BOTIM I RI I ALBAS

Shënime për vëllimin me tregime “Ankthi i Abrahamit”, nga Artemisa Bushi

Redaktorja Artemisa Bushi sjell vlerësimin e saj për botimin e ri të Albas, "Ankthi i Abrahamit" nga Dashnor Kokonozi. 24 tregime ku personazhet përballen me dilema morale dhe emocionale. Gjuha e thjeshtë, e tensionuar, nxit reflektim mbi dashurinë, fajin dhe zgjedhjet e pamundura.

Nga Artemisa Bushi, redaktore


Sapo lexoj titullin: “Ankthi i