Reflektime

“Ninullat e zemrës", një libër për ju dhe dy reflektime në shërbim të mësimit të gjuhës shqipe

Reflektim për librin “Ninullat e zemrës“, me objekt e përkushtim tërësisht fëmijëve, të cilët me zell mësojnë gjuhën amë shqipe. Ai është një përmbledhje me poezi për fëmijët, e të gjitha moshave dhe niveleve, që mësojnë gjuhën shqipe në diasporë dhe jo vetëm.

Znj.Anila Kadija, ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, dega gjuhë - letërsi, e specializuar në gazetari. Po ashtu është diplomuar në shërbimet sociale dhe kordinimin e tyre në Itali. Ka dhënë kontributin e saj prej vitit 2009 në Parma, Itali dhe vazhdon pa shkëputje në Londër, MB si mësuese e gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë. Ajo është pjesë e regjistrit shtetëror i miratuar nga Këshilli i Ministrave në shkurt 2019. Në mars 2020 u publikua, botim i ALBAS, libri i saj “ Ninulla e zemrës". Ai është një përmbledhje me poezi për fëmijët, e të gjitha moshave dhe niveleve, që mësojnë gjuhën shqipe në diasporë dhe jo vetëm.


Reflektim për librin “Ninullat e zemrës “, me objekt e përkushtim tërësisht fëmijëve, të cilët me zell mësojnë gjuhën amë shqipe. 

Nga znj. Nexhi Hasani, shkrimtare me banim në Mbretërinë e Bashkuar.


*

Në një shoqëri të balancuar mirë, strukturat kulturore dhe strukturat sociale gjithnjë “intrigohen”. E rëndësishme është që njeriu, i cili është i interesuar për rritjen e kulturës profesionale dhe kërkon hyrjen në radhët e suksesit, duhet të luftojë për të arritur në produktin e ideve te reja. 


Libri i ri dhe i parë dhe sprovë i Anila Kadijës, më tundoi ta shfletoja dhe ta lexoj shpejt. Më intrigoi, së tepërmi, titulli i bukur “përkëdhelës” e rritës: “Ninullat e zemrës “. Anila, si mësuese me përvojë e gjuhës shqipe, shfaq në këtë libër me krenari cilësi të duhura e të nevojshme për edukimin dhe kultivon me fanatizëm kulturën për ruajtjen e gjuhës. Ajo këmbëngul se gjuha jonë e bukur, duhet të trashëgohet në breza e të mbahet gjallë në të gjitha format e mënyrat, madje, duhet të gjenden ato më efikset. Ajo ka zgjedhur që, nëpërmjet vargut poetik, të përcjellë te fëmijët këngën, melodinë, kushtrimin, dashurinë, ku fjala jonë e bukur e figuruar shqipe kumbon kaq bukur në poezitë e këtij libri. Anila është një krijuese me ndjesi atdhetare, ashtu si shumë krijuesë, shkrimtarë, poetë, pedagogë, psikologë të tjerë, të cilët i përkushtojnë studimet e tyre për letërsinë dhe gjuhën shqipe, në ruajtje të identitetit. E kam theksuar dhe me parë, sikundër në studimin e realizuar për librin Prof. Bexhet Asani.


Kudo në botë ne, me forma dhe metoda ligjore, duke u nisur edhe nga nxitja demokratike e të drejtave dhe detyrave të qytetarëve që u jepen njerëzve të kombësive të tjera në një shtet me demokraci të zhvilluar, është e përgjegjshme të vazhdojmë të ruajmë me fanatizëm gjuhën, traditat, zakonet, doket tona se, vetëm në këtë mënyrë e me këtë format, duke trashëguar brez pas brezi gjuhën tonë, mbahet gjallë ajo, në të kundërt ndodh procesi i shuarjes, apo i asimilimit të saj nga gjuhët e tjera. Një shtet pa gjuhën e tij, është në kuptimin figurativ, si një “peshk“ i lënë pa ujë, por ne kemi dëshmuar gjatë shekujve se kemi ditur ta mbrojmë gjuhën tonë me përpjekje dhe luftë të përgjakshme. Por, sidoqoftë, edhe në këtë kohë të moderuar ekziston me forma të quajtura të “ëmbla” e me programe ”kundërshtuese”, në të tilla raste, mund të asfikohet dhe humb emrin në hartën gjeografike. Te libri i Anila Kadijës, impakti i parë që të lë përshtypje, është kultura, thjeshtësia, finesa e saj e përcjelljes dhe prezantimi i saj në të gjithë veprimtarinë e saj teoriko- praktike, në ushtrimin e profesionit të saj, të cilin e dashuron, si mësuese, ashtu dhe në jetën sociale, në familje, por këtë e shpalos, katërcipërisht, edhe në botimin e saj të parë.


