Panairi i 23-të i Librit

Primo Shllaku fiton çmimin e përkthyesit më të mirë nga frengjishtja për romanin "Katedralja Shën Maria e Parisit"

Çmimi i përkthimit nga letërsia franceze iu dha Primo Shllakut, për romanin "Katedralja Shën Maria e Parisit" me motivin: Përmes sfidës së ripërkthimit,na risjell në shqip një vepër madhështore e kanonike përmes një verbi elegant e të kërkuar dhe një regjistri të riaktualizuar për lexuesin e shekullit të ri.

Edicioni i 23-të i Panairit të Librit “Tirana 2020” ka ndarë online çmimet për librat dhe shkrimtarët më të mirë të vitit. Ambasada Franceze në Tiranë e vlerësoi si përkthimin më të mirë nga gjuha frënge, përkthimin e veprës “Katedralja Shën Mëria e Parisit”, nga Primo Shllaku me motivacionin: “Përmes sfidës së ripërkthimit na risjell në shqip një vepër madhështore e kanonike; përmes një verbi elegant e të kërkuar dhe një regjistri të riaktualizuar për lexuesin shekullit të ri.”


“Katedralja Shën Mëria e Parisit” është vepra e katërt që ALBASI sjell të ripërkthyera nga Primo Shllaku, pas titujve:  “Lulet e së Keqes”, “Xha Gorioi” dhe “Metamorfoza”.


Prej disa vitesh shtëpia botuese ALBAS ka hedhur në treg kolanën “Klasikë&Modernë”, e cila përfshin botime të titujve të munguar,  ose ripërkthime të veprave që tashmë i përkasin fondit të letërsisë klasike ose modernitetit, siç janë: “Lulet e së Keqes”, “Xha Gorioi”, “Një mal diamanti”, “Udha për te Fari”, “Metamorfoza” etj. 


Nevoja për t’i ripërkthyer disa nga këto vepra ka lindur natyrshëm, qoftë edhe vetëm prej faktit që gjuha është një organizëm i gjallë në ndryshim. Padyshim që në letërsisë shqipe në disa raste ripërkthimi ka qenë i kushtëzuar edhe prej faktorëve joletrarë. Pikërisht këtë nevojë provoi edhe vlerësimi i merituar i përkthimit të Primo Shllakut të kryeveprës së V. Hugo-së,  “Katedralja Shën Mëria e Parisit”. 

Kujtojmë që Panairi i Librit këtë vitë u mbajt online, për shkak të rrezikshmërisë së lartë në përhapjen e Covid-19 gjatë këij aktiviteti. Organizatorët vendosën që Panairi i Librit të mos mungojë këtë vit dhe të mbahet online, për shkak se është një ngjarje madhore, e cila nuk duhet t'i mungojë qytetit të Tiranës.




©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,510 Lexime
3 vjet më parë