FILLIM TË MBARË!

Niseni ditën duke i folë vetes!

Çdo ditë e nisja me një kyçje të problemeve të mia. Nëse do të bëhesh mësuese mos mbart me vete para nxënësve hallet e tua familjare. Koha shpesh herë na theu në misionin tonë, sepse bota e tyre është një botë në kërkim e kuptim të vetes.

Ky është viti i 25 i punës time në arsim. Vetje e dashur. Ke gjysmë shekulli që e nise betejën tënde,  përkrah kishe pasionin, dëshirën për të nxënë nga kolegët e tu, ata bashkëudhëtarë që të dhanë në dorë, në fytyrë, në shpinë, në gjoks, në mendje mësimin më të vyer: mësuesia është mision  e që t'ia dalësh duhet të matesh mirë, asnjë vit si ngjet vitit e asnjë brez nuk të jep dy herë të njëjtën përvojë. 


Po mësuesi më i mirë për një mësues vetje ishte NXËNËSI. Kur e nisa vitin e parë isha përballë gjimnazistëve të shkollës së mbrëmjes. Në ata fytyra djemsh e vajzash të rritura që për një arsye a tjetër ishin të detyruar të ndiqnin arsimimin e tyre me kohë të pjesshme, shihja mes dëshirës dhe padëshirës për të mësuar, nevojën për të marrë një diplomë, herë me mendjen e nevojës për një punë e herë me mendjen se diç do bëhet më mirë nesër, kur ke një shkollë të mesme, po a lexohej? 


Nga bankat e universitetit shkova ditën e parë me idenë për të dhënë maksimumin, ajo ditë ishte ëndërruar shumë nga unë. Kolegët e mi të mirë Terezina Gjoni, Agustin Gjoni, mësues Marku, burra të thinjur e gra në moshë u gëzuan kur më panë. Cini në humorin e tij të hollë më tha: ruaje pasionin dhe pse këtu nuk do marrësh atë për të cilën ti e ke nisë këtë rrugë kënaqësinë. Ajo që do të gëzojë është fakti se ke një vend pune, dhe mbi të gjitha nuk e ke nisë në male si ne po midis qytetit. 


Po eca dhe ndava shumë përvoja pozitive atë vit. 8 vite të tjera do t'i shënoja në Malësi të Madhe në shkollën e mesme "Sherif Hoxha" atje mes prindërve arsimdashës e nxënësve plot respekt për figurën e mësuesit, aty mes kolegëve të natyrave të ndryshme krijova statusin tim, mes nxënësve si Driloni, Eneida, Eliona Gentjana e Klidi e shumë e shumë të tjerë që më pasuruan me më të madhen pasuri që veç ata dinë ta japin emrin mësuese. 


Vërtet thërrasin zyshë e mësues edhe atë që se meriton po dinë dhe të veçojnë e mbi të gjitha ta thonë përgjatë rrugës a përvojave që ndan me ta. I mërzit, të mërzisin, i gëzon të gëzojnë, sepse ti je mendja, zemra, ndjenja, virtyti, shpatulla me të cilën ata ndajnë vitet e tyre të mbushura me të papritura, po fundi, fundi është i bukur, plot fuqi e shpresë për misionin tënd. Në fund të shkollimit të tyre ti ke fituar mbi 150 nxënës që ia dolën bashkë me ty.


E vitet ecnin në Shkodër do vija në 2005 e që atëherë ndaj rrugën me nxënësit e Jordanit, ata të mirët në thelb, po të vështirë për shkak të përvojave të rritjes së tyre në kohë ndryshimesh të forta për familjen shqiptare. Ata janë nxënësit që dinë të të duan me sinqeritet, japin shumë nga vetja atëherë kur besojnë në ty. 15 vite mes tyre, mes shumë natyrash që nga viti në vit na thinjën nga pak, herë ia kemi dalë e herë kemi ngelë sepse nuk i bindëm sa duhet se arsimimi i tyre është rruga më e mirë. Koha shpesh herë na theu në misionin tonë, sepse bota e tyre është një botë në kërkim e kuptim të vetes.  



Çdo ditë e nisja me një kyçje të problemeve të mia. Nëse do të bëhesh mësuese mos mbart me vete para nxënësve hallet e tua familjare, problemet e tua individuale, aty në shkollë ti duhet të jesh vetëm për ata, për problemet e tyre, të kujdesesh mos t'i lendosh mbi të gjitha të dish tu japësh besim se  do ia dalin dhe kur të gabosh të dish tu kërkosh të falur, asnjëherë nuk do dalësh e humbur, përkundrazi kjo do të fisnikërojë. Vetje çdo ditë thuaja vetes këto. Nxënësi është mësuesi më i mirë i misionit tënd.

Fillim të mbarë!




(Ermira Ymeraj; Portali Shkollor)

3,480 Lexime
4 vjet më parë