Në librin e saj, ajo ka mundur që me gjuhën e saj të pasur të sjellë refleksione me përmbajtje të thjeshta, të kuptueshme, por dhe të pasura me figuracione letrare të bukura, të cilat përvetësohen me shumë dëshirë nga bota fëminore; pra kanë karakter të përvetësueshëm, në mënyrën konceptuale të kuptimit te fëmijët, të cilët kanë etje për dije, dituri. Këtë fushë Anila e njeh mirë, ndaj është realizatore. Gjuha e përdorur është gjuha e duhur, ku fëmijët “dashurohen” me poezinë. Natyrisht, ky format është për t’u përshëndetur, respektuar e për t’u admiruar. Kjo vjen nga shkalla racionale njohjes së profesionit nga Anila mësuese dhe studiuese e sferës pedagogjiko- psikologjike. Një patriotizëm modern i autores, një nga simbolet “kryeneçe” të pavdeksisë shqiptare.


Le ta ilustrojmë me shembuj përkatës këtë përfundim tonin. Ja, si shprehet autorja që në poezinë e parë të librit, në poezinë e titulluar “Atdheu“:


 “Atdhe,

 të kërkoj me sytë e mi të të gjej dhe këtu, ku jam, 

dhe, kur të shoh, kjo zemra ime e vogël bëhet Mal!

 Atdhe,

 unë sot të falem në flamur,

 në dejet e mia, gjakun ta kam borxh”.


 Shkëputa disa rreshta nga kjo poezi, në mënyrë që të intrigoj lexuesin, jo vetëm fëmijët, por edhe të tjerët, që t’i drejtohen këtij libri, për të krijuar bindjen e thellë se “ushqime” mendore të tilla janë shumë të nevojshme dhe kapërcejnë dhe moshat, pasi moshat duhet të kujdesen në proces për njëra - tjetrën. Në këtë libër, është mendja dhe “dora” arkitekte e autores, por muza e ka bazën themeltare dhe shpërthimin te fëmijët e bukur shqiptarë dhe, veçanërisht, nxënësit shqiptarë që jetojnë në Londër dhe mësojnë gjuhën shqipe në shkollat shqipe, po në Londër.


 Atdhe,

 nuk mund ta lë shqiponjën time pa vargun tim,

 është nanë e babë,

 është me i madhi bekim! 


A mund të shprehet më bukur qëndrimi stoik krijues ndaj historisë dhe dashuria ndaj vendit, se sa në këtë rast, përmes poezisë për Atdheun? 


S’ka, sesi të këndohet më mirë me shpirt dhe me zemër “Himni i Flamurit”, nëse më parë nuk shkruhet e shpjegohet mirë dhe thellbësisht rruga historike e Kombit tonë nga mësuesit e zellshëm në diasporë. 


“Unë kuptimin nuk ia dija,

 as refrenin po ashtu,

 e mësova në shkollën shqipe,

 dhe e bëra këngën time”.

Kjo këngë e bukur dhe trime, 

tani zemrën ma gufon, 

e këndoj në klasë me shokë, 

me mësuesen, të gjithe tok.

 E këndoj, kur shkoj te gjyshja, 

ajo sytë i mbush me lot,

 kokën lehtë ma përkëdhel: 

“ Paç uratën!” më përgëzon.

