Opinion

Pëllumb Karameta: Mësimdhënia tradicionale prodhon analfabetë funksionalë. Kuptojeni, ju lutem!

Çfarë mund të përmirësojmë? Fillimisht, do duhen tejkaluar mënyrat e të menduarit tradicional për edukimin. Çka do të jetë e vështirë, sepse këto ide kanë vepruar prej një kohe tmerrësisht të gjatë, duke strukturuar mendimin tonë aq shumë, saqë as vetë nuk jemi të vetëdijshëm për këtë.

Është emocionues prag-fillimi i vitit shkollor. Për të gjithë. Por këtu kam parasysh profesionistët e arsimit, të cilët, ma do mendja, dëshirojnë që urimet për mbarësi, t’i shoqërojnë me ndonjë këshillë të filtruar nga përvoja dhe kërkimet. Pasi, vitet që do të vijnë, nxitin të shkojmë përtej asaj që e konsiderojmë të mirëqenë - për të eksploruar atë që dimë (dhe atë që nuk e dimë akoma) për natyrën e ideve të reja; si ndodh të nxënit e tyre dhe si mund të informohen mësuesit / pedagogët nga prurje të tilla, për të siguruar nxënien më efektive.


Vërtet mësimdhënia prodhon analfabetë funksionalë? Ne nisemi nga ideja se pa shpjeguar këtë, vështirë se mund ta shndërrojmë “mësimdhënien” në “nxënie”. Fillimisht, më duhet të shpjegoj domethënien e termave, si i kuptoj vetë.


Historikisht, “mësimdhënie”është quajtur puna e mësuesit për t’u transmetuar dijet nxënësve, përmes përsëritjeve dhe ushtrimeve. Të bindur se duke studiuar dijet më të mira, mendjet e nxënësve do të formatoheshin sipas po atyre linjave që janë formatuar mendjet e mëdha që i prodhuan këto dije. Sa më abstrakte dhe të pastra të ishin ato, aq më mirë do mund t’i zhvillonin dhe përmirësonin fuqitë e nxënësve për arsyetimin abstrakt, që ishte forma më e lartë e inteligjencës dhe gjëja më e nevojshme për udhëheqësit e shoqërisë. Historikisht, shkolla është orientuar nga ideja se ai që zotëron dijen, mund të operojë automatikisht me të, në nivele të sofistikuar. Një model i tillë arsimi, vërtet, prodhoi arritje cilësore me elitat, por solli dështime serioze në nivelin e arsimit masiv. Termin “mësimdhënie” mund ta gjeni, pa u lodhur aspak, në doktorata, kumtesa, doracakë, udhëzues, artikuj e deri tek aktet administrative. Ai është pjesë e rëndësishme e fjalorit profesional të pedagogëve, mësuesve dhe drejtuesve të institucioneve arsimore. Mund të thuhet që është term me jetëgjatësi shekullore.


“Analfabetizmi funksional” është term i kohëve të fundit. U formësua falë “Programit ndërkombëtar të vlerësimit të arritjeve” të nxënësve 15-vjeçarë (PISA). Edicionet e tij identifikuan në nivel global se një pjesë e madhe e nxënësve arrijnë ta lexojnë dhe riprodhojnë tekstin, por nuk e kuptojnë atë mjaftueshëm. Analfabeti i këtij lloji nuk deshifron dhe njeh kuptimin e fjalëve, gramatikën, strukturat tekstuale dhe gjuhësore më të gjera, veçoritë e njohuritë së botës etj.


Përse një masë e madhe e nxënësve, bëhen analfabetë funksionalë? Ndikojnë disa faktorë. U përkasin fushave të ndryshme, administrative dhe pedagogjike, por asnjë prej tyre nuk ka lidhje me nxënësit. Fillimisht, disa karakteristika të dijeve - që shndërrohen në përmbajtje lëndore - të cilën mësuesi tradicional e quan qëllim të punës së tij dhe përpiqet me shpirt t’ua mësojë nxënësve. Por pa kuptuar procesin e shndërrimit të dijeve në përmbajtje lëndore dhe karakteristikat tipike të këtyre të fundit.


Dijet disiplinore janë përfaqësime / produkte mendore (simbole) që shkencëtarët dhe kërkuesit i kanë ndërtuar për të njohur botën fizike dhe shoqërinë. Këto produkte publikohen, pasi është certifikuar vërtetësia e tyre nga komuniteti përkatës. Për botimin, përdoren simbolet dhe logjika gjuhësore, e cila dallon nga mënyra se si funksionon mendja e shkencëtarit (logjika e konceptimit, gjykimit / arsyetimit etj.). Çka publikohet, etiketohet dije shkencore e cila, e shkruar në libra, është simbol i simboleve.


Më tej, hartuesit e dokumentacionit shkollor, me teknika pedagogjike, e shndërrojnë dijen shkencore në përmbajtje lëndore (të fizikës, historisë etj.) dhe e kodifikojnë në programe dhe tekste shkollore. Përmbajtja e kodifikuar transmetohet nga mësuesi te nxënësit. Por, vini re: hartuesit po shndërrojnë dijen shkencore të publikuar në libra shkencorë – simbolin e simboleve – në përmbajtje lëndore (tekste/ simbole / grafikë / foto etj.). Shndërrimi, kur nuk kuptohet saktë nga mësuesit, shkëput marrëdhëniet “realitet” – “koncepte, ide, teori” – “tekste / simbole / grafikë” që shtjellohen në tekstet shkollorë.


Kësaj karakteristike të përmbajtjes i shtohen dhe tri të tjera të cilat, së bashku, rritin potencialin për analfabetizëm funksional.


