MBËSHTETJE MATURANTËVE

Mësuesja Alma Mara: Provimi i maturës, një skicë e një pikture që do të vazhdojë të punohet tërë jetën

Maturantët kanë padyshim nevojë edhe për mbështetje morale gjatë provimeve. Një natë para provimit të sotëm, mësuesja Alma Shiba Mara u ka dedikuar disa rreshta emocionues këtyre të rinjve por edhe prindërve të tyre, si një lloj apeli për rolin e madh që ata kanë.

Sot bijtë tuaj janë në sfidën e parë të testimit të maturisë së tyre.

Ata janë solarë, të fortë, bindës çdo ditë të vitit, por sot janë dyshues. 

Forca e brendshme që ju rrëzëllen çdo mëngjes kur kalojnë pragun e shkollës, sot ju përkundet si pendë në erë. Janë frikacakë? Jo, janë të brishtë... dyshues tek vetja dhe tek ajo që mësuan në bankat e shkollës.

Mendimet e tyre sot janë mozaiku më i ngarkuar prej 1000 ndjesish e zgjidhjesh. Aty gjen të sotmen e skicuar më së miri.

Ja...është aty gota me lëng frutash apo me qumësht e refuzuar. 

Bluza e projektuar për tu veshur, por që në momentin e fundit bëhet me pastë dhëmbësh dhe e ndërron. Është aty edhe debati i çdo mëngjesi me ju, që ndryshe nga çdo ditë nuk i kritikoni pse po qëndrojnë para pasqyrës...

Shikojini mirë sot!

Janë të vegjlit tuaj të para 18 viteve.

Pikërisht ato që i ushqyet me qumësht por që sot për ironi do t'ua refuzojnë.

Sot vulosin përpjekjen e parë të maturimit të tyre!

I shihni? E shihni dhe ju ditën e tyre?

Optimizmin në sy, identitetin e tyre të plastifikuar në një copëz kartë në dorë dhe në shpirt forcën për të qenë më të mirët.

Ti thua me vete; është fëmijë! Harron që ai 18 vjeçar i sotëm është një enciklopedi. Harron që 1000 hallet e tua që mendon se ia fshehe, ai jo vetëm i diti por edhe i zgjidhi vetëm me prezencën e tij. Fëmija yt po ecën vetë sot...do të ecë vetë nesër.

Ndaj mos i shko pas me gotën e qumështit ! As me premtimin që nëse del mirë në provim do të marrë një çmim të mirë.

Sot jepini një përqafim!

Vetëm aty ai do të marrë energjinë për të ecur përpara. Vetëm aty do të marrë forcën për të vulosur një provim.

Ndoshta do t'ua refuzojnë...

Por ju mos ua kurseni një buzëqeshje! Automatikisht forca do t'iu ngjitet nën lëkurë. 

Sot mos jepni këshilla! Duhet t'ua kishit dhënë dje!

Përcillini mbështetje që të kuptojnë që nuk është një provim që përcakton dashurinë tuaj për to! 

Tregojini që ai provim është një skicë e një pikture që tërë jetën do të vazhdojë të punohet, ndaj quhet provim i maturës.

Atë skicë duhet ta ndërtojnë me kujdes sepse pikërisht ajo skicë i dizenjon udhën e jetës e cila ndërtohet vetëm një herë.

...dhe mos harroni buzëqeshjen tuaj!

Aty ka mijëra ekuacione të zgjidhura; esetë më të bukura janë aty; alternativat e sakta janë qarkuar aty.

Ne mësuesit sot do të bëjmë apelin më të veçantë, ndërsa ju sot jeni prindi i një maturanti kompetent.

Ai nuk e di, por ne ua pëshpërijmë që sot diçka në ajër; ju jeni e ardhmja jonë!


Nga Alma Mara 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

5,670 Lexime
3 vjet më parë