PËRVOJA SI MËSUES

Myrto Hysaj: Shkolla vatër dije ku ngrohen krijimet e nxënësve

“Me rritjen time dija se rrugës të duhen jo rrugëtar, por bashkudhëtar. Ndaj dhe për mua ishte i domosdoshëm dhe po aq i vlerësueshëm, bashkudhëtimi në krijimtari me nxënësit e mi!”, një shkrim me plotë mbresa nga mësuesi shkodran Myrto Hysaj, i cili numëron afërsisht 40 vite në arsim.

Dritaret e saj janë sytë e brezave.

Dritare shpirti-dritare poezie.

Hapësira në muret e qenies njerëzore. Nga ku hyn dhe del dritë jete. Shpresë dhe optimizëm e më shumë vrazhdësi e pikëllim nga retë që varen poshtë qiellit. Ato sikur duan t'ua rrëmbejnë dhe parvaz. Mirë që s’janë prej mermeri, por prej kocke njerëzore, rritur mes erërave e stuhive të jetës.


Për dikë ato kanë dhe xhamëzim të dyfishtë. Mes qelqit të ngjarë me kristalë sinqeriteti dhe modestie, me ajër shpirti dhe jete. Mbase për dikë dhe lëngëzim sharmi poetik, frymëzim si flladim pranveror! Aty tek parvaz i tyre bashkohen zëra gazmorë shkollarësh me cicërimat e shpendëve për të fluturuar në liritë e shpirtit! Aty mes tyre dhe qenia ime mori dritë për të parë drejt hapësirave të pafundme të jetës. Mes një vrapimi ëndërronjës. Shapkat fëmijërore që më kishin goditur ëmbëlsisht thembrat e njoma, tashmë i kisha zëvendësuar me atletike adoleshenti. Sa herë sillesha rreth e qark mureve të shtëpisë prindërore seç merrnin nga poshtë shtrojes një ngjyrë nga tokë e Vendlindjes. Dhe sot i kujtoi ato çaste bashkë me portretet e njerëzve më të dashur! Sa dhe fushat me valëzime gjelbëruese e rrjedhat e kthjellëta të përrenjve ku të spërkatnin piklimat nga "bërcakët" e vegjël. Kisha dëshirë vetëm të vrapoja. Me ajrin e vendlindjes mushkëritë flatronin për te kodrat me gjelbrimin pishor në të gjitha stinët e vitit. Vrapoja pa u ndalur pothuajse asnjë çast, as dhe për të larguar bulëzat e djersës,e për çfarë?!


Për të kapur fillin e mendimeve drejt rrugëtimit shkollor. Të shihja dhe të prekja sa me sytë e mendjes, po aq dhe të shpirtit pak dashuri jete. Por muret e këtij "planeti" ishin aq të larta, sa vetëm nga qielli më mbetej të shihja herë nga kaltërsi, e herë mes shtëllungave të reve. Shihja pa u lodhur deri në pritje për të parë disa nga yjet që nxirrnin sytë si në mekje, mbasi dhe retë kur lëviznin, sikur tërhiqnin zvarrë copëzat qiellore. Pa u futur tek frymim i thellë më dilte para hëna. Buzëqeshje e saj mes reflektimit dritësues me shtonte dëshirën të jetoja mes ëndrrës dhe errësirës! Lodhja mbështillej me kurajon për të rrugëtuar mes përgjumjes, mes një nate që sado të zgjaste mëngjesi do vinte patjetër. Dielli priste aty.Herë mbi majë,e herë tek qafë mali. Ashtu kurajoz doja të ikja ndër hapësirat pa kufi. I vetëm veshur me kujtimet e purpërta që s'kishin ndalim.


Sytë e mi ngjasonin me ato të kohës mbështjellur me ndjesi shpirti. Por qenia ime vraponte pa u ndalur drejt një dritareje ku s'kishte rrjetë të tyltë. Kornizat i kishte me thurje arteriesh dhe ato sipas kohës ndryshonin ngjyrë e formë. Në dimër vinin të bardha si vetë flokët e dëborës. Në pranverë ngjanin me vijëzime gjelbëruese. Le më në verën e ngrohtë mbuluar nga kaltrim, treteshin mes rrjedhës së vazëllyer të valëve.


