembujt  e më të mirëve jo thjesht si vlerësim, por si përgjithësim dhe shembull. 


Vet shkolla, si një institucion i organizuari, i ka të gjitha mundësitë e zhvillimit të këtyre përgjithësimeve, shpejt dhe saktë, pa zyrtarizëm dhe pa ceremoni formale. 


Sidomos në fillimin e viti të ri shkollor apo të periudhave pas pushimeve, drejtuesit dhe mësuesit, e kanë për detyrë pedagogjike të krijojnë një atmosferë sa më të ngrohtë që nxënësit ta kenë shkollën, klasën, mësuesit dhe drejtuesit sa më të dashur. Sidomos kjo është më se e nevojshme me nxënësit që vijnë në klasë të parë, të cilët kanë shumë nevojë të afrohen me dashuri me shkollën, ta ndjejnë atë  si vendin ku do të marrin njohuri dhe dije të shumanshme për jetën dhe botën, por dhe ku do të shfaqin talentin dhe formimin e  personalitetetit për të nesërmen.





(Fran Gjoka, mësues dhe gazetar i njohur shqiptar; Portali Shkollor)

                                        

                                                                                                                               

                                                                                                  

2,799 Lexime
4 vjet më parë