Shkodër

“Nata e legjendave shqiptare”

“Nata e legjendave shqiptare” ishte aktiviteti që u organizua në Shkodër nga “Eko Mendje” me mbështetjen e Shtëpisë Botuese Albas.

“Nata e legjendave shqiptare” ishte aktiviteti që u organizua në Shkodër nga "Eko Mendje" me mbështetjen e Shtëpisë Botuese Albas. Nuk mund të mungonin në këtë natë magjike librat: “Legjenda dhe vende” dhe “Lekë Dukagjini, kështjella e ligjeve”. 

Të pranishëm në aktivitet ishin dashamirës të historisë dhe kulturës të cilët diskutuan për legjendat, trashëgiminë dhe etimologjinë.

"Legjenda dhe vende shqiptare"

Fantastikja e legjendave që vjen përmes ilustrimeve origjinale ndërthuret me historinë e lashtë të disa vendeve shqiptare, si dhe me pamjen që kanë këto vende sot. Nëpërmjet një guide të ngjashme me guidat turistike, personazhi i librit, fotografi, ka sjellë pamje të mrekullueshme që lidhen me natyrën dhe vendet plot trashëgimi kulturore. Autorët i kanë sjellë legjendat nëpërmjet rrëfimit të moderuar dhe të përshtatshëm për moshën e fëmijëve. Ky libër synon të nxitë te fëmijët ndjenjën estetike ndaj së bukurës si edhe dashurinë për të shkuarën dhe për të tashmen e vendlindjes së tyre. 

“Legjenda shqiptare”

Kjo seri, veç librit “Legjenda dhe vende shqiptare”, plotësohet me një tjetër botim me legjenda për heronjtë dhe heroinat dhe virtytet e tyre të mrekullueshme. Por, ndërsa në librin e parë ndërthurej historia e lashtë e disa vendeve shqiptare, me pamjen që kanë sot këto vende, në këtë botim legjendat, si ato të ringjalljes, të mbajtjes së fjalës së dhënë, të flijimit rrëfejnë ngjarje historike, zakone, norma që lidhen me kulturën autoktone shqiptare. Kjo kulturë përcillet përmes tyre, dhe, ashtu siç ngrihet gur pas guri një kështjellë, po ashtu fjalë pas fjale plotësohet mozaiku i historisë së lashtë të popullit tonë. Të shoqëruara me ilustrime origjinale, ato nxjerrin më në pah thelbin e tyre fantastik.

Lekë Dukagjini (Kështjella e Ligjeve)

“Lekë Dukagjini (Kështjella e Ligjeve)” është një tregim i ilustruar për fëmijë. Në këtë tregim, fëmijët do të lexojnë se si princa të ndryshëm, të huaj e vendës, vijnë të kërkojnë dorën e motrës së Lekë Dukagjinit për nuse. Tre prej tyre nisen të luftojnë me Lekën dhe përfundojnë si mëtues në Kështjellën e Ligjeve, ku Maria, motra e Lekës, i sheh një e nga një mëtuesit e saj. Në fund, ajo zgjedh njërin prej tyre, nga një familje shumë e njohur arbërore. Rrëfimi origjinal në këtë libër është shumë tërheqës dhe ndërthur historinë me legjendat dhe trillimin artistik.

Legjendat tona nuk mbarojnë asnjëherë prandaj dhe “Eko Mendje” do të organizojë takime të tjera kushtuar legjendave shqiptare.

(Portali Shkollor)

818 Lexime
2 vjet më parë