OPINION

Pse na quani "Mësues të thjeshtë"?

T'i thuash mësues i thjeshtë një individi që hap shkolla, një individi që mëson, që formon njerëz e profesionistë, një individi që mburrjen e vetme ka notën e mirë të nxënësit të tij, një individi që kolektivisht përbuzet dhe ende vazhdon të mësojë... është përveçse çmenduri edhe histori...

Vlerësimi i profesioneve dhe të mirat që jep një profesion në shoqëri kanë ndryshuar shumë vitet e fundit. 

Mirënjohja kolektive është kthyer drejt formalizmave zyrtare, aq sa sot lehtësisht i thuhet "Faleminderit " një biznesi që shet një produkt sesa një mjeshtri që të aftëson për një punë të caktuar.


Në shoqërinë e kohës, të gjithë duan të bëhen dikushi, por nuk vlerësojnë faktin që ky përfitim buron pikërisht nga shkolla, mësuesit.

Pozicioni i tij (i mësuesit) aktual është nën presionin e një vlerësimi të papërshtatshëm.

Në tryeza ekspertësh, njerëzish të lidhur drejtpërdrejtë ose jo me arsimin, mësuesin e quajnë "mësues i thjeshtë". Kjo jo për të treguar titullin e tij, por për të pasqyruar përbuzjen shoqërore që armata e vlerësuesve "mediokër e të paaftë" u ka përcaktuar mësuesve. 


Vlerësimi financiar nuk është e vetmja shuplakë që koha i ka dhënë mësuesit, por krahas tij shtohet dita - ditës përçmimi social dhe mosmirënjohja kolektive. "Ekselentët" e çdo fushe të shitur si autodidaktë, kanë harruar që analfabetizmi i tyre, padija sociale dhe shkencore u zhduk nga mësuesit. 


Pikërisht nga ata njerëz që jetën e tyre Individuale dhe profesionale nuk e kanë të ndarë. Pikërisht nga ata njerëz që ditën e punës e kanë 24 orëshe.


T'i thuash mësues i thjeshtë një individi që hap shkolla, një individi që mëson, që formon njerëz e profesionistë, një individi që mburrjen e vetme ka notën e mirë të nxënësit të tij, një individi që kolektivisht përbuzet dhe ende vazhdon të mësojë... është përveçse çmenduri edhe histori.

Kjo ndodh në histori shqiptare; aty ku ekselentët mbushin universitetet dhe nuk pranojnë që shkaku i suksesit të tyre është pikërisht mësuesi. Madje, po të bisedosh me mësues edhe ata vetë ndjehen në vështirësi kur vetëprezantohen si mësues. 


Kjo pasi një 7 Mars mediokër iu përbalti figurën nga njerëz që mirënjohjes i vënë çmim në çdo rast. Kjo pasi të paaftët i quajtën mësuesit të paaftë sepse nuk i kënaqën dëshirën për notë të lartë për fëmijën e tyre indiferent. 

Kjo pasi një shoqëri e tërë nga zoti mësues drejtoi gishtin nga mësuesi duke e quajtur atë një "copë mësues".


Përgjithësimi i këtij lloji nuk i shkakton dëm vetëm të dëmtuarve, por rrjedhimisht çdo nxënësi i cili merr të gatshëm vlerësimin për mësuesin nga një shoqëri e tërë ende pa e takuar atë. 

Në një situatë të tillë, teksa titujt u njihen atyre që "i blenë ato", duke qenë se koha, njerëzit nuk e njohin titullin mësues, i drejtohem fjalorit: Titull; Emërtim që i jepet një punonjësi shkencor a mësimor...Pra, në kohën e çudirave, prapësive, mosmirënjohjeve kolektive, vazhdojmë të punojmë si gjithmonë edhe pse jemi mësues të thjeshtë ose thjeshtë mësues. 


Mësimdhënia është më i madhi akt i optimizmit. Në këto kushte me optimizëm presim që vlerësimin për ne ta ndryshojnë pikërisht nxënësit tanë, ata që sot na thonë shkurt prof/zyshë.


Nga Alma Shiba Mara 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.  

4,080 Lexime
2 vjet më parë