“Pa e vrarë mendjen”

Poroçani bashkëbisedim me nxënësit në shkollën "J. De Rada"

Autorja e librit “Pa e vrarë mendjen” Natasha Poroçani ishte e ftuar në shkollën “Jeronim De Rada” në kryeqytet për të biseduar për këtë libër me nxënësit e klasës së tretë dhe të katërt.

Pasi ka ndalur në bibliotekat e shkollave, pasi kanë qeshur e kanë luajtur me personazhet e librit “Pa e vrarë mendjen”,  fëmijët kanë patur rastin të kenë mes tyre autoren e këtij libri, zonjën Natasha Poroçani. 


Në klasën e III dhe të IV të  shkollës “De Rada” në Tiranë, mëngjesin e së mërkurës, klasa gumëzhinte. Zonja Poroçani, e befasuar nga pritja që fëmijët i kishin bërë librit të saj, u shkri mes fëmijëve, të cilët ishin ta paparashikueshëm në diskutimet dhe komentet e tyre. 

-Unë mendoj, tha Ana sybukur, se një njeri që shkuan është gjithmonë edhe mësues, sepse në libra ne mësojmë shumë gjëra të ndryshme për jetën. 

-Në fillim, historitë dukej sikur ishin të trishtuara, por pastaj uaaaa, u shkrimë së qeshuri.  

Dhe mes të qeshurave e komenteve, fëmijët nisën të gjejnë personazhet e librave në jetët e tyre.

-Mua me dukej sikur ju teta, keni qenë me mua në shtëpinë time dhe po mendoja se mos e njihni mamin tim dhe ajo jua ka treguar gjërat e mia?     

-Është komplimenti më i bukur ky që më bëri sot Krisi, tha zonja Poroçani, sepse ky është edhe qëllimi i punës sime, fëmijët të gjejnë veten në rrëfenjat e mia. 

 Kaltra, Albi, Drilona, Jetmira, personazhet e librit, dukej sikur u bënë një me Bjornën, Broklin, Anën, dhe shumë fëmijë të tjerë të shkollës "De Rada". 

-A mund të më thoni, -pyeti një vogëlush buçko- ju e keni titulluar “Pa e vrarë mendjen”, sepse ju nuk e keni vrarë mendjen, apo se ne personazhet nuk e vrasin mendjen?

Mes kënaqësisë që i lexohej në fytyrë, autorja i shpjegoi aq bukur:

-Unë e kam vrarë aq shumë mendjen, sa kuptova që në të vërtetë ju fëmijët nuk e vrisni mendjen aq sa ne të rriturit...dhe ...oh sa mirë e bëni ....sepse lernani ne të rriturve ta vrasim mendjen, ju vetëm jini të lumtur. 

-Kur je përballë fëmijëve, kur i dëgjon, e kupton sa e madhe është bota e tyre. E kupton se me sa shumë dashuri e përkujdesje po rriten e po edukohen nga prindërit e mësuesit.  

Teta Natasha u premtoi fëmijëve se shumë shpejt do të dalë edhe libri tjetër për ta. 

-Me sa duket, tha ajo, ne të rriturit jemi shumë egoistë- shkruajmë shumë për veten dhe më pak për fëmijët. 

Zonja Poroçani u largua mes një klime aq të bukur e të ngrohtë me premtimin që shpejt do të vijë vëllimi tjetër me tregime.


Të shohim, do ta mbajë fjalën? 

(Portali Shkollor)

3,029 Lexime
6 vjet më parë