Nuk mbetej pas vjeshtë me kërcejtë verdhakë tretur në shpupurishjen e gjetheve që pushonin pranë njëra-tjetrës poshtë parvazit të saj, mbi tokën e heshtur. E ç'ishte kjo dritare do më pyeste secili? Kështu pyesja dhe veten time, deri sa një ditë, ndër më të kujtuarat mbas asaj të lindjes, lexova disa vargje që sharmin e kishin nga brenda. Nga ajo dritare pashë shpirtin tim. Aty mora të trokiturat e para të orës së jetës. Nga aty pashë se akrepët e saj s'ndaleshin asnjëherë. Mbase ishin me vetëkurdisje. E besova se kishte një puls që rrihte papushim. Ishte ai i poezisë. Vetëm shihja dhe asnjë çast nuk ngopesha. Mendova se duhej mënjanuar ajo perde të paktën sa të futeshin pak rreze dielli, sa të shkriheshin pak bulëza vese, aq sa të njomeshin rrënjët e një luleje që aromë e saj të ishte frymim shpirtëror! Pa lëvizur as majë gishti, nga brenda erdhi një vlagë ndjesie, një emocion sharmues, një melodi nga fije violine, fije shpirti. Nuk doja ta besoja, por qepallat e rëna mbi sy u hapën. U zgjova dhe mes thakëve qerpikues të ngjarë me vijëzime pentagrami pas një çelësi zemre në sapo rrotullim, u jetësuan shkronja që në gjitha gjuhët e botës dyshifroheshin POEZI. 


Isha lexues dhe jo vetëm.

Mes dritës së yjeve dhe reflektimit hënor.

Prisja zgjimin dhe lindjen e diellit. "Mëngjeset fëmijërore mes tringëllimave shkollore. Mes buzëqeshjeve dhe ecejakeve të shkujdesura nëpër korridoret zhurmuese të jetës fëmijërore e rinore. Bankat e klasës ku fytyrat e moshatarëve përthyenin shikimet e ëmbla të mësueses sonë dhe më së shumti, po të pyesni pasionin tim, ajo kishte portretin e poeteshes!"


Mësuesja ime


Njohësja dhe orientuesja e intonacionit dhe melodisē poetike, prirjeve të mia adoleshente. Kaluan kohë që të futeshe në rrugëtimin e ndjesive po aq dhe kurajimit. Nga kjo dritare po shihja vetveten. Ishte zëri i saj, që më vizoi borduret, ku zinin vend vargjet dhe strofat e një krijimi, që te shkrim dore bashkoi lexues të vegjël dhe më të mëdhenj se unë, pse jo dhe përtej kohës sime. Ato poezi apo të ngjara si poezi, pritën aty deri tek zverdhje nga koha, hera-herës dhe harresa në "Këndi i pionierit". Ato recitoheshin dhe mes heshtjes nga cikrrimet e syve të shkollarëve të urtë dhe fjalëpakë.

Mbase prisnin vitet e shkollimit dhe rrugëtimit tim shkollor.

Nga nxënës me çantën krahaqafë, tashmë me atë ku rrinte zgjuar. Ditari i mësuesit, edukatorit.

Dhe pse larguar në kohë nga poezia ime e parë, mbeta shumë afër mes kujtimeve të ëmbla fëmijërore. Mes ndjesive të ngrohta dhe mallëngjyese të mësueses sime! Koha ecte me të dhe unë largohesha deri në shqyerje fletësh kalendari, ndryshim vitesh deri në dekadë. Por vendin tim, po e mbushte grup, klasë e shkollë.


Poezi pas poezie, fletë pas flete, deri në kopertinën me ngjyrime ëndrrash dhe realitetesh. Rrugëtim që gurë kilometrik i bëheshin vëllimet poetike. Mes nxënësve dhe më pas përmes vetvetes.

Nga vesë mëngjesi, tek puhizë mbrëmjeje deri sa, përballë më dilte përsëri dritare e jetës. Tashmë jo mes ëndrrës në zgjim, por asaj syhapur tek flatrimet e një dite qiellkaltër, me diell dhe cicërima gazmore,nga shpirtra të lirë, të ëmbël e plot dashuri, në korridore, klasa e tek bankë mbushur mes vijëzimesh adoleshente. Poezi me sharmim prej dashuri nëne,mësuesi e mësueseje.

