Reflektime

Sfida e të qenit mësues bashkëkohor në ditët tona

Sot kërkohet një komunikim interaktiv në klasë ku protagonist nuk është mësuesi, por vetë nxënësi. Përfshirja e nxënësit në orën e mësimit nuk bëhet me urdhër apo me detyrim, nuk bëhet me planifikime klishe apo me pyetjen e dalë mode: “Çfarë ka dashur të thotë autori?”.

Të ecësh me hapin e kohës


Mësuesit janë heronjtë e heshtur të ditëve tona, që ngrenë kalatë e diturisë në mendjet e nxënësve. Të jesh mësues bashkëkohor është një sfidë dhe kërkesë e kohës në të cilën jetojmë. Në një pyetësor që bëra përpara disa ditësh, që një mësues duhet të jetë: tradicional, bashkëkohor apo tolerant, 97% e të anketuarve u përgjigjën “bashkëkohor”. Më vjen keq që e them, me gjithë respektin e madh që kam, por ka mësues që nuk e përdorin teknologjinë, e cila tashmë është domosdoshmëri. Mësues bashkëkohor është ai i cili përpiqet të përqafojë metodat e reja dhe shkencore të mësimdhënies, të cilat sot nuk janë të pakta për çdo fushë. Mësuesi duhet të përditësohet për të rejat në mësimdhënie dhe në komunikim. Ka shumë portale serioze që ofrojnë informacione të vlefshme me materiale dhe të rejat e fundit ku vetë mësuesit mbështesin mësuesit duke ndarë përvoja dhe njohuri. 


Mësimdhënia


Mësimdhënia është art më vete, dhe si e tillë kërkon që edhe mësuesi të jetë krijues dhe motivues. Po ashtu edhe komunikimi është art. Nuk mjafton vetëm shpjegimi i temës së ditës, kontrolli i njohurive apo korrigjimi i fletoreve. Kjo është një orë mësimi më se e zakonshme. Më keq akoma kur i jepen nxënësit detyra pa fund në klasë dhe këto t’i kopjojë edhe njëherë në shtëpi. Kjo është një punë mekanike, që nxënësi jo vetëm që nuk përfiton asgjë, por përkundrazi atij i mërzitet shkolla. Duhet patur parasysh që një nxënës sidomos në fillore, nuk mund të rrijë ulur në karrige pa lëvizur për orë të tëra, sepse kjo nuk është e mundur.  Për sa i përket detyrave dhe projekteve, bëhen thjesht copy-paste nga nxënësi, i cili as e përpunon informacionin në mënyrë që ta interpretojë atë si duhet. Detyrat dhe projektet duhet të kenë në vëmendje hulumtimin, eksperimentimin dhe të jenë të vlefshme për nxënësit.  Pra nxënësi duhet të udhëhiqet nga mësuesi në mënyrë që të përfitojë njohuri dhe kompetenca prej detyrës apo projektit që ka prezantuar.


Sot kërkohet një komunikim interaktiv në klasë ku protagonist nuk është mësuesi, por vetë nxënësi. Përfshirja e nxënësit në orën e mësimit nuk bëhet me urdhër apo me detyrim. Përfshirja e nxënësit në orën e mësimit nuk bëhet me planifikime klishe apo me pyetjen e dalë mode: “Çfarë ka dashur të thotë autori?”. 


Nëse ky autor ka 100 apo edhe më shumë vite që nuk jeton më nga do ta dijë nxënësi se çfarë ka dashur të thotë ky autor. Atëherë pyetja duhet formuluar ndryshe: Sipas mendimit tënd (nxënësit) çfarë mesazhi përcjell autori? Ose: Çfarë emocioni apo ndjesie të jep ty (nxënësit) kjo poezi, vepër arti, pjesë muzikore, roman etj., sepse ndër shekuj njerëzit kanë krijuar të nxitur nga impulset e brendshme ose të jashtme, nga gëzimet apo hidhërimet, janë frymëzuar nga natyra me bukuritë dhe fenomenet e saj, etj. 

