Në 15-vjetorin e Albas-it dhe 5-vjetorin e Deaprint-it

“Na ishte njëherë vetëm një njeri... sot është Albas-grup”, kështu e filloi fjalën e tij Presidenti i Albas-grupit, në festimin 15-vjetorit të themelimit të Shtëpisë Botuese Albas dhe 5-vjetorit të krijimit të shtypshkronjës Deaprint

“Na ishte njëherë vetëm një njeri... sot është Albas-grup”, kështu e filloi fjalën e tij Presidenti i Albas-grupit, në festimin 15-vjetorit të themelimit të Shtëpisë Botuese Albas dhe 5-vjetorit të krijimit të shtypshkronjës Deaprint. Në mbasditen festive në Tetovë merrte pjesë i gjithë stafi i Albas-grupit: redaksia e Albas-it, punonjësit e Deaprintit, të Albas Office-it dhe të Portalit Shkollor. Ata festuan vitet e suksesit të Albas-grup dhe premtuan suksese edhe në të ardhmen.

Suksesi i 15 viteve është rezultat i punës në grup dhe i një drejtimi dinjitoz i të gjitha “degëve” të Albasit. Presidenti i kompanisë Albas-Grup z. Latif Ajrullai dhe drejtoresha e botimeve, znj. Rita Petro kanë krijuar një ambient të ngrohtë pune dhe stafi vjen me dëshirë në punë dhe aty ku punohet me dashuri gjithmonë ka rezultate pozitive.

Duke respektuar parimin se edukimi është vlera e pakrahasueshme e çdo shoqërie, ALBAS-i synon dhe planifikon që të jetë botuesi udhëheqës për cilësinë e materialeve arsimore në arsimin shqiptar, kjo edhe përmes zbatimit të teknologjisë moderne, siç janë përgatitja e librave digjitalë për shkollat shqipe. Dhe ky synim e ka burimin te njohja e aftësive të të gjithë punonjësve dhe vlerësimi i tyre për punën që bëjnë, gjë që e tregoi edhe në këtë ditë presidenti i kompanisë së sa i rëndësishëm është secili punonjës dhe puna që bën ai.

“Na ishte njëherë vetëm një njeri, një person. Kishte ide, projekte ama ishte një person. Më pas, ky njeri takoi Ritën (Rita Petro, drejtoreshë e botimeve) dhe u bënë dy persona. Të dy filluan të punonin dhe të shkruanin libra. Por duhej që këta libra të bëheshin të botueshëm, e për këtë u duhej kopertinë, dizajnim. Kështu ftuam Evën (Eva Kukaleshi, përgjegjëse e sektorit të dizajnit) që të bashkohej me ne. Puna sa vinte e shtohej, ne donim t’i bënim librat pa gabime, ftuam Tashën (Natasha Pepivani, përgjegjëse e redaksisë) të bashkohej me ne e të rregullonte gabimet. Lindi një tjetër problem, librat duheshin shitur, kështu ftuam Artinin (Artin Çili, menaxher shitje) dhe Dritonin (Driton Ajrullai, drejtor për degët në Maqedoni dhe Kosovë) të bashkohen me ne. Pastaj kuptuam që diçka me shifrat nuk shkonte, diku po gabonim, ftuam Adelinën (Adelina Paskali, financierja e Albasit) që të zgjidhte këto probleme.

Pasi i zgjidhëm të gjitha këto, pamë që në magazinë ishte bërë një rrëmujë e madhe dhe duhej rregull, ftuam Lidën (Elida Topollaj, magaziniere) që magazina të ndërronte pamje. Puna rritej dhe kërkesat gjithashtu. Librat duheshin shtypur, vendosëm të themelojmë një shtypshkronjë. Krijuam “Deaprintin”, por na duhej një njeri që ta drejtonte që të kishim sukses. E kush mund ta bënte këtë më mirë se Marjana (Marjana Mero, financiere e Deaprint).

Albasi po zgjerohej, shumë kërkesa, punë dhe kështu vendosëm të krijonim një degë të re dhe krijuam Albas Office. Por na duhej një njeri që ta drejtonte, ftuam Arbenin (Arben Xhelili, drejtor i Albas Office) dhe të gjithë ju që tani jeni pjesë e Albas Office-it.

Vitet e fundit e pamë që teknologjia po zhvillohet me hapa të shpejtë dhe për të ecur me hapin e kohës ne, të gjithë së bashku, sollëm librin e digjitalizuar. Për të realizuar këtë ne ftuam Aleksin (Aleksandar Blaževski, përgjegjës i departamentit të digjitalizimit), Albin (Albin Dudija, web developer), Albinën (Albinë Nipolli, kryeredaktore e Portalit Shkollor)”, tha Latif Ajrullai.

Ne besojmë që me punën dhe përkushtimin e përbashkët, me profesionalizëm dhe saktësi do të kontribuojmë për të gjetur alternativa e zgjidhje të reja për arsimimin dhe edukimin e gjeneratave të ardhshme, për përparimin e arsimit shqiptar dhe shoqërisë në përgjithësi.

Albas-grup është gjithmonë pranë jush!

3,582 Lexime
8 vjet më parë