Edukimi special

Rëndësia e arsimit special për fëmijët me aftësi të kufizuara

Artikull mbi rëndësinë e arsimit special nga Rezarta Biçoku, drejtoreshë e shkollës speciale "Zëra Jete" dhe Elida Kërçyku psikologe klinike e kësaj shkolle.

Në një botë që ndryshon çdo ditë, me trende dhe teknologji të avancuar, ajo që ka vazhduar të jetë e njejtë, fatkeqsisht, është mënyra e të menduarit e njerëzve.


Shpesh, shoqëria i neglizhon fëmijët dhe specifikisht ata me aftësi të kufizuar. Për shkak të kësaj, shumicën e kohës ata marrin reagime negative në shoqërinë ku ata jetojnë, kësisoj këta fëmijë nuk janë në gjendje të zhvillojnë qëndrime pozitive ndaj botës së jashtme. Çdo fëmije ka të drejtë, që të ketë mundësi të barabarta dhe të njejta me të tjerët, për të marrë arsimin bazë. 


Edukimi special njihet për shkak të politikave dhe programeve të bazuara në arsim, të krijuara posaçërisht për fëmijët që janë të talentuar ose me aftësi të kufizuara, dhe që kanë çdo lloj aftësie mendore, fizike apo emocionale ndryshe. Ata kërkojnë një lloj të veçantë të qasjeve të mësimdhënies, të kujdesit ose të pajisjeve që duhet të përdoren si brenda, ashtu edhe jashtë klasës.


Klasat speciale të organizuara për këta fëmijë me aftësi të kufizuara janë një domosdoshmëri. Kjo i lejon nxënësit të shijojnë arsimimin dhe të fitojnë besim për shkak të të mësuarit individual. 


Për rritjen personale dhe zhvillimin e fëmijëve të veçantë, është e rëndësishme që të gjithë ata të marrin edukimin e duhur. 


Rastet e aftësisë së kufizuar përfshijnë aftësi të kufizuar mendore, fizike, zhvillimore ose emocionale. Ekzistojnë një numër i madh dëmtimesh që një nxënës mund të ketë si, Çrregullimi i Spektrit të Autik, Aftësi të Kufizuara, Vonesa në Zhvillim, dëmtime Traumatike të Trurit, Dëmtimet Ortopedike, Dëmtimi i Gjuhës dhe Komunikimit, Dëmtimi i Shikimit dhe Dëgjimit (përfshirë verbërinë) dhe shumë më tepër.


Klasat e arsimit special synojnë të sigurojnë arsimim pa lënë asnjë hendek në mes. Një mësues i mirë në arsimin special vë rëndësinë tek pavarsia e krerjes së veprimeve nga nxënësi me aftësi të kufizuar dhe vendosja e fokusit te aftësitë për t’u kujdesur për veten. 


Një fëmijë me aftësi të kufizuar mund ta pushtojë botën lehtë me punën dhe aftësitë e tij. Për këtë, atyre duhet t'u jepen mundësi të veçanta pa asnjë kusht. Zhvillimi i një sistemi më të gjerë arsimor lejon që mësuesit të kenë trajnim të specializuar, dhe me tej kthimi i shkollave speciale në qendra burimore është një mundësi e artë, që këta fëmijë të kenë një të ardhme.


Vizioni i shoqërisë sot është i orientuar drejt gjithëpërfshirjes. Çdo ditë flitet për edukim, shkollë, vënde pune gjithëpërfshirëse. Po me kaq forcë dëshirojmë politika, legjislacione dhe struktura gjithëpërfshirëse të cilat të lehtësojnë jetesën e këtyre individëve, duke aspiruar një mjedis gjithëpërfshirës me qëllim zhvillimin e një kulturë gjithëpërfshirëse.


Koncepti “shoqëri gjithëpërfshirëse”: është ky një lojë fjalësh apo përkundrazi, një lajmëtar i evolucionit të vlerave dhe praktikave tona? A reflekton ai një mënyrë tjetër për të konsideruar këtë shprehje të brishtësisë njerëzore, që është handikapi?