Të qenët krijues do të thotë që një mësues në klasë mos ndjekë të njëjtën metodë mësimdhënie vit pas viti. Mësuesi duhet që kur të hyjë në klasë të jetë edhe mësues, edhe prind edhe psikolog në të njëjtën kohë, në mënyrë që të jetë më pranë nxënësit. 

Mësimdhënia bashkëkohore qëndron te lidhja e teorisë me praktikën. Në shumicën e lëndëve që kanë të përfshira punë praktike apo edhe ekperimente, të pakta janë rastet kur nxënësi i kryen në laboratorin përkatës, në të kundërt nxënësi duhet ta imagjinojnë rezultatin. Rëndësi të madhe në procesin mësimor ka përfshirja e nxënësit gjatë orës së mësimit. Nxënësi nuk është si një gotë që ne e mbushim sa të duam me ujë. Secili nxënës e percepton botën sipas mënyrës së tij. Prandaj duhet që njohuritë e marra në klasë të gjejnë përdorim praktik edhe në jetën e përditshme.  Në momente të ndryshme nxënësi duhet të ketë inisiativën të veprojë të zgjidhë një situatë problemore. Pra të zhvillojë mendimin kritik duke i dhënë zgjidhje të panjohurave dhe të papriturave dhe jo të jetë pasiv në situata të caktuara duke pritur që dikush të veprojë për të. Mësuesi duhet të jetë ura lidhëse mes njohurive që i jep nxënësit dhe zbatimit të tyre në jetën e përditshme, t’i japë çelësin e zbatimit të tyre në nga teoria në praktikë. Më pëlqen shumë një proverb kinez që i referohet nxënësit: “Çfarë dëgjoj e harroj, çfarë shikoj e mbaj mend, çfarë bëj e kuptoj."


Krijimtaria

Në lëndën time të artit pamor nuk përdor shabllone të gatshme, sepse nuk dua që nxënësit t’i frenohet imagjinata. Sipas temës mësimore jap udhëzimet e nevojshme verbalisht ose në tabelë duke e shoqëruar me veprimtari praktike dhe krijimtari artistike. Nuk përdor fotokopje ku nxënësi të jetë robot duke mos dalë nga vija kur ngjyros apo të ngjyrosë sipas një modeli të dhënë, sepse nuk përfiton asgjë, thjesht do mërzitet nga zhurma monotone e lapsit. Edhe nëse duhet t’i referohet një artisti të caktuar, nxënësve u jap ide se si të krijojnë të frymëzuar nga vepra e atij artisti, nga stili i tij, por jo domosdoshmërisht ta kopjojnë. Për një temë mësimore u jap disa ide se si mund ta realizojnë krijimin artistik. Nuk mund të jesh besnik i metodave shabllon, sepse nuk i le hapësira të lira imagjinatës krijuese të nxënësit, që është aq e rëndësishme. Shpeshherë mësimin e zhvilloj jashtë klasës, kur temat mësimore kanë lidhje me natyrën, si psh tekstura, etj. Nxënësit përfshihen të gjithë duke dhënë maksimumin. Gjithashtu bashkë me nxënësit kemi realizuar murale në mjedise të brendshme dhe të jashme të shkollës. Veprimtaria praktike bëhet edhe mbi sipërfaqe të tjera jo vetëm mbi fletoren e vizatimit. Mjafton të kesh dëshirën e mirë për ta bërë orën e mësimit produktive dhe të ngjallësh interes te nxënësit.

Arti në njëfarë mënyre është kërkim i rrugëve të reja shprehëse dhe krijuese, nëpërmjet eksperimentimit, që bazohen mbi emocionet dhe anën shpirtërore.

Dua ta mbyll me një thënie tjetër të Pikasos: “M’u deshën katër vjet për të pikturuar si Rafaelo dhe një jetë e tërë për të pikturuar si një fëmijë.”



Iriana Papamihali

Artiste, mësimdhënëse, autore teksteve shkollore

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,790 Lexime
2 vjet më parë