Për mua një ndjesi, përvojë, pasion, e për të tjerët, lexim, mesazh frymëzim!

Fletët e këtyre krijimeve,dëshiroja t'i afroja e ndaja bashkë me përvojën në rrugëtimin tonë mësues- nxënës.


Pedanë ku do mbështesja gishtërinjtë me pëllëmbë dore. Shumë herë më ka rrëmbyer thënia e poetit, filozofit amerikan Robert Frost:"Poezia është kur emocioni ka gjetur mendimin dhe mendimi ka gjetur fjalët". 

Në çast lija pezull trupin dhe hyja tek ndjesi shpirti. Aty lexoja çfarë riprodhohej brenda meje. Arrita të besoja se: "Poezia ndikon tek një lëndim, një gërvishtje, një çarje, tek shpirt që amon rrjedhë, tek kohë në rënkim. Shkonte tek plagë, e aq më pak kur të gjithë, jemi banorë të këtij realiteti, kësaj lufte me të plagosur dhe heronj të heshtur". 

Përsëri gjysmë i ngritur, vazhdoja përjetim te ky frymim: "U binda se sa të ketë dhe një bukuri shpirti, sinqeriteti, dashurie, mallëngjimi, shprese e kurajimi, do të ketë dhe një varg, një poezi...!Po kuptoja se vetëm me të shkruar kujtohet dhe ndërtohet e ardhmja!"

U ngrita,frymova thellë në ajrin e viseve fëmijërore dhe vrapova pa u ndalur.

Me ajrin thithja dhe ndjesitë e moshës.

Sharm i saj poetik po shkrihej si vesë mëngjesi në natyrën e ngrohtë të moshatarëve të kohës. Diell i sapolindur më rrezatonte mbi fytyrë duke më dhënë një shkëlqim deri thellë në ëndrrat, që sapo kishin filluar të zgjoheshin. Këto rreze vinin nga mësuesi i fillores dhe më pas mësuesja e Gjuhës shqipe dhe leximit letrar. Kohë kur vargëzimet poetike më ledhatonin nga"Këndi i pionierit".

Motivim me shembullin e të shkruarit krijues.

Po ndihesha poet brenda vetes sime.

Te dritare shpirti "dikush" po shikonte poetin e vogël, mbase dhe krijuesin e ardhshëm.

Të faleminderit mësues dhe mësuesja ime e poezisë së parë!

Me rritjen time dija se rrugës të duhen jo rrugëtar, por bashkudhëtar.

Ndaj dhe për mua ishte i domosdoshëm dhe po aq i vlerësueshëm, bashkudhëtimi në krijimtari me nxënësit e mi!


Po kuptoja se poeti është ëndërrimtar, mbase dhe jashtë kohës dhe moshës që sapo kalon. Aq më shumë kur të paraprin fantazia, shpirti merr flatra ndër hapësira pa kufij gjeografik dhe social, gjinor dhe gjuhësor.

Përvojë të rrëmben dhe meditim. Ndjesi vishet me parzmore sinqeriteti e ndërthurur me guxim dhe frymëzim plot optimizëm përmes lëndinave të gjelbra e valëve kaltëroshe.

Përpiqesh t'i përzgjedhësh dhe fjalët. I vesh me mantelin e figuracionit letrar, mes tyre princeshën -Metaforë.

Fjalë që të ngjarë me gurë të peshuar nga zemër ndjesore, ngrenë mure tek kështjellë poetike. Aty rri ngrohtë dhe emocion,mesazh për lexues, bij të librarisë dritëdhënëse në shkëputjen nga errësirë drejt dritës njerëzore.

Brenda kësaj kështjelle ushqehet shpirti i lexuesit,shkollarit të apasionuar dhe frymëzimi i krijuesit të ardhshëm.