Shoqëria gjithpërfshirëse është mbrojtëse e të drejtave. Ajo mbron të drejtën e njeriut për të jetuar, por mbron edhe të drejtën e tij për të ekzistuar;

Të ekzistuarit: 

  • Marrëdhënia me veten, me të tjerët;
  • Nevoja për pranim;
  • Mundësia për të qenë anëtar i një grupi;
  • Përkatësia sociale;


Të jetosh pa ekzistuar, forma më e rëndë e përjashtimit 

Një shoqëri gjithëpërfshirëse mbron të drejtën e veçantisë së secilit, qenia njerëzore nuk është kopje e një modeli unik, norma e shoqërisë gjithëpërfshirëse është DIVERSITETI.

Shoqëria gjithëpërfshirëse e ndryshon funksionimin e saj. Ajo bëhet fleksibël për të ofruar në atë “të tërën” e përbashkët, një vend për secilin. Proçesi i kalimit të shkollave në gjithëpërfshirje të plotë është një proçes i cili nuk mund të arrihet brenda një kohe të shkurtër pasi kjo kërkon ndryshimin e vazhdueshëm:

  • të sistemit arsimor;
  • të shkollës;
  • të mësuesit;

Synimi i kalimit në shkollë gjithëpërfshirëse është që shkolla të jetë një vend ku çdo fëmijë apo nxënës të ketë mundësi të shpalosë vlerat individuale, të ndjehet i pranuar dhe i vlerësuar dhe të përfitojë maksimalisht nga proçesi mësimor.


Por realizimi në praktikë i gjithëpërfshirjes kërkon të merret parasysh roli i shumë faktorëve në efektivitetin e këtij proçesi, duke përfshirë;

  • Informimi, qëndrimi dhe besimi i aktorëve të ndryshëm (fëmijë, mësues, prindër);
  • Praktikat pedagogjike, infrastrukturat mbështetëse;
  • Mjedisi miqësor ( mbështetje, pranim);
  • Aksesi pa barriera në marrjen e njohurive;
  • Kurrikulat duhet të jenë fleksibel/ t’i përshtaten nevojave të AK; Ato duhet të synojnë gjithëpërfshirjen.
  • Të kuptuarit e kurrikulave kërkon rritjen e kapaciteteve të mësuesve për arsimin special përmes formimit (akademik dhe të vazhduar); formim që influencon në qëndrime pozitive në punën me AK;
  • Roli i prindërve si aleat, partner, rrit shanset që gjithëpërfshirja të ketë rezultat.


Mjedisi gjithëpërfshirës 

  • Për të patur shkolla gjithëpërfshirëse duhet të thyehen barrierat fizike ndaj shkollimit. Shkollat duhet të shndërrojnë normat e aksesueshmërisë, në një realitet të prekshëm në këto institucione;
  • Mjedisi social (Varfëria, pengesat financiare, paragjykimet, konfliktet);
  • Mjedisi psikologjik.


Mjedisi fizik, social dhe psikologjik i mësimdhënies dhe të nxënit është një ndër fushat kryesore për një edukim dhe arsimim të suksesshëm. Mungesat e theksuara në përshtatjen e mjediseve për nxënësit me aftësi të kufizuara, ndikojnë në thellimin e handikapit tone shoqëror për t’iu përmbushur nevojat bazë këtyre fëmijëve. Përshtatja e mjediseve fizike është domosdoshmëri për çdo shkollë që synon të ofrojë shërbime gjithëpërfshirëse. Vendosja e rampave, imazheve ilustruese si mjete ndihmëse, dhoma burimore, libra digjitalë …



Përgjegjësitë e praktikave të gjithëpërfshirjes


Për të bërë sa më efektive ambientet integruese dhe përfshirëse, është e nevojshme që të përshtasim dhe të trajnojmë skuadra multidisiplinare profesionistësh për të krijuar programe unike dhe të veçanta për nxënës të veçantë. Në mënyrë ideale i gjithë stafi duhet përfshihet në marrjen e vendimeve, mësimdhënie dhe vlerësimin e nevojave dhe progresit të nxënësve. 

Mësuesit e klasave për nxënës me vonesa në të nxënë, duhet të zotërojnë disa kompetenca:

• Ngritja e programeve për identifikimin dhe vlerësimin, instruktimin e nxënësit.

