
“Presheva flet”, Panairi i parë i Librit në Preshevë, një kapitull i ri ku Albas-i është bashkorganizatore në 25-vjetorin e saj
Me moton "Presheva flet", më 21–22 qershor mbahet Panairi i Parë i Librit në Preshevë, organizuar nga biblioteka e qytetit "Mehmet Jusufi". Albas, e vetmja shtëpi botuese shqiptare që operon edhe në Preshevë që nga viti 2011, është bashkëorganizatore me rastin e festimeve të 25-vjetorit të saj.
Nga Nanila Allkja Biçaku
Me moton domethënëse “Presheva flet”, më 21 dhe 22 qershor, në Shtëpinë e Kulturës në Preshevë, do të mbahet Panairi i Parë i Librit në Preshevë, një ngjarje historike për jetën kulturore të Luginës dhe më gjerë. Ky edicion i parë vjen si dëshmi e gjallë e etjes për dije, gjuhë dhe identitet në një nga trevat më të përkushtuara për ruajtjen e kulturës shqiptare.

Panairi është organizuar nga Biblioteka e qytetit "Mehmet Jusufi" si dhe nga institucione të kulturës dhe arsimit të kësaj zone, në bashkëpunim me shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Në qendër të këtij bashkëpunimi është edhe Shtëpia Botuese Albas, e cila këtë vit jo vetëm që është bashkorganizatore e panairit, por feston një moment të veçantë në historinë e saj: 25-vjetorin e krijimit.
Albas, 25 vite me librin dhe për librin edhe në Preshevë
Pjesëmarrja e Albasit në këtë ngjarje nuk është thjesht simbolike. Përveç stendës së saj ekspozuese, ku do të paraqiten botimet më përfaqësuese në fusha të ndryshme, nga letërsia për fëmijë e të rritur, arsimi e deri te botimet edukative. Albas do të organizojë edhe një aktivitet të veçantë promovues, më 22 qershor në ora 12:30, në hollin e Shtëpisë së Kulturës. Gjatë këtij aktiviteti do të prezantohen autorë, projekte botuese dhe iniciativa që kanë lënë gjurmë gjatë rrugëtimit 25-vjeçar të kësaj shtëpie botuese. Aktiviteti do të moderohet nga Artemisa Bushi, redaktore e shumë titujve të ALBAS-it, por edhe si pjesë e stafit dhe identitetit kulturor të Albas-it.


Libraria Albas në Preshevë
Albas është e vetmja shtëpi botuese shqiptare e cila, që prej vitit 2011, operon jo vetëm në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, por edhe në Preshevë, duke e kthyer praninë e saj kulturore në një urë të qëndrueshme midis trevave shqiptare.

Libraria Albas në Preshevë
Pjesëmarrja në këtë panair është një dëshmi tjetër e përkushtimit të saj për të qenë pranë lexuesve shqiptarë, kudo ku ata janë.
Një ngjarje e nivelit kombëtar
Ceremonia e hapjes do të zhvillohet më 21 qershor, ora 11:00, ku pritet të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve kulturore dhe arsimore nga Shqipëria, Kosova dhe Presheva. Mes tyre do të jenë: Alda Bardhyli, drejtore e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit në Shqipëri, Ambasadori i Shqipërisë në Serbi, përfaqësues të pushtetit vendor në Preshevë, si dhe personalitete të njohura të letrave shqipe.
Panairi do të shoqërohet me një kalendar të pasur aktivitetesh: promovime librash, tryeza të rrumbullakëta, lexime poetike, aktivitete për fëmijë dhe të rinj, ekspozita, si dhe diskutime mbi çështje jetike për komunitetin shqiptar në Luginë, rolin e librit në ruajtjen e identitetit, ndikimin e teknologjisë në zakonet e leximit, si dhe sfidat e edukimit në kontekste dygjuhëshe e multikulturore.
Një faqe e re për kulturën në Preshevë

Panairi i parë i Librit në Preshevë është shumë më tepër se një ngjarje kulturore. Ai është një akt afirmimi identitar, një shprehje e fuqishme e vullnetit për të ruajtur dhe kultivuar gjuhën dhe kulturën shqiptare, sidomos përmes librit si mjet dije-dhënës dhe ndërlidhës brezash.
Albas, me përvojën e saj 25-vjeçare dhe me përkushtimin për cilësinë në botim, është krenare që bëhet pjesë e këtij kapitulli të ri për kulturën në Preshevë. Me këtë panair fillon jo vetëm një traditë e re kulturore, por edhe një rrugëtim i ri për të bashkuar më fort komunitetet shqiptare përmes fjalës së shkruar.
Shënim: Programin e plotë të panairit e gjeni më poshtë në PDF.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Albas në Panairin e Librit në Shkup: Tituj të rinj dhe zbritje speciale nga data 8 deri 14 maj
Albas fiton Çmimin për Vepër Kapitale në Prishtinë me kolanën e Petro Markos
“Libri që përktheva”, aktiviteti i Albas-it në Panairin e Librit të Prishtinës: Një udhëtim në shpirtin e fjalës shqipe