1. Përmbajtja lëndore organizohet në një rend të rreptë hierarkik, sipas logjikës së disiplinës përkatëse. Të themi, në lëndën e fizikës, mësohen“rruga” dhe “shpejtësia”, “bashkëveprimi” dhe “forca”etj.,ku kuptimi i konceptit të dytë kushtëzohet nga njohja e të parit. Për hartuesit e programeve / teksteve shkollore, si njohës të dijeve disiplinore, ky organizim i përmbajtjeve është i lehtë. Por, nga ana tjetër, praktika shkollore ka treguar se renditja lineare frenon formimin e shumicës së nxënësve. Sepse, kur tema të ndryshme të vargut nuk kuptohen, kjo nuk i motivon të nxënë më tej dhe i lë në pozitën e vëzhguesit pasiv.


2. Përmbajtja lëndore shprehet me konvencione. Përmbajtja përfaqësohet në tekstet shkollore me simbole - fjalë, formula, grafikë, foto - ndaj e quajmë konvencionale. Ajo u transmetohet nxënësve nëpërmjet fjalëve të mësuesit dhe / ose nga tekstet shkollore. Mësimdhënia, në kuptimin tradicional, duke theksuar përvetësimin e përmbajtjeve të kodifikuara, thekson roli qendror të fjalës dhe veprimit të mësuesit, sepse vetëm ai mund ta kuptojë dhe shpjegojë dijen disiplinore. Kjo mësimdhënie nxit memorizimin / riprodhimin e fjalëve të mësuesit ose të tekstit shkollor, por vetëm nga një pjesë e nxënësve. Madje, disa prej tyre, nuk arrijnë të kuptojnë si duhet domethëniet që fjala / teksti përfaqëson. Përmbajtja lëndore si qëllim i mësimdhënies, sjell riprodhimin mekanik të simboleve të koncepteve / ideve etj., pa kuptuar lidhjet e ndërsjella. Situatë simetrike kjo me mësimin e një fjaletë një gjuhe të huaj, por pa ditur kuptimin e përkthyer të saj.


3. Përmbajtja lëndore shkëputet nga situatat konkrete. Të tilla janë përmbajtjet që nuk lidhen me nevojat praktike apo reale të nxënësve. Në përgjithësi, shumica e procesit të nxënies në shkollë është nxënie jashtë kontekstit. Kodifikimi dhe abstragimi (shkëputja / veçimi) i përmbajtës lëndore nga situata konkrete vështirëson, për një pjesë të madhe të nxënësve,kuptimin dhe përdorimin e ideve të shprehura simbolikisht.


Sakaq, do donim mirëkuptim për sa shtjelluam më sipër. Komentet theksojnë nevojën për të njohur më thellë karakteristikat e përmbajtjes mësimore. Njëherazi, kuptimin e ri të rolit të saj në edukim. Ne dimë se ajo që nxënë nxënësit ka rëndësi, sikundër janë të rëndësishme dhe disiplinat tradicionale. Por, arsyeja pse ato janë të rëndësishme sot, dallon nga arsyet e së shkuarës.


Përmbajtja lëndore, e konsideruar si qëllimi i mësimdhënies, mbështetet nga mendimi i djeshëm pedagogjik që theksonte rendin, lidhjen logjike, qëndrueshmërinë, thjeshtësinë, kontrollin, autonominë dhe universalitetin. Nuk mund të fajësojmë, sakaq,as shtjellimin mjeteve gjuhësore e letrare si shkak të analfabetizmit funksional, por paaftësinë tonë për të kuptuar ndryshimet radikale në fushat e njohjes, kurrikulare dhe të nxënies.


Çfarë mund të përmirësojmë? Fillimisht, do duhen tejkaluar mënyrat e të menduarit tradicional për edukimin. Çka do të jetë e vështirë, sepse këto ide kanë vepruar prej një kohe tmerrësisht të gjatë, duke strukturuar mendimin tonë aq shumë, saqë as vetë nuk jemi të vetëdijshëm për këtë. Këtu do duhet ta kërkojmë burimin e ndryshimit të dëshiruar dhe universiteti një nga objektet e kërkimit shkencor. Mësuesit dhe drejtuesit arsimorë duhen ndihmuar me përkushtim të njohin dhe kuptojnë zhvendosjet thelbësore që po ndodhin në fushën e arsimit: 


a) evoluimin nga bihejviorizmi drejt teorive të efikase të nxënies; 

b) kalimin nga pedagogjia tradicionale me theksin në përmbajtjet lëndore, te kurrikula e cilakrijon mundësi që nxënësit të ndërtojnë dhe përdorin kompetencat; 

c) kërkimin e kuptimit të nxënies, më shumë se mësimdhënien e përmbajtjeve të pakontekstualizuar.


Në të kundërtën, përpjekjet nga të interesuarit e përfshirë për ta ndryshuar mënyrën e të nxënit, do të vijojnë rezistencën. Nxënësit dhe studentët, stoikë në refuzimin e tyre për të menduar vetë, do t’i përmbahen me dëshpërim të drejtës për të mësuar, duke nxënë përmendësh. Një pjesë e madhe e mësuesve dhe pedagogëve, të pasigurt para materialeve të reja dhe sipas tyre "shumë të vështira" për t’u nxënë e përdorur, nuk do të kuptojnë se problemi qëndron te mos kuptimi i risive. Ata do vazhdojnë t’i drejtojnë energjitë dhe qëllimet e tyre të mira, duke e shtjelluar mësimin si t’u duket më e arsyeshme. Dhe rezultati do të vijojë të jetë gjithmonë i diskutueshëm, ndërsa analfabetët funksionalë gjithnjë të pranishëm./dritare.net


Nga Pëllumb Karameta


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

3,334 Lexime
2 javë më parë