Rrëfim

Rita Petro: Një tekst letërsie i censuruar

Ky është një rrëfim që e bën për herë të parë publikisht poetja dhe botuesja Rita Petro mbi dukurinë e censurës së librave që thyejnë skemat.

Me Prof Sabri Hamitin më lidhin më shumë se 25 vjet bashkëpunim dhe miqësi. Në kohën kur punoja si redaktore e teksteve të letërsisë në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor, libri i parë me të cilin dhe filloi bashkëpunimi ynë (1994) ishte "Letërsia e vjetër shqipe". U entuziazmova nga stili i tij krejt ndryshe prej analizave letrare skematike asokohe. Po libri me të cilin u dashurova dhe kalova nëpër tërë ato peripeci ishte "Letërsia Moderne Shqipe". 


Ishin vitet 1998/1999; u ndalua e u censurua nga grupi i miratimit  në shtëpinë botuese dhe në Ministrinë e Arsimit për shkak të konceptimit të moderuar me të cilin trajtoheshin autorët dhe veprat e gjysmës së parë të shekullit XX, si dhe se disa prej tyre paskëshin qenë fashistë apo antinacionalistë. Aq e bindur isha që ai libër duhej patjetër të ishte në shkollat tona, sa dhashë dorëheqjen nga puna e shtetit dhe hapëm ALBAS-in, falë edhe nxitjes së partnerit tim dhe bashkëthemeluesit të kompanisë, Latif Ajrullait.


Libri i parë i botuar yni ishte "Letërsia Moderne Shqipe", e cila u kthye shumë shpejt në një bibël në duart e mësuesve të letërsisë. Ndonëse dilnin disa urdhra nga ministria e atëhershme që ky libër ishte i ndaluar në shkolla, mësuesit vazhduan t'ua rekomandonin nxënësve dhe nuk u tërhoqëm ne, po u detyrua shteti të bënte një tërheqje pa zhurmë dhe shumë shpejt ngriti grupin e autorëve për trajtimin e kësaj periudhe.


 Më ka mbetur në mendje një shprehje e profesorit kur i thosha: "Jemi të pafuqishëm në konkurrencë; dhe ai ma kthente: "Mos u mërzit, ajo ç'ka kam bërë unë është punë e shumë viteve, të tjerët do e shkruajnë për 2 muaj".


Dhe vërtet libri ynë u bë i pakonkurrueshëm. Nga puna me prof. Sabri Hamitin bëra një fakultet të dytë, si edhe mësuest e letërsisë, që filluan të punojnë me këtë libër, me të cilin edhe nxënësit nisën ta shohin letërsinë shqipe nga një këndvështrim tjetër, i cili i ndihmoi më pas për të kuptuar rrjedhat regresive që mori letërsia shqipe e realizmit socialist në gjysmën tjetër të shekullit. Edhe sot e kësaj dite trajtime të tilla që standardizuan studimin e veprave dhe autorëve si Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Ernest Koliqi, Gjergj Fishta, Faik Konica, Migjeni etj. mbeten bashkëkohore e përdoren nga mësuesit, ndërsa studimet e plota nga pedagogët në universitete. Ndihem me fat dhe përherë e frymëzuar për miqësinë dhe bashkëpunimin e vyer që kam me prof. Sabri Hamitin, një figurë e shquar akademike shqiptare, dhe jo vetëm kaq, po me një karakter model burri, që nuk të zhgënjen kurrë.


(Nuk përmenda emra të përveçëm, se qëllimi im është të nxjerr dukurinë e censurës së librave që thyejnë skemat apo atë që, ndonëse në punë shteti, secili duhet të luftojë për individualitetin dhe profesionalizmin e vet). 


Nga Rita Petro

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

2,049 Lexime
2 vjet më parë