Fenomeni psikosocial

Mësuesit dhe burnouti (konsumimi) profesional

Burnouti është një fenomen psikosocial që karakterizohet nga lodhja emocionale, depersonalizimi dhe pakësimi i përmbushjes personale. Referuar studimeve në këtë fushë, mësuesit janë konsideruar profesionistët me risk më të lartë të përjetimit të stresit okupacional.

“Mësuesit kanë profesionin më të rëndësishëm në jetë. Ata kanë në ngarkim përgatitjen e brezit të ri të shoqërisë dhe kanë aftësi të formësojnë të ardhmen e nxënësve të tyre për mirë apo për keq” Hiver and Dörnyei (2017).

Mirëqenia fizike dhe mendore e individit varet nga aftësia se si këta individë mund të përballojnë kërkesat dhe vështirësitë psikosociale, mjedisore dhe fizike të mjediseve ku ata bëjnë pjesë. Megjithëse stresi ndonjëherë është një përgjigje fiziologjike e nevojshme, ekspozimi i vazhdueshëm ndaj stresit okupacional mund të çojë në burnout. 


Burnouti është një fenomen psikosocial që karakterizohet nga lodhja emocionale, depersonalizimi dhe pakësimi i përmbushjes personale. Referuar studimeve në këtë fushë, mësuesit janë konsideruar profesionistët me risk më të lartë të përjetimit të stresit okupacional. 


A është i rrezikshëm konsumimi profesional për mësuesit? Nëse po, pse?


Ka shumë faktorë që kontribuojnë në konsumimin profesional të mësuesve. Ndjenja e vetmisë, mungesa e mbështetjes sociale, të qenit i mbingarkuar me punë, mungesa e pavarësisë, marrëdhënia me drejtuesit, problemet e disiplinës në klasa etj.   

Burnouti profesional nuk është çështje vetëm personale. Mësuesit që përjetojnë konsumim profesional kanë ndikim edhe në arritjet mësimore të nxënësve të tyre. Një mësues përjeton burnout si pasojë e: mungesës së burimeve, pagave të ulëta, mungesa e përgatittjes për problemet reale të klasave, mjedise punë konfliktuale dhe stres gjeneruese, rolet e shumëfishta dhe shumë arsye të tjera. 


Literatura e sotme sugjeron se si të ndërtohet një mjedis i tillë që të promovojë mbrojtjen e mësuesit dhe të pakësojë konsumimin e tij.

 Duhet me patjetër të ndryshohet miti që mësuesit janë dembelë dhe nuk duan të punojnë. Në fakt është e kundërta. Ata janë mësues që kanë pritshmëri të larta të punës së tyre, që marrin punë në shtëpi, rrinë deri vonë, madje mund të përjetojnë edhe ndjenja faji nëse nuk i përmbushin pritshmëritë që i kanë vendosur vetes. 


Ashtu sic Freudenberger e përshkruante burnoutin “shumë (ngarkesë), për kohë shumë të zgjatur dhe në mënyrë shumë intensive”. Prandaj…po, burnouti profesional është i rrezikshëm për mësuesit dhe përbën një kërcënim potencial për mirëqenien psikologjike, emocionale dhe fizike të tyre. Burnouti është një problem real te mësuesit i cili absolutisht nuk duhet të anashkalohet. 


Por, çfarë kanë nevojë mësuesit për të reduktuar përjetimin e bunroutit?

Drejtimi proaktiv. Drejtuesit e shkollave janë aktorët e parë që mund të krijojnë një klimë pozitive pune në shkolla nëpërmjet promovimit, nxitjes dhe mbështetjes së punës së mësuesve.  Komunikimi, bashkëpunimi dhe pjesëmarrja në vendimmarrje janë shumë të rëndësishme në ndërtimin e reziliencës së mësuesve si dhe në ndërtimin e mjediseve sociale pozitive brenda shkollave. 


Burnouti është i lidhur drejtpërdrejtë me vendin e punës, por të dhënat e përftuara nga studime të shumta të realizuara në këtë fushë, dëshmojnë se përjetime të tilla mbarten edhe në familje sikurse edhe në aftësitë e përgjithshme të individit për të funksionuar. Burnouti profesional ka nevojë më shumë se kurrë të marrë vëmendjen dhe hapësirën që i takon për të gjetur një zgjidhje.  Ai ndikon drejtpërsëdrejti në procesin e mësimnxënies dhe në motivimin e nxënësve. 


Këshilla të përgjithshme: 


  • Të pranosh që bëre çdo gjë që munde të bëje.
  • Distancimi i vetes nga situata stres gjeneruese ose të paktën të shikuarit e saj objektivisht.
  • Të shikuarit e situatës në këndvështrimin: “çdo gjë kalon”, sikurse edhe vete jeta.
  • Ruajtja e marrëdhënieve të ngushta ndërpersonale ose shoqërore me dike të besueshëm për të bashkëndarë përjetimet emocionale.
  • Marrja në konsideratë e pushimeve gjatë ditës.
  • Formimi dhe pjesëmarrja në grupe mbështetëse, ku të diskutohen çështje të rëndësishme që shkaktojnë stres dhe frustrim.
  • Promovimi i një qasje pozitive të të menduarit, duke e parë të ardhmen me optimizëm pavarësisht se situata mund të duket e zymtë. 


Këshilla të tilla si: “kujdesu për veten”, “vendos veten në fillim”, “puno me zgjuarsi, jo me vrull” etj, etj, ngjajnë të vështira për t’u zbatuar, duke e zhvendosur përgjegjësinë vetëm te mësuesit.  Arsyeja është e thjeshtë: Një mësues e ka të vështirë të mendojë për veten kur edukimi është një shërbim human, që kërkon të vendosen të tjerët para.  


Sot, kërkohet që mësuesit të bëjnë shumë, në pak kohë (post pandemia, vlerësimi, menaxhimi i klasës, mosha e adoleshencës etj), kur në fakt puna është bërë më e vështirë se asnjëherë.  Ndoshta është koha e duhur për të vendosur në një baraspeshë pritshmëritë që i vendosen para një mësuesi me realitetin. 


Çdo qasje apo politike e re arsimore duhet të peshohet mirë, duke iu përgjigjur pyetjes: Çfarë kosto ka ky ndryshim në burnoutin profesional të mësuesve? 


E ardhmja e edukimit, mësuesve dhe nxënësve varet vetëm nëse i përgjigjemi saktë kësaj pyetjeje.  

Përgatiti Senada Duli, Psikologe shkollore/organizacionale

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,518 Lexime
1 vit më parë