MËSUESIA

Sfidat e profesionit tim

Kur studioja nuk e kisha idenë se çfarë më priste, s’e dija se do gjendesha shpesh përballë shumë sfidave e dilemave në profesionin tim. Sfida që të përfshijnë emocionalisht zemrën e shpirtin.

Është sfidë dhe mardhënie e veçantë lidhja mësues-nxënës. Jemi disa të rritur me disa fëmijë të moshave të ndryshme, me të cilët takohemi çdo ditë, japim dhe marrim nga njëri-tjetri. Duhet të përshtatemi me moshën e tyre dhe të japim më të mirën nga ne. Nga ana tjetër, edhe ata duhet të na përshtaten, sepse nuk jemi njësoj. Pra, është një marrëdhënie tepër e rëndësishme dhe delikate që krijohet midis nesh dhe nxënësve tanë, të cilët unë preferoj gjithmonë t’i quaj "fëmijët tanë". E kush mendon se është e lehtë e ka gabim. 


Kur isha e vogël mendoja se mësuesi e ka të lehtë çdo gjë, vështirë e kishim ne për të mësuar. Kur u bëra mësuese kuptova se çfarë peshe e përgjegjësie kishte një mësues gjatë gjithë jetës së vet në këtë profesion-mision tepër të veçantë. Thonë se gabimi i mjekut i vret njerëzit dhe i çon nën tokë, ndërsa gabimi i mësuesit "i vret" njerëzit veçse i le mbi tokë. 


Jam përpjekur në çdo ditë të jetës të harroj çdo problem timin, kur dal para nxënësve të mi dhe të shpjegoj mësimin, deri ku s'mban më fryma ime e deri ku mbaron dija ime. Nuk lodhem së përsërituri asnjëherë derisa ata të ndihen të sigurtë. Jam përpjekur me zemër t'u rri larg burokracirave dhe metodave të ftohta, duke e bërë orën e mësimit sa më të dashur për ta. Sa ia kam arritur s’e di, por jam përpjekur. Jam përpjekur dhe përpiqem fort që nxënësit tek unë të shohin prindin e dytë, atë prind që nuk kërkon ta verë me shpatulla për muri "Pse s'ke mësuar sot?!", por atë lloj mësuesi-prind, që përpiqet të gjejë hapësirën për t'i mësuar çdo gjë që s’e ka kuptuar edhe një herë me durim pa fyer dhe pa cënuar kurrë as me fjalën më të thjeshtë bullizuese ndaj tyre. 


Përveç këtyre në ora e letërsisë, na jep hapësira për të folur për të gjitha temat sociale. Jam përpjekur të frymëzoj individë të fortë, të sinqertë dhe të ndërgjegjshëm për çdo veprim. Jam munduar t'i bëj të urrejnë gënjeshtrën dhe të besojnë tek e verteta. Jeta është më e lehtë nëse e përballon me të vërtetën. Të ndajmë gjërat me njëri-tjetrin nuk na bën më pak të pasur, si dhe të mos turpërohen nga mospasja materiale, ngase pasuria e vërtetë janë ata vetë dhe një botë me dashuri rreth vetes së tyre. Jam përpjekur t’u mësoj të jenë sa më pozitive, sepse rrahjet e një zemre të mirë ia shtojnë dhe jetën më shumë njeriut që e ka. Jam munduar të luftoj tek ta xhelozinë dhe ambicien e keqe si dy gjëra, të cilat nuk i shërbejnë askujt për mirë, veçse për keq. 


Jam munduar, por me dëshirë, jo mund i mundimshëm, të lë gjurmë të mira tek secili prej tyre pa dallim origjine, dialekti, feje, krahine, ideje. Ajo që jam përpjekur shumë të bëj është të jem sadopak pjesë e rritjes së njerëzve me virtyte të shëndosha, t’u mësoj të pranojnë humbjet dhe fitoret njëlloj, të mos trajtojnë keq më të dobëtin, por të përpiqen t'i japin dorën. Rëndësia e familjes është e jashtëzakonshme, po ashtu edhe mbështetja tek ajo. Jam përpjekur gjithmonë të mos ngutem, të mos vendos nota të pamerituara e të pavlera, si dhe të shpjegoj se në fund të fundit rëndësi ka ajo që dimë. Nota është relative, jo absolute! 


Unë nuk jam aspak mësuesja perfekte, por di që jam mësuesja që i kam dashur dhe i dua si fëmijet e mi nxënësit. Këtë ma thotë zemra dhe s'ka gjë që e kundërshton në botë. Përveçse mësuese jam edhe nënë. E nënat nuk dinë ndryshe veçse të duan. Në sytë e tyre shoh sytë e fëmijëve të mi, kur ata djersiten në oborr duke luajtur unë nuk përtoj t’i qortoj që të kujdesen për veten se do ftohen me merakun e nënës. Nëse dikush ka vrarë dorën duke luajtur apo ka patur një problem jam shqetësuar njësoj e ndoshta edhe më shumë se për fëmijën tim, sepse ata janë përgjegjësi dyfish në duart tona. A jam lodhur? Sigurisht që lodhem, por jo aq sa për të mos vazhduar të luftoj për dijen dhe edukimin. Në fund të ditës respekti dhe dashuria e tyre, rezultatet e mira të bëjnë të kapërcesh çdo lodhje. Sytë e tyre të pafajshëm nuk meritojnë mësues që lodhen e nuk shpjegojnë, sepse ata janë fëmije. Kur studioja nuk e kisha idenë se çfarë më priste, s’e dija se do gjendesha shpesh përballë shumë sfidave e dilemave në profesionin tim. Sfida që të përfshijnë emocionalisht zemrën e shpirtin, sepse nxënësit bëhen si familja e dytë. Më shumë kohë kalojmë në punë sesa në shtëpi dhe atz japim çdo ditë maksimumin tonë. 



Nga Senada Demushi, Zv/Drejtore në shkollën 9-vjeçare Gruemirë


Publikim Parajsa Shtini

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,878 Lexime
3 vjet më parë