• Pjesëmarrja në proçesin e vlerësimit dhe vlerësimin e nxënësit, 

• Bashkëpunimi me mësuesit e klasave për të dizenjuar dhe implementuar instruksionet për nxënësit, 

• Përdorimi i vlerësimit tradicional dhe autentik,

• Pjesëmarrje në formulimin e PEI-ve,

• Implementimi i PEI nëpërmejt ndërhyrjes direkte dhe indirekte,

• Intervistimi dhe mbajtja e konferencave me prindërit, 

• Të ndihmojë nxënësit që të vetëkuptojnë dhe të shpresojnë e bashkëpunojnë për të kaluar sadopak problemin e tyre me të nxënin. 


Për të arrirë këto qëllime psikologu duhet të ketë njohuri shumë të mirë shkencore, dhe gjithashtu të ketë vlera njerëzore dhe në marrëdhënie me njerëzit.


Puna me prindërit dhe familjen:

Të kesh një fëmijë i cili ka mënyën e tij të veçantë të të qënit ndryshe nga fëmijët e tjerë, për prindërit dhe familjen e tij është mjaft e vështirë që t’a pranojnë dhe të marrin vendimet e duhura për t’iu përshtatur fëmijës dhe fëmija t’iu përshtatet atyre. Një fëmijë me vështirësi në të nxënë apo me probleme të tjera është një sfidë për prindërit, për rritjen e tij. Ajo çka ndodh fillimish kur te fëmija, identifikohet vështirësia e tij, është faza e pranimit të fëmijës nga ana e prindërve për faktin që ai është ndryshe. Familja është si orkestër e madhe, dhe nëse një anëtar i familjes funksionon ndryshe, preket i gjithë sistemi familjar. 

Kështu prindërit kalojnë nëpër disa stade të pranimit të problemit të fëmijës së tyre dhe stadi i parë është: 

  1. stadi i shokut emocional kur ata përballen me problemin e fëmijës së tyre. Ata fillojnë të ndihen keq dhe kanë frikë për faktin se problemi i fëmijës së tyre do të merret vesh nga të tjerë. 
  2. Stadi tjetër është ai i mosbesimit në diagnozën e fëmijës së tyre. 
  3. Stadi i tretë është mohimi. Prindërit refuzojnë të pranojnë faktin që fëmija i tyre është “ndryshe”, dhe ka mënyra të tjera të të mësuarit nga fëmijët e tjerë “normalë”. Në këtë mënyrë ata kërkojnë vazhdimisht konsulta të tjera. 
  4. Stadi katërt është zemërimi. Në këtë stad prindërit binden për diagnozën e fëmijës, por ndihen të zemëruar me fatin dhe ZOTIN dhe mendojnë se ajo çka po u ndodh atyre është e padrejtë dhe s’duhet tu ndodhte. 
  5. Stadi tjetër është stadi ku prindërit dakordojnë me njëri-tjetrin për kushtet që duhet të plotësojnë për fëmijën e tyre. 
  6. Stadi i gjashtë është depresioni. Dhe ky stad është i dukshëm kur prindërit shprehen se: Pse duhej kështu? Pse të shqetësohem, asgjë ska për të ndryshuar. Çdo ndodhë me fëmijën tim? Prindërit ndihen të mërzitur dhe të pashpresë. 
  7. Stadi tjetër është stadi i pranimit. Në këtë stad prindërit e kuptojnë vonesën e fëmijës së tyre dhe e pranojnë fëmijën ashtu siç është. 


Që prindërit të kalojnë dëshpërimin dhe depresionin për problemin që ka fëmija i tyre ata mund dhe duhet të ndjekin grupe me prindër të tjerë që kanë të njejtat probleme me fëmijët e tyre dhe të kuptojnë se nuk janë të vetmit dhe se fëmija i tyre është i veçantë në mënyrën e tij, por kjo nuk do të thotë që ai është një gabim apo ndëshkim nga Zoti për ta. 


