Libër i ri

Profeti & meditime poetike

Më 1923 botohet Profeti, titull që vjen prej njërës nga muzat e tij 21 vjet pata botimit, bashkëngjitur me jehonën e vazhdueshme të profet-poetëve të Dhiatës së Vjetër....

Kahlih Gibran (1883-1931) artist, shkrimtar dhe poeti arab më i njohur në botë. Lindi në një familje maronite (komunitet i lashtë i krishterë në Lindjen e Mesme) në Liban gjatë sundimit të Perandorisë Osmane, bash në kohën kur atje u emërua mytesarif Vaso pashë Shkodrani (Pashko Vasa). Me të ëmën, vëllanë dhe motrat mërgoi më 1885 në Shtetet e Bashkuara. E ëma, Kamileh, ndikoi bindshëm në imagjinatën e tij, me përrallat e legjendat e Libanit dhe historitë nga Bibla. Pesëmbëdhjetë vjeç, me shumë sakrifica, e nisin për t`u shkolluar në Liban, në një shkollë maronite. Pasi kthehet në Boston përballet më i vetëdijshëm me realitetin e mërgimit dhe të nuhatjes nga ritmi i një jete tradicionale, ku koha ecën krahas natyrës.


Më 1908, mësuesja e pikturës dhe engjëllesha e tij, -siç e quante - Mary Haskell, e vëmendshme për etjen që kishte potenciali i të riut, i ofroi një udhëtim për në Paris. Në kryeqytetin francez, përveçse u kaplua prej artit të ngjeshur nga shekujt, takoi skulptorin Rodê (A. Rodin), që e prezantoi me veprat e Blejk (w. Blake), te të cilat ndjesitë e Gibranit gjetën përkim. Këndoi gjithashtu Kështu foli Zarathustra të Niçës, duke gjetur e duke bërë të vetat synimet e këtij autori për t`iu kundërvënë me një revoltë të esëllt mendësive të vjetra dhe gjykimeve morale, duke përforcuar kërkesën e tij të brendshme për autencitet artistik.


Me detajet e kësaj kohe kur qe student, është një skicë që ka bërë për Teatrin e Operës të Bejrutit me dy kubé të ndryshme, që simbolizojnë pajtimin e Krishtërimit me Islamin, një dëshirë e thellë e tij. Pas disa veprave në arabishte, ku nuk la pa radhitur përsiatjet e veta mbi mistikën ndërfetare, debuton me The Madman në anglishte më 1919. Vepër që e bindi kritikën e kohës dhe e krahasuan Gibranin me Rabindranat Tagorën, të botuar në këtë seri po ashtu.


Më 1923 botohet Profeti, titull që vjen prej njërës nga muzat e tij 21 vjet pata botimit, bashkëngjitur me jehonën e vazhdueshme të profet-poetëve të Dhiatës së Vjetër, me përkimet e përshpëritshme në traditën myslimane, të përforcuara nga njohja me veprën e Blejkut, në vetëdijen e tij. Vepra shtron urtitë e predikuara të profet-poetit me emrin Al-Mūstafa, simbol i bashkimit, që përfytyronte brenda vetes së Jezuit dhe Muhametit, një insan al-kamil (Njeriu i Përsosur) i traditës sufi. Për nga thjeshtësia dhe mundësitë e hapura që lë për t`iu avitur, "Profeti" u bë një ndër veprat më ndikuese dhe u përkthye në mbi 40 gjuhë.


Një nga përfaqësuesit më të bujshëm të letërsisë së mërgimit (Adab al-Mah`ğar) për letërsinë arabe, Gibrani është një nga ata autorë të ndikuar shumë nga vendlindja, duke i dhënë theks të gjithmoshmes aksiomë që fëminia është vendlindja e çdokujt, e në një kuptim më të gjerë është edhe vetëlindja. Vepra e tij përshfaq përpjekjet e tij për të paqtuar të kaluarën e të tashmen, për një të ardhme më të shëndetshme para se gërmadhat t`ia behin. Këtë paqtim e bën më një qasje të ngrohtë, që përçon ndjeshmërinë e tij, përtej ligjësive të dogmave, të cilën uroj t`ia kemi dalë që edhe lexuesi ta shijojë.


Blini online librin duke klikuar në www.librarialbas.al


(Portali Shkollor)

2,666 Lexime
6 vjet më parë