(Himni i Flamurit)


Edhe unë, teksa lexoja këto vargje, plotësisht të kuptueshme, m’u mbushën sytë me lot, pasi kjo poezi përcjell dhimbje dhe emocione të mëdha, jo vetëm për fëmjët, ne, por edhe për gjyshet e gjyshërit tanë, të cilët nuk u ngopën e nuk u çmallën dot kurrë me nipërit e mbesat, që lindin e rriten në diasporë. Me duket sikur, ato gjyshe kërkojne mos humbjen e identitetit te brezat e ardhshëm. 


“Të mos u shkasë zemra kundër Shqipërisë, as kur do të vuani pa faj. Atdheu është atdhe, madje edhe atëherë, kur të vret. Këtu kanë lindur dhe këtu do të rrojnë me mish e me shpirt, qoftë dhe me dhimbje” (Mitrush Kuteli). Në Londër, tashmë, është bërë traditë të festohen festat e Nëntorit, ku bëhet një bashkëpunim i kujdeshëm midis auditoreve dhe nxënësve të shkollave shqipe. Vitin që vjen, unë pres dhe jam e sigurt se do të recitohen dhe aktrohen bukur poezitë e autores Anila Kadija, sidomos poezia “28 Nëntorit “, një poezi me nivel. 


“Një ditë nënës i thashë: 

“Tregomë për Marigonë, 

Vajzën e flamurit,

 Bijë e Vlorës sonë”. 

“Një vajzë e mirë, si ti ,

 Nëna, - m’u përgjigj ,- 

Shqipëria të tilla ka,

 Shqipëria të tilla kish”. 

“Tregomë, nënë pak, 

si djemte u ngjitën lart, 

Ballkonit të lirisë, 

pa pasur fare frikë?”


Për besën, për fjalën e dhënë, për traditën, për dashurinë, për trimërinë, virtyte këto që ngrejnë lart portretin e shqiptarit, i gjen të gjitha këto brenda këtij libri poetik. 

E stolis vargun si nuse nën duvak, por dhe dhimbja në poezi pikon si loti i saj. 

“Kosovë, nuse e përvuajtshme një klithmë nga shpirti të doli, diku në errësirë pritë të bënë,

 Të rrahën të munduan, por me baltën e tyre dot s’të ndoten, lotët gëlltite, pa u trembur”. 


Sa dridhëruese këto vargje të mbushura me metafora: 

 “Moj trime, Kosova ime martire,

 dimri s’të ngrin, se ti je pranverë “.

 Fëmijet tanë duhet ta njohin historinë. 


Le të këndojnë e të qajnë për të. Loti simbolizon pafajsinë. Nuk është turp të qash për vendin tënd. Le të rritet një brez i fortë e i mençur në diasporë dhe Atdhe, por dhe i ndjeshëm. Një shpirt pa ndjenje është si një tokë shterpë që nuk prodhon. 


Në librin e Anilës ka dhe nota lumturie e gëzueshme, si vetë gëzimi që shfaqin sytë e saj. Ajo i përkëdhel fëmijët me poezinë, ashtu si nëna përkëdhel dhe përgatit brumin në magje për të ushqyer fëmijët. Në këtë rast, i ushqen autorja me poezi. Fëmijët e presin me gëzim. I këndon ninulla, i këndon me cicërim zogjsh, i këndon me dritë. 


“ Me zgjoi një zog “

 Nuk më hapen syçkat,

 e shtuna është pushim, 

përtesa të dalë jashtë,

 frenon vullnetin tim.

 Një zog i vogël gushëkuq,

 me sqep mbi xhan çukit: 

“Ngrihu e bëhu gati,

 e shtuna të pret ty”.


 Çdo poezi ka magji brenda: 

“ E bekuar ujëvarë shkronjash, gjuhë ilirësh e arbëreshe, tingull që vjen nga larg, ninull nën dritën e hënës“.