Gjithashtu është e nevojshme që këta prindër bashkë me fëmijët e tyre të ndjekin seanca të këshillimit në familje dhe të pranojnë problemin e gjithë familja. Të arrijnë që të shfaqin empati përkundrejt fëmijës i cili ka këtë problem, dhe të përmirësojnë kushtet që këtij fëmije i duhen për të funksionuar sa më mirë. 


Për këtë gjithashtu shërbejnë edhe konferencat e zhvilluara me prindër dhe mësues. Në mënyrë që prindërit të ndjejnë se ka shumë gjëra dhe mënyra për të ndihmuar fëmijën e tyre dhe t’i mësojnë këto mënyra. Këto konferenca bëhën ura lidhese mes shkollës dhe familjes në mënyrë që metodat e ndërhyrjeve për të mirën e fëmijës të jenë sa më funksionale dhe të arrihet të koordinohet puna me fëmijën, mes shkollës dhe familjes. 


Disa sugjerime sesi prindërit dhe familja të ndihmojnë fëmijën e tyre dhe veten

• Së pari; është e nevojshme që prindi t’i kujtojë fëmijës që ai është i aftë të bëjë diçka mirë. Të përpiqet të zbulojë talentin e tij dhe t’a nxitë atë që ta çojë para këtë talent. 

• Së dyti; të mos nxitet fëmija që të bëjë gjëra për të cilat ai nuk është ende gati është mjaft e rëndësishme që fëmija të arrijë sukses në atë që bën, t’i lihet kohë dhe të mendojë ai se kur është koha e duhur për të bërë diçka. 

• Së treti; është mjaft e rëndësishme që mënyra e jetesës së familjes të thjeshtëzohet. Fëmija ka nevojë të bëjë gjërat sipas mënyrës së tij të të funksionuarit dhe kjo është gjëja më e mirë për të. Nuk është shumë e rëndësishme që fëmija të hajë drekë patjetër në orën 2 ai e vendos nëse do të hajë më parë ose pak më vonë. 

• Së katërti; vendosja e detyrave të tilla që janë për nivelin e funksionimit të fëmijës. Të vendosësh fëmijën në aktivitete dhe punë të vogla në mënyrë që ai ti kuptojë mënyrat e funksionimit sipas mënyrës së tij dhe përvojës së tij. Nëse ai vihet në praktikë mëson më lehtë. 

• Së pesti; prindërit duhet të jenë sa më të drejtpërdrejtë me fëmijën dhe sa më pozitivë ndaj tyre. Çdo të thotë kjo? Kjo do të thotë që prindërit duhet të minimizojnë kritikat për realizimin sa më të “përkryer” të një detyre, të përkrahin dhe t’a nxitin që herën tjetër të punojë më mirë, por pa e ndëshkuar atë. P.sh, nëse fëmija lexon një fjalë në vend të një tjetre që është në tekst, prindi duhet të nxitë imagjinatën dhe arsyetimin e fëmijës, duke e pyetur se çfarë fjale do të vinte ai në vend të asaj që sapo lexoi. 

• Së gjashti; mbajta e dhomës së fëmijës sa më thjeshtë dhe sa më qetë. 

• Së shtati; prindërit duhet të ndihmojnë fëmijën të përshtatet dhe të mësojë sesi të jetojë me njerëz të tjerë ndryshe nga ai. 

• Së teti; fëmija ka nevojë të kuptojë sesi të mësojë, pra ka nevojë të mësojë strategji. Dhe është prindi ai që duhet ta nxitë dhe ta ndihmojë që sëbashku të shpikin strategji për të kuptuar atë që i duhet të mësojë. 

• Së nënti; prindërit, gjithashtu kanë nevojë të shkëputen dhe të kalojnë shpesh kohë larg problemeve të fëmijës. Pasi një fëmijë me vonesa në të nxënë apo një fëmijë hiperaktiv është mjaft i lodhshëm dhe stresues për prindërit, dhe kjo gjë mund të ndikojë në martesën e tyre, ndaj sugjerohet që të paktën në fundjavë, ata të lënë fëmijën me një kujdestar dhe të merren vetëm më njëri-tjetrin. 


