BOTIM I RI

“Selfie - Uni i unit”, botimi më i ri i Albas-it

Për të gjithë ata që duan t’u japin përgjigje pyetjeve: Nga se krijohet ideja e “vetvetes së përsosur”? Pse kjo ide është kaq e fuqishme te një individ? A ka ndonjë mënyrë për të thyer magjinë e saj?, libri “Selfie - Uni i unit” është i duhuri.

“Selfie: Uni i unit - Si u bëmë kaq të marrosur pas vetes dhe çfarë trajte po marrim”, është një histori e vetes sonë që nga kohërat më të hershme (kur jemi përpjekur të rrisim statusin tonë brenda fisit) deri te vetja jonë e tanishme (e uritur për risitë teknologjike).


Libri përmbledh 7 përcaktime të unit njerëzor. Duke u mbështetur në literaturën shkencore dhe mendimet e ekspertëve për çështje të personalitetit njerëzor, gazetari i njohur britanik Will Storr përmbledh me mjeshtri qëndrime dhe besime të “mendimit perëndimor”, nga Aristoteli, Kalvini, Frojdi, Sartri, Randi dhe Xhobsi.  


7 unet që analizohen në këtë libër, sipas këndvështrimit të Storr, janë:


Uni vdekadashës - Jetojmë në një epokë të rendjes pas përsosmërisë. Përsosmëria është ideja që vret. Pavarësisht nga trysnia për të qenë kopje përsosmërisht të pamundura të vetes sonë, trysnia për të pasur një trup të përsosur, trysnia për të shkëlqyer në karrierat tona, apo nga cilado prej formave të panumërta për t’i vendosur vetes pritshmëritë më të larta, ne jemi duke krijuar një mjedis psikologjik helmues. 


Uni fisnor - Ne, kemi unin nga njëra anë dhe kulturën nga ana tjetër. Dy gjëra që duken të ndara:  uni kërkon të jemi të përsosur, ndërsa kultura jonë përcakton se ç’është në të vërtetë “përsosmëria”. Në fakt, Storr zbulon se uni dhe kultura nuk janë aq të ndara. Për ta shpjeguar këtë atij i duhet të kthehet në kohë; në kohën përpara se ne të ishim qenie njerëzore. 


Uni i përsosur - Për shkak të mënyrës se si truri ynë punon, “uni” ynë merr natyrshëm rolin e rrëfimtarit: ndihemi sikur jemi në qendër të fabulës së jetës sonë, e mbushur me bashkëpunëtorë, armiq, kthesa të papritura të fatit, si dhe me rrugëtime të vështira në kërkim të lumturisë. Ndihemi si heronj. 


Uni i mbrapshtë - Nëse në një masë të madhe ajo çfarë ne jemi është vetë kultura jonë dhe nëse kultura jonë është pjesërisht e përbërë nga arsyetimet, zbulimet, armiqësitë, paragjykimet dhe gabimet, atëherë të gjitha këto janë brendësuar te ne. Madje kanë ndikuar, duke ndryshuar atë çfarë ne jemi. Të gjitha këto janë të regjistruara në trurin tonë. Ato janë ne.


Uni i mbarë - Mendimet dhe ndjenjat tona të vërteta nuk duhet të ndrydhen pas perdeve të “modelit” të vjetër të sjelljes. Duhet “të jemi të vërtetë” dhe të përçmojmë ata që shtiren. Uni është vetë shfajësimi. Atë çfarë uni ynë do, atë duhet të marrë. Atë çfarë uni e mendon, atë duhet të thotë. Sepse, në brendësi, thelbi i njeriut është pozitiv.


Uni i veçantë - Sot, sidomos për të rinjtë, po mbizotëron interneti dhe media sociale. Dhe në këtë mjedis, vetëvlerësimi ka marrë një përmasë tjetër, atë të unit të veçantë.  


Uni virtual - Çdo ditë, na ndodh të mos pajtohemi me mendimet e shprehura në rrjetet sociale. Dhe kështu, humbasim gjakftohtësinë dhe aftësinë për të arsyetuar drejt. Për t’u ndier më të qetë ne fillojmë të fshijmë nga lista miq dhe të mos i ndjekim më nëpër rrjetet sociale. Të sigurt në mburojën digjitale që kemi ndërtuar, të rrethuar nga zëra që na lëvdojnë, ne bindemi edhe më tepër për përsosmërinë. Nuk e kuptojmë se po fshihemi pas unit virtual. 


Në fund, Storr përpiqet të analizojë dhe të gjejë përgjigje për çështjen “Si të mbijetosh në epokën e përsosmërisë” - Fatkeqësisht, na ndodh edhe që në jetë të dështojmë. Kur fabula e jetës sonë ngec në vend, apo nuk marrim pritshmëritë që duam, dalim në përfundimin se jemi dështakë apo ndiejmë neveri ndaj vetes. Por asnjëri prej nesh nuk është vërtet një hero. Jemi thjesht këta që jemi. 


Nëse NE nuk do ta pranojmë veten për atë që jemi, gjithnjë, në çdo kohë, problemet do të shkaktohen nga vetë NE. 


Për të gjithë ata që duan t’u japin përgjigje pyetjeve: Nga se krijohet ideja e “vetvetes së përsosur”? Pse kjo ide është kaq e fuqishme te një individ? A ka ndonjë mënyrë për të thyer magjinë e saj?, libri “Selfie - Uni i unit” është i duhuri. 


Analizë nga Artemisa Bushi 

Artemisa Bushi, redaktorja e librit "Selfie-Uni i unit" 

Përgatiti për publikim N.Allkja.Biçaku 

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,510 Lexime
3 vjet më parë