OPINION

Sfidat e të mësuarit në largësi për mësuesit, nxënësit, prindërit

“Mos e humbni entuziazmin për shkollën, por besoni më tepër tek ajo! Të gjithë duhet të kenë të njëjtën të drejtë për studim: shkolla është e të gjithëve. Në qoftë se nuk është kështu, kemi humbur të gjithë!”- opinion nga Prof.Muhamet Cenko.

Kalojnë njëra pas tjetrës ditët e karantinës (ngujimit) në shtëpi, pas mbylljes së shkollave dhe universiteteve në mbarë vendin, dhe puna e mësuesve ka krijuar tashmë një përvojë virtuale të mësimit online. Ka pasur shumë biseda online ndërmjet kolegësh për atë, nëse koronavirusi do të nxisë një epokë të re të punës nga shtëpia, nëpërmjet mësimit elektronik apo të mësuarit në largësi. Shumë prej tyre janë shprehur se kanë nevojë edhe për trajnime mbi bazë shkolle për çdo mësues e nxënës mbi bazën e platformave të njësuara, të mirëmenduara e të paracaktuara.


Ditët e para u duk sikur fëmijët e dëshironin këtë gjë, por më pas filluan problemet dhe kjo për arsyen se ky model, pra të mësuarit nga shtëpia, favorizon më tepër fëmijët e familjeve me akses në teknologji, hapësirë dhe kohë.


Mësimi online bëhet sot nga shtëpia dhe kjo gjë është e detyrueshme për çdo mësues, duke përdorur pajisje të tilla, si: kompjuter, laptop, tablet, smartphone apo celular. Procesi i mësimdhënies, transmetimi i njohurive të reja te nxënësit realizohet përmes aplikacioneve të tilla, si: facebook, whatsApp, viber, google classroom, zoom, face time etj.


Në një farë mënyre çdo mësues e ka kthyer shtëpinë apo dhomën e ndenjjes a të gatimit në shkollë dhe klasë mësimi. Më parë hapte televizorin dhe përjetonte çaste kënaqësie e çlodhjeje, ndërsa tani e ka kthyer dhomën në “studio” për regjistrimin e mësimeve të reja, të korrigjimit të detyrave shtëpiake, testimeve apo demonstrimit të veprimtarive shkollore.


Për çdo mësues tashmë jeta e tij private dhe ajo e punës nuk janë më të ndara. Aq më e prekshme është kjo, kur sheh nga dritarja apo ballkoni i shtëpisë që rrallë lëvizin njerëz në trotuare e bulevarde, janë mbyllur shitore, bare dhe markete. Është një periudhë tepër angështuese dhe stresuese, gjë që do të ndikojë për keq edhe ndaj shëndetit mendor të njerëzve.


Mësuesit i përgatisin mësimet dhe detyrat që një ditë më parë, duke planifikuar harmonizimin e këtyre veprimtarive me orarin e fëmijëve. Synimi i mësuesit të suksesshëm është që nxënësit të ndiejnë përgjegjësinë për mësimet e tyre, prandaj përpiqen që veprimtaritë mësimore t’i përgatisin në atë formë, që të bëhen nga nxënësit në mënyrë të pavarur. Ka prej tyre që përdorin shpesh face time-n, duke i thirrur nxënësit e një klase me grupe prej disa vetësh e duke punuar e kontrolluar njohuritë e tyre në aspektin teorik e praktik. Po kështu, organizohen takime me audio e video, me skype apo whatsApp, me familjet ose me fëmijët e tyre për mësimet dhe detyrat shkollore.


Është me të vërtetë interesante të shohësh prindërit e fëmijëve, rolin që ata luajnë dhe ndihmën që japin për edukimin online të tyre. Por ka edhe diferenca ndërmjet nxënësve: disa kanë një kompjutër, laptop, një celular, një i-Pad etj., kanë prindër që interesohen, pyesin dhe kërkojnë, por ka edhe prindër që ende nuk e kanë kuptuar mirë se çfarë kërkohet apo kanë vetëm një celular për 2 a 3 fëmijë, apo edhe pa lidhje me internet. Pra, jo të gjithë kanë të njëjtat mjete, të njëjtat mundësi, të njëjtët stimuj.


Megjithatë, roli i prindërve ka qenë parësor në këtë eksperiment të mësimit elektronik dhe mësuesit kanë qenë me të vërtetë me fat në këtë aspekt. Tashmë, që krejt vendi është në karantinë, fëmijët i kanë prindërit që t’i ndihmojnë me detyrat e shkollës. Po, në qoftë se prindi a prindërit e një apo disa fëmijëve do të shkojnë në punë, a do t’i kryejnë fëmijët detyrat shkollore?! Ne kemi vënë re që, pavarësisht përpjekjeve të tyre, fëmijët po mësojnë më pak se më parë. Prindërit e tyre nuk janë mësues dhe nuk mund ta kryejnë këtë rol, aq më tepër që kanë jetën e tyre dhe punët e tyre.


Para së gjithash, është mirë që te nxënësit të krijohet ideja se nuk është periudhë pushimi apo një week-end i gjatë. T’u bëhet e qartë se do të zbatojnë një orar të caktuar ditor duke nisur me zgjimin, mëngjesin etj. Sugjerojmë që nxënësit e klasave I-V t’i zgjidhin disa veprimtari e ushtrime shkollore për 40-50 minuta, ndërsa nxënësit e klasave VI-IX të shkollës 9-vjeçare t’i kryejnë ato për 60-90 minuta, duke i alternuar me pushime të shkurtra.


Është mirë që të fillojnë me ushtrimet apo detyrat më të vështira, e pastaj të kalojnë në veprimtaritë e të lexuarit dhe rishikimin e asaj që është bërë. Në çdo rast prindërit duhet të këmbëngulin në kufizimin e përdorimit nga fëmijët të pc/tablet. Koha (screen time) që fëmijët kalojnë para ekraneve, nga 3-5 vjeç duhet të jetë e shumta një orë dhe për ata të moshës 6 vjeç e lart të vendoset nga familja, ku të parashikohen rregullat e hyrjes dhe të qëndrimit në to.


Në përfundim, do të dëshironim shumë që të mësuarit digjital, pra mësimi në largësi, që do të jetë edhe e ardhmja e shkollimit, të kthehet në një sistem që të ofrojë mundësi të barabarta, pra në një sistem që të funksionojë.


Do të dëshironim gjithashtu që të gjithë kolegëve mësues t’u jepnim këtë mesazh:

“Mos e humbni entuziazmin për shkollën, por besoni më tepër tek ajo!

Të gjithë duhet të kenë të njëjtën të drejtë për studim: shkolla është e të gjithëve.

Në qoftë se nuk është kështu, kemi humbur të gjithë!”



Nga Muhamet Cenko


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

440 Lexime
1 muaj më parë