NDAJFOLJA DHE LIDHËZA

"SESI" apo "SE SI"?

Ndajfolja “sesi” dhe lidhëza ftilluese “se” kur ndiqet nga ndajfolja e mënyrës “si” dallojnë për nga kuptimi dhe përdorimi në fjali të ndryshme. Redaktorja, Medina Mehmeti, tregon përdorimin e tyre për çdo rast.

Ndajfolja “sesi” dhe lidhëza ftilluese “se” kur ndiqet nga ndajfolja e mënyrës “si” dallojnë për nga kuptimi dhe përdorimi në fjali të ndryshme. 


Sipas fjalorit, ndajfolja “sesi” ka kuptimin: në një mënyrë të papërcaktuar, të paqartë ose pak të çuditshme: sesi ndodhi, as unë vetë nuk e di; nuk ka sesi nuk është e mundur, në asnjë mënyrë.


Ndërkaq, lidhëza “se”:


1. lidh një fjali kryefjalore, kallëzuesore, kundrinore ose përcaktore me fjalinë drejtuese; që: dihet se Toka rrotullohet rreth Diellit; e mori vesh se ku ishin.


 2. lidh një fjali shkakore me fjalinë drejtuese, me kuptimin “sepse, meqë, ngaqë”, ose një fjali shkakore që shpreh një veprim i cili do të ketë pasoja të padëshirueshme nëse nuk plotësohet veprimi i shprehur nga fjalia drejtuese, me kuptimin “përndryshe, në rast të kundërt”; sepse: i donte se ishin trima; mos dil pa pallto, se do të ftohesh.


 3. lidh një fjali krahasore ose gjymtyrën e dytë të një krahasimi; sesa: më mirë të dish se të kesh; më mirë vonë se kurrë; ishte më i ëmbël se mjalti.


 4. e përsëritur, lidh dy gjymtyrë të një fjalie ose dy fjali që i kundërvihen njëra-tjetrës, kur shprehet mëdyshje, mospëlqim, pasiguri etj.; që: se unë, se ti, njëri do të përgjigjet; se ka, se s’ka, ai nuk e prish gjakun; u bë se u bë.


 5. përdoret në disa togje lidhëzore me kuptim shkaku, kohe, krahasimi, kundërvënieje, lejimi: për arsye se...; nga frika se...; nga shkaku se...; për shkak se...; duke qenë se...; në është se...; në rast se...; në qoftë se...; po qe se...; po të jetë se..., para (përpara) se...; qysh se...; vetëm se... etj.


Ndajfolja “si” përdoret për të treguar mënyrën e kryerjes së një veprimi.


Pra ndajfolja “sesi” përdoret në fjalitë në të cilat shprehet diçka e papërcaktuar, e paqartë, kurse “se si” përdoret për të lidhur fjalinë drejtuese me fjali kryefjalore, kallëzuesore, kundrinore, përcaktore, shkakore, krahasore. 


- Ajo më mësoi se si ta hap derën pa bërë zhurmë.

- Kënaqesha kur e dëgjoja se si fliste.

- Sesi nuk u përmbysëm gjëkundi.

- Vetëm një ditë ca dele të trembura të një grigje sesi u gjendën mbi të, deshën të ktheheshin mbrapsht, por s'mundën dhe rendën sipër saj.



Nga Medina Mehmeti

1,033 Lexime
3 ditë më parë