*


Le te shndërrohet ky libër një dritëndriçuese për gjithë fëmijët tanë, për brezat e ardhshëm. Mendoj se, çdokush duhet ta ketë këtë libër në dhomën e fëmijeë së tij,madje dhe shkollat , ku mësohet gjuha shqipe ta kenë në fundin e tyre.

Le të jetë një diell i vogël mëngjezi i poezisë shqipe, poezia e bukur e mësuese Anilës. 


Shumë ngjyra dhe shkronja,

 ka ky libër, kaq i dashur. 

 Unë aty njoha fjalët 

dhe lexova, pa u ndalur . 

Do ta ruaj në jetën time, 

si kujtim ta kem përherë, 

këtë libër kaq të çmuar, 

ma dhuroi mësuesja ime.


Me këto vargje nga libri, po e mbyll këtë refleksion të shkurtër, duke i uruar Anilës: “Udhëtim të mbarë në rrugën e vështirë të krijimtarisë!”


Nga znj.Klodiana Gjona, mësuese e gjuhës shqipe


NINULLA e ZEMRËS hyri në shtëpinë time me hapa të lehtë si flladi pranveror.


Më ngriti zemrën pezull dhe më çoi larg ndër viset e mia, në shtepinë time mbushur plot ëndrra fëmijërie.


U bëra fëmijë, mora krahët e pulëbardhës dhe fluturova mbi atdhe, pashë viset madhështore, trimat që luftonin për liri, flamurin kuq e zi që valëvitej krahëlehtë ne ballkonin dinjitoz në Vlorën e lashtë….


Duke vazhduar udhëtimin tim për në veri, pashë Rozafën, lotin e nënës së mirë që kurrë nuk u tha, pashë duart e trimave që lidhën besën për te mos e shkelur kurrë, të tillë ishin burrat atëherë, vinin atdheun në krye…

Menjeherë, mbas bjeshkëve bujare, shtrihej Kosova martire që kurrë nuk i rreshtën trimat, aty përkrah luftonin edhe luaneshat Kosovare që asnjëherë nuk ju mposhtën armikut…..


Zbrita poshtë nga malet dhe pashë kodrat, fushat e gjelbëruara dhe lulet me aromë Shqipe, bukuri pa fund, kurorë për shpirtin tim.


Mbërrita në qytet ku rrugët gumëzhojnë zëra fëmijësh të kapur dorë për dore në lojën “Roza Rozina” lumturi në syçkat e tyre.


Pastaj pashë cepin e lagjes sime ku ulesha me ëndje dhe thurja kurorë lulesh për shoqen time, nuk kishte dallime, tregonim fustanet e qepura nga nënat tona duararta dhe mimozat ju dhuronim për festën e tyre, dashuri pa kushte, përqafime zemrash, ngrohtësi…


Pashë dhe mësuesen zemërmadhe me Abetaren në duar, e palodhur më përkëdhel flokët e shpuspurisura nga era e vjeshtës dhe shkronjat m'i mëson një nga një, më pas i lidhim në fjalë për të krijuar fjali dhe Gjuhën Shqipe e kam timen përjetë, thesar i paçmuar, dritë diturie, kulturë, lashtësi, vazhdimësi.


Në fund u ndala tek e shenjta familje, aromë bredhi...pemë e zbukuruar thjesht por bukur, ashtu siç janë krijuar keto poezi, natyrshëm, të lehta si petali i lules, të këndshme dhe plot jetë, fjalor i pastër por i larmishëm, plot detaje të cilat mlkesha ime i përdor pa kursim, nuk i kursen fjalët e ëmbla poetja jonë.


Qëllimi është i qartë me një dimension jo vetëm artistik por dhe didaktik……


Tek Ninulla e zemrës gjen çdo element që lexuesit i duhet per mësimin e gjuhës sonë të bukur, për ruajtjen e kulturës dhe traditave tona.


U ula pranë vatrës me gjyshin dhe i thashë “Gjysh të lutem më trego më shumë për vëndin tim..."



©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

278 Lexime
2 javë më parë