Fituesit 2021

QKLL shpall tre fituesit e fondit për autorët e rinj, mes tyre edhe Dionis Prifti nga Albas

Dionis Prifti shpallet fitues i “Fondit për mbështetjen e krijimtarisë letrare për të rinj” nga QKLL me librin me tregime “Bar Sahara”, me motivacionin: “autor i një tufe tregimesh, në të cilat realiteti nuk pasqyrohet, por interpretohet mbi parime surrealiste, me anën e një stili poetik dhe mjaft vetjak”.

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit mbajti sot ceremoninë e shpalljes së fituesve të fondit mbështetës të krijimtarisë letrare për të rinj. 


E pranishme në këtë ceremoni ishte edhe Ministrja e Kulturës, Zonja Elva Margariti, e cila shprehu mbështetjen e saj për nismat në kuadër të mbështetjes së krijuesve të rinj, nisma këto të artikuluara dhe realizuara nga QKLL-ja që në krijimin e saj, e të cilat vazhdon t'i ketë në politikat e saj ndaj autorit shqiptar dhe librit shqip. 

Juria, e kryesuar nga dramaturgu Stefan Çapaliku dhe gazetarja Arta Marku, mes 16 kandidatëve, zgjodhi 3 fitues: 


• Në poezi: Nurie Emrullai, me librin poetik “Lëre dashurinë të vijë si të dojë”, si autore e një poezie me theks të fortë bashkëkohor, të përpunuar mbi parime të kthjellëta estetike, spontane në figuracion dhe e struktuar qartë në narracionin e vet. 


•Në prozë: Dionis Prifti, me librin me tregime “Bar Sahara”, si autor i një tufë tregimesh, në të cilat realiteti nuk pasqyrohet, por interpretohet mbi parime surrealiste, me anën e një stili poetik dhe mjaft vetjak.


•Në dramëLedian Gjeçi, me dramën “Pak pakt”, si autor i një vepre të mirërealizuar në të gjithë komponentët e saj: tematikë e mprehtë, ndërtim solid karakteresh, konflikt i thekshën dramatik.

Ja një fragment nga libri i Dionis Priftit, që do të botohet nga ALBAS:

“Kur isha në kutinë e madhe prej kartoni, ata që kalonin në cepin ku rrija, çuditeshin pse nuk bëja përpjekje të dilja. Por, në fakt, nga brenda kartoni kishte një kompensatë të trashë, që ishte e vështirë të çahej: e kisha provuar një herë ta godisja me këmbë dhe ma kishte vrarë gishtin e vogël aq keq, sa nuk guxova më. Ata më pyesnin se si mundja të shihja që aty. Unë u tregoja vrimat në anën e majtë, pak poshtë çatisë, ku duhet të ngrihesha në gishtat e këmbës për të parë. Vërtet që mund të shihja vetëm nga ana e majtë, pra nga fundi i rrugës, atje ku mbaronte sheshi, por ajo anë ishte njëkohësisht edhe Lindja, kështu që kisha përditë rrezet e para të ditës. Epo, jo përditë. Ka ditë me shi, e në ato ditë, përveç rrezeve që mungonin, kisha edhe cepin e hollë të çatisë së kutisë, nga ku pikonin pika uji me një zhurmë që përsëritej bezdisshëm.

Njerëzit kalonin aty e më pyesnin si isha - ka njerëz të mirë plot. Kishte dhe nga ata që s'më flisnin kurrë. Kishte nga ata që më flisnin për ca kohë. Afroheshin e më pyesnin pse s'dilja, a doja ndihmë, më këshillonin, thoshin se do të ktheheshin prapë. Dhe ktheheshin prapë. Më pyesnin prapë pse s'dilja. Unë ua shpjegoja prapë të gjitha arsyet e forta - kompensata nga brenda etj. Më jepnin këshilla prapë, po pak më të ftohtë. E gjithmonë e më të ftohtë e gjithmonë e më pak rrinin me mua. Derisa unë i shihja nga vrimat në të majtë të largoheshin nga sheshi e të ecnin nga ana tjetër e rrugës. Ca ish-këshillues të tjerë kalonin aty ngjitur, dhe pa më folur fare, më shihnin në sy a thua nuk kishim shkëmbyer kurrë një fjalë më parë. Njëri madje, dikur, një burrë i hollë, jo shumë i gjatë, me mustaqe të vogla, ndaloi e nënqeshi çuditshëm, s'kuptohej a ndjente gëzim a hidhërim që më shihte përsëri përmes vrimave. E më vuri aq në siklet ai shikim, sa u ula nga gishtat e këmbës e u shtriva pak në kuti të hiqja mendjen...”





©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.  

2,140 Lexime
2 vjet më parë