Shkolla speciale “Zëra Jete”

Shkolla Speciale është pjesë e rrjetit të institucioneve arsimore parauniversitare publike për Nxënësit me Paaftësi të ndryshme. Gjithësej në Shqipëri ka 6 shkolla speciale. Klasa e parë speciale në qytetin e Elbasanit është hapur në vitin 1983. Klasa frekuentohej nga nxënës me diagnozë PLM. Stafi pedagogjik zoteronte formim akademik në mësuesi dhe nuk zotëronte njohuri për Aftësinë e Kufizuar, baza materiale ishte modeste, literatura jo e pasur, mosha e stafit e vjetër.

Ndryshimet dhe arritjet ndër vite…

  • Emërtimi PML, nuk egziston më; 
  • Shkolla frekuentohet nga nxënës me multidiagnoza; 
  • Në pjesën më të madhe punohet me PEI;
  • Mësuesi aktualisht kryen edhe rolin e mësuesit, edhe atë të kujdestarit;
  • Programi mësimor ka ndryshuar; 
  • Shkolla është një institucion i hapur; 
  • Organizimi i aktiviteteve të larmishme gjithëpërfshirëse; 
  • Formimi i vazhduar për drejtorinë e shkollës (2003) organizuar nga Dega e Pedagogjisë se Specilizuar, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë dhe shoqata zvicerane ASED (Aksioni në Ndihmë të Fëmijërisë në Vështirësi); 
  • Formimi i vazhduar për stafin edukativ të shkollës, Ditë Studimore, organizuar nga Pedadogjia e Specializuar, pranë universitetit të Vlorës me ekspertë të huaj dhe shqiptarë;
  • Formimi i vazhduar ofruar nga shkolla jonë për mësuesit mbështetes (Orë të hapura, PEI, Analize rasti..);
  • Formime të stafit organizuar nga vetë shkolla; 
  • Shkolla speciale, vend i praktikave mësimore të studentëve të Pedagogjisë së Specializuar, Universiteti “I.Qemali”, Vlorë; 
  • Marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin “A. Xhuvani” të Elbasanit (degët logopedi, psikologji, punë sociale);
  • Shkëmbime përvoje dhe eksperience me simotrat e saj në Shqipëri dhe Kosovë; 
  • Formime për personelin edukativ, dhe mbështetje permanente nga Qendra e Gruas për Zhvillim dhe Kulturë; 
  • Bashkëpunim të ngushtë me Ëorld Vision, shoqatën Rinia…; 
  • Hartime dhe zbatime projektesh me organizata, donatore të ndryshëm; 
  • Staf i ri në moshë;
  • Prania e psikologut klinik.


Sfidat 

  1. Shkolla të ketë planifikim dhe vendosja e fondeve të domosdoshme për të financuar realizimin e programeve të ndryshme për zhvillim profesional.
  2. Kuadri ligjor duhet t’i japë më shumë përparësi dhe vetëmenaxhim drejtuesve të shkollës.
  3. Drejtuesi i shkollës duhet të ketë një formë monitorimi për mënyrën se si njohuritë e marra dhe kualifikimet e zhvilluara transmetohen tek stafi.
  4. Infrastruktura (mjedisi fizik).


Për të pasur politika gjithëpërfshirëse të suksesshme, faktori financiar është çelësi i suksesit të realizimit të tyre. Nëse fondet nuk alokohen në të njëjtën linjë me politikat që hartohen, arsimi gjithëpërfshirës është vështirë të realizohet në praktikë .

Përballë sfidës së gjithëpërfshirjes kërkohet :

Mbështetja e politikave kombëtare , me politika vendore, strukturore dhe financiare .

Shkolla speciale nuk duhet të lihet e vetme, ajo i ofron studiuesve të aftësisë së kufizuar mundësinë e studimit të drejtpërdrejtë dhe marrjen e informacionit në burim, duke mbushur në këtë mënyrë edhe mungesat që ekzistojnë në kërkime të mirëfillta shkencore në Shqipëri, në fushën e aftësisë së kufizuar dhe problemeve të zhvillimit në përgjithësi.



Rezarta Biçoku / Elida Kërçyku

 

 ©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

8,205 Lexime
3 vjet më parë