Eksperiencë

Roli i mësueses mbështetëse në shkollat e Kosovës

Mire Berisha-Muriqi, mësuese mbështetëse në SHFMU “Asim Vokshi” na shpjegon rolin e saj në shkollë dhe jep ide rreth materialeve të krijuara për arritjen e rezultateve të planifikuara në PIA.

Roli i mësueses mbështetëse në shkollë


Mësimdhënësit mbështetës janë lehtësim i madh për mësimdhënësit të cilët kanë në klasat e tyre nxënës me nevoja të veçanta dhe vështirësi në të nxënë. 


Detyrat dhe përgjegjësitë e mësimdhënësit mbështetës janë të shkruara në një dokument zyrtar që është Udhëzues për planifikim dhe raportim të punës së edukatorëve, mësuesve mbështetës si dhe asistentëve, botuar nga MASHT në vitin 2019. Mbi bazën e këtij udhëzuesi, mësuesit mbështetës planifikojnë dhe raportojnë në baza mujore dhe javore për punën e bërë për nxënësit me nevoja të veçanta arsimore.


Unë si mësuese mbështetëse kam filluar punën në vitin 2015 në SHFMU “Asim Vokshi” Prishtinë. Në fillim gjithçka për mua ishte e re, por shumë shpejt u adaptova. Gjithmonë kam punuar fort për të fuqizuar gjithëpërfshirjen e nxënësve në shkollë, por edhe kam pasur fatin të jem në një shkollë gjithëpërfshirëse ku të gjithë nxënësit zhvillojnë potencialet e tyre pa dallime.


Roli i mësimdhënësit mbështetës është të koordinojë mbështetjen e nxënësve me nevoja të veçanta arsimore brenda shkollës, të këshillojë dhe të bashkëpunojë me menaxhmentin e shkollës dhe mësimdhënësit për identifikimin dhe mbështetjen e nxënësve me nevoja të veçanta arsimore. Po ashtu, mësimdhënësi mbështetës në bashkëpunim me kujdestarin e klasës dhe mësimdhënësit lëndor koordinon format e mbështetjes për fëmijët me nevoja të veçanta në fushat apo lëndët përkatëse, ndihmon në planifikim, realizim dhe vlerësim të arritjeve të nxënësit. 


Roli ynë duhet të jetë shumë i ngushtë duke filluar me prindërit, nxënësit, drejtorinë e shkollës, mësimdhënësit dhe psikologen e shkollës, që të arrihen rezultatet e dëshiruara. Është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi me psikologë dhe mësimdhënës për identifikimin e nxënësve që kanë nevojë për mbështetje individuale dhe për planifikim të Planit Individual të Arsimit (PIA) dhe për t’i referuar në ekipën komunale të vlerësimit në pajtueshmëri me prindin e nxënësit. Me ekipin brenda shkollës hartojmë PIA. Në këtë ekip bëjnë pjesë prindi, mësimdhënësi i lëndës, psikologu/ia, mësuesja mbështetëse, drejtori-esha i/e shkollës dhe nxënësi nëse është e mundur. Unë si mësuese mbështetëse përgatis orarin për mësim individual me nxënës, bashkëpunoj me mësimdhënës për krjimin e materialeve për punë me nxënës. Bashkë me ekipin caktojmë format e vlerësimit, të testeve të individualizuara, bëjmë aktivitete që janë të planifikuara në data të shënuara.


Foto të materialeve të krijuara për arritjen e rezultateve të planifikuara në PIA.


Nga: Mire Berisha-Muriqi, mësuese mbështetëse në SHFMU “Asim Vokshi” 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

565 Lexime
4 javë më parë