Këshilla

Përgatitja e fëmijës për të shkuar në çerdhe dhe kopsht, disa mënyra praktike

Ky është një artikull i cili u vjen shumë në ndihmë atyre prindërve të cilët do të çojnë për herë të parë fëmijën e tyre ne çerdhe ose kopsht. Këshillat vijnë nga psikologia Emine Vardari.

Ka shumë mënyra për ta përgatitur fëmijën tuaj mbi botën e çerdhes e të kopshtit:

  • Vizitoni çerdhen/kopshtin së bashku me fëmijën tuaj, për t’i dhënë mundësinë të shohë klasat.
  • Vëzhgoni herë pas here, gjatë kohës së pushimit, mënyrën sesi fëmija ndërvepron me bashkëmoshatarët dhe edukatoren, kur është në çerdhe/kopsht.
  • Shpjegojini se çfarë ndodh gjatë ditës.
  • Lexoni së bashku libra mbi fillimin e çerdhes.
  • Flisni mbi ndonjë kushëri që ka pak kohë që ka filluar çerdhen dhe tregojini fëmijës se sa mirë ja kalon ai atje.
  • Flisni mbi faktin se interesat e fëmijës dhe gjërat që i pëlqejnë mund t’i shijojë në çerdhe – për shembull “Atje do të ketë rërë për të luajtur– ty do të të pëlqejë” ose “Atje do të ketë një kohë kur do të lexohen shumë histori” .
  • Flisni mbi aktivitetet e këndshme që do të bëjë në çerdhe e kopsht dhe që tashmë i bën edhe në shtëpi – për shembull, vizatimin, prerjen e ngjitjen dhe leximin e historive.

Përpara ditës së parë, ju mund të shikoni në çerdhe/kopsht dhe çështje të tilla si:

  • Cila është rutina e përditshme?
  • Sa kohë do të qëndrojë atje fëmija juaj?
  • A kërkohet që fëmija të dijë ta përdorë vetë tualetin?
  • A ka zakone të tjera që ju mund të filloni t’i krijoni më përpara, si për shembull pushimi pas dreke? Ka gjithashtu edhe disa mënyra të tjera më praktike për të ndihmuar fëmijën tuaj që të përshtatet sa më lehtë me çerdhen:
  • Tregojini mbi strukturën dhe zakonet e një dite – “Tani është koha jonë e drekës. Kur të jesh në çerdhe/kopsht, edhe ti do të kesh kohën e drekës”.
  • Bëni praktikë së bashku për të lidhur këpucët, ose për të mbërthyer kopsat, por mos u shqetësoni dhe mos bëni presion, nëse kjo rezulton e vështirë për të (edukatorja është aty, edhe për ta ndihmuar në këto aktivitete të përditshme). 

Praktikoni shprehi sociale, si për shembull mbajtja e radhës, ndjekja e udhëzimeve dhe bërja e zgjedhjeve.

  • Vizitoni miqtë tuaj që kanë fëmijë ose ftoni fëmijë të tjerë për të luajtur në shtëpi me fëmijën tuaj.
  • Mësojini punë të thjeshta që do të jenë të dobishme, si për shembull mbledhja e lodrave.
  • Ndihmojeni fëmijën të njohë emrin e tij – shumë fëmijë nuk janë akoma në gjendje të shkruajnë apo lexojnë emrin e tyre, por ata mund të bëhen të aftë për të njohur shkronjën e parë të emrit.
  • Kini parasysh se të gjitha këto aktivitete duhet të jenë argëtuese – është e rëndësishme që të mos ushtroni presion mbi fëmijën. Nëse vini re shenja ankthi tek ai, ndërsa jeni duke folur për çerdhen/kopshtin, ndaloni dhe jepini kohë të qetësohet.



Nga Emine Vardari, psikologe 

© Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,624 Lexime
4 muaj më parë