DEDIKIM

Modeli i mësuesit dhe drejtuesit që duhet të ndjekin brezat

Dr. Ismet Çelaj, njeriu që i kushtoi jetën arsimit, si edukator i shumë brezave. Ka dhënë shembullin më të mirë në vendin ku punoi e jeton, duke krijuar modelin e intelektualit, mësuesit shembullor dhe drejtorit të aftë.

 Rreth formimit profesional

Lindi më 15 maj 1949. Shkollën 7-vjeçare e mbaroi në vitin shkollor 1963-1964 në shkollën “Boks-Dragoç”. Të mesmen e mbaroi në gjimnazin “Jordan Misja” në Shkodër në vitin shkollor 1967-1968. Në vitin shkollor 1969-1970 ka mbaruar ditën Institutin pedagogjik dy-vjeçar dega Biologji-Kimi në Fakultetin e Shkencave Natyrore, ku merr titullin “Mësues i Biologjisë dhe Kimisë për Shkollën 8-vjeçare”. Më pas, Universitetin e Shkodrës dega “Biologji-Kimi”, ku merr titullin “Mësues i Biologjisë dhe Kimisë për shkollat e Arsimit Parauniversitar”, në vitin 1976-1979.  Në vitin 1970 fillon punën plot dëshirë dhe pasion në shkollën 8-vjeçare Iballë, Pukë. Përzgjidhet si pjesëmarrrës në konferencën e parë pedagogjike të rrethit Pukë me një temë nga lënda e kimisë. Pasi kryen shërbimin ushtarak në Elbasan, fillon të punojë në fillim në shkollën 8-vjeçare Prekal, më pas gjatë viteve punon në Ura e Shtrejtë, Zv/Drejtor i Shkollës 8-vjeçare Dragoç, drejtor në shkollën 9-vjeçare Drisht dhe në vitin 2003 drejtor i Shkollës së Mesme të Bashkuar “Adem Haxhija” Postribë. 



Çelësi i arritjeve të tij si mësues ishte: përkushtimi maksimal, dashuria për profesionin, gjuha e ëmbël me nxënës, mënyra e komunikimit me prindër për gjetjen e rrugëve sa më rezultative të mbarëvajtjes së fëmijëve në procesin mësimor-edukativ, korrektësia, kërkimi dhe studimi i të rejave shkencore pedagogjike në funksion të metodave mësimore.

                   

Çelësi i arritjeve si drejtor për Ismetin ka qenë: mbështetja reciproke, krijimi i hapësirave të veprimtarive të kolektivit mësues-nxënës, duke i konsideruar bashkpunëtorë dhe lehtësues të punës së njëri-tjetrit në funksion të krijimit të një atmosfere pune sa më të këndshme për të kryer së bashku detyrat.


Krahas aktiviteteve brenda shkollës rëndësi i është dhënë dhe pjesëmarrjes në aktivitete artistike të organizuara në bazë zone duke fituar vendin e dytë në zonë, më 7 Mars 2003.

Drejtor Ismeti dha një ndihmesë të madhe në brumosjen e nxënësve me njohuri shkencore, mjaft nxënës që dolën nga shkolla që drejtoi ai ndër vite, vazhduan studimet universitare e pasuniversitare duke u bërë qytetarë të denjë të Postribës dhe të mbarë kombit. 


Në punën e tij ai krahas dijes shkencore, kujdes të veçantë u kushton edhe aktiviteteve sportive dhe artistike –letrare. I motivuar për të shtuar interesin për shkollën duke e bërë gjithnjë edhe më të dashur krahas procesit mësimor, krijonte edhe projekte lëndore, të cilat i linin vend punës krijuese.  

Edukimi fizik është parë si një mjet ideal për promovimin e aktivitetit të rregullt fizik dhe edukimin e një stili jetese aktive. Kjo lëndë për dr. Ismetin ndihmon nxënësit të zhvillojnë njohuritë, shkathtësitë, qëndrimet dhe kompetencat e nevojshme, të cilat sigurojnë mirëqenien e shëndetit të tyre mendor, emocional, fizik dhe social, për të përballuar me sukses sfidat e jetës së tashme dhe të ardhme.