Mesazh mes tjerash dhe për brezat në vazhdimësi po aq besueshmëri, se para tyre jetuam edhe ne. Bindje se dhe ne si mësues kishim mësuesit tanë. Të gjithë kemi një lider, lexues të përbashkët. Vargut të ndërtuar mjeshtërisht përpos ndjesisë shpirtërore i duhej dhe "strehëz"me rimë, metrikë, theks, intonacion, lexim, interpretim, koment atmosferë muzikaliteti...

Poezia plot pasuri shpirti patjetër që meriton të shumëfishohet në emocion, frymëzim.

E kush nuk u frymëzua nga vargjet e Naimit, Poradecit, Mjedës, Fishtës, Migjenit,Nolit, Agollit, Kadaresë e ...?!


Afrohen para nesh vargje nga poetë që ndanë sharmin e shpirtit të tyre me rrjedhat e kohërave. Nga këto poetë ushqehet frymëzimi dhe përkushtimi ynë Ndaj duhej ngulmuar për të gjetur dhe poetët brenda botës fëmijërore, ku kemi ndërtuar dritaret shkollore.

Te këta fëmijë-nxënës duhet zbuluar, orientuar dhe kurajuar më shumë se ç'morëm ne në shkollimin tonë. Koha ka ecur, me akrepat e saj kanë rrugëtuar pafundësisht krijues dhe krijime. Përjetimet individuale të kujtdo e aq më tepër të penave të njohura poetika të cilat mesazhojnë frymëzim dhe kurajo kolektive.

Duke jetuar mes tri kohëve do të kuptojmë se ç'pasuri i kemi falur sharmit poetik. Sa jetë i kemi falur shpirtit! Po aq kënaqësi tek mbushje njerëzore mes faktorit kohë,përvojë! Duhet ushqyer bindja se me shpirtin e misionarit vizionar për të riprodhuar më të bukurën, më të ëmblën,më të vërtetën vend parësor ka dhe shpirti poetik.

Të përpiqemi të jemi,më pas të bëhemi një libër i hapur,i lexuar për lexuesit,për nxënësit tanë.

Përdorimi i gjuhës; Mes një komunikimi të socializuar mes vetes dhe ëndrrave të së ardhmes.

Gjuhë poetike mes figuracionit letrar, imazheve piktoreske, meditim mes syve të ndjesisë, gjuhë të përbashkët tek mëngjes mes rrezatimit dhe rrjedhë tek lumë i jetës që vezullon deri tek qiell kaltërosh me shpresë drejt ardhmërisë.


Së bashku të udhëtojmë mes pasionit drejt një misioni të edukimit me lumturimin e shpirtit, fillimisht tek vetja dhe në vijimësi tek nxënësit tanë. Isha me fat që arrita të jetoja dhe të bashkoja çdo frymëmarrje timen me breza shkollarësh. Mes fëmijësh bij të diturisë. Me frymëzimin e thënies së poetit gjerman George Fridreh se: "Ku ka fëmijë ekziston një epokë e re". Shpresoj se isha bashkërendës i kësaj epoke! Duke besuar se të munguarat e shpirtit mes brezave tanë, ia afrova dhe vargut poetik! Këto do të përpiqem dhe në të ardhmen t'i afroj përmes vizualitetit në mundësinë e një përmbledhjeje të afërt me një panair- miniekspozitë me revista,vëllime poetike, libra botuar ndër vite,ku brenda tyre gëlojnë ndjesi brezash shkollorë.

Afrova pak sharm nga rrugëtimi im fëmijëror, rinor, si mësimdhënës. Nëse krijova poezi ato nuk më dhanë vetëm autorësi, por dhe një shok, një mik, një vend tek librari e imja, e nxënësve, shkollës apo kujtdo që mundësoi një hapësirë për vëllimet tona, aq më shumë tek tempull i dijes njerëzore!


Krijuam poezi, vëllime poetike me pasionin për të endur me shpirtin aty ku jeton sa shpresa dhe besimi. Jetuam mes vetes, mes frymimit njerëzor me mirësinë dhe dëshirën që sharmimi poetik i të sotmes nga "Dritare shpirti-dritare poezie" tek fasadë e së ardhmes, të rrezatojë pakëz dritë te kujtesë e brezave!


 

Nga Myrto Hysaj, mësues Gjuhë shqipe - Letërsi 


©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

2,903 Lexime
2 vjet më parë