Është e vështirë të përfytyrohet një nivel i lartë i cilësisë së jetës pa pjesëmarrrjen e përbërsve intelektualë, socialë, shpirtërorë dhe fizikë. Në këtë marrëdhënie, pa dyshim aftësitë fizike janë pikërisht ato që mundësojnë arritjen e objektivave personale me vitalitet dhe pa lodhje të mëdha. 


Aktivitetet sportive stimulojnë paqen, drejtësinë, dashurinë për njëri-tjetrin, jetesën në një shoqëri të shëndetshme dhe udhëhiqen nga koncepti për respektimin e qenies njerëzore. 

                

Praktikimi i lëvizjes fiziko-sportive ndikon që rinia të ndjehet e rëndësishme, ajo formon miqësi dhe rrit bashkëpunimin, ul agresivitetin, rrit shkallën e njohjes së vetvetes e të kundërshtarit, rrit optimizmin. Shkolla, së bashku me familjen, është institucioni i vërtetë funksional e gjithëpërfshirës që mundëson edukimin e shumanshëm të nxënësve e të shoqërisë sonë.


Aktivitetet letrare të ndërthurura me aktivitetet sportive janë pjesë e rëndësishme e programit mësimor. 

I motivuar për të shtuar interesin për shkollën duke e bërë gjithnjë edhe më të dashur, krahas proçesit mësimor dhe krijimit të hapësirave për punë krijuese edhe nga nxënësit, jo vetëm me projekte të ndryshme lëndore, por edhe me projekte në bazë shkolle e më gjerë.


Kërkimi i rrugëve për të realizuar objektivat si misionarë të dijes dhe edukimit të brezit të ri për të përballuar ekonominë e tregut duke shfrytëzuar resurset që na jep natyra në dobi të vetes, familjes në shërbim të shoqërisë.


Eskursionet mësimore. Ekskursioni mësimor është formë e veprimtarisë jashtëshkollore e mësimnxënies.

 

Për dr. Ismetin aktivitetet shkollore për nxënësit kanë një rëndësi të madhe edukuese dhe formuese. Organizimi në mënyrë edukative i aktiviteteve jashtëshkollore, ndihmon në rritjen e aftësive të nxënësve për të bërë punë kërkimore krijuese, për të fituar shprehi praktike, për të zgjeruar horizontin e tyre dhe për t’i aftësuar nxënësit, që teorinë ta lidhin me praktikën. 


Roli i të nxënit të pavarur nuk qëndron vetëm për nxënësit sa janë në shkollë, por edhe jashtë shkolle. Mënyrat e të nxënit që fuqizojnë të nxënit e pavarur të nxënësve janë të shumta, ndër to edhe aktivitetet edukative jashtëshkollore si: ekskursionet, vizitat në muze, ekspozitat e ndryshme, bibliotekat, manifestimet kulturore gjatë zhvillimit të të cilave dr. Ismeti është i pranishëm kudo për sigurinë e fëmijëve. Këto aktivitete edukojnë te nxënësit iniciativën, vetëveprimin si dhe zhvillojnë aftësitë krijuese, hulumtuese, për të nxënit në mënyrë të pavarur. Ekskursionet janë të pazëvendësueshme, sepse njohuritë e përfituara gjatë ekskursioneve janë mjaft të konkretizuara, rrënjosen më lehtë dhe mbahen mend më gjatë.


Falë dëshirës për të punuar në arsim dhe përkushtimin maksimal, i bindur se vetëm kështu arrihen objektivat, ka qenë studiues dhe dëgjues i vëmendshëm i të rejave shkenore, pedagogjike. Ka qëndruar në kontakt të vazhdueshëm me metodat e reja mësimore që kanë bërë të fitojë aftësi për të identifikuar problemet, të krijojë zgjedhje të shpejta dhe të sakta.


 I urojmë jetë të gjatë Ismet Çelës me punën e tij si edukator i shumë brezave. Ka dhënë shembullin më të mirë në vendin ku punoi e jeton, duke krijuar modelin e intelektualit, mësuesit shembullor dhe drejtorit të aftë.



(Përgatiti Faik Uraj në bashkëpunim me stafin e shkollës "Adem Haxhija", Postribë)

4,177 Lexime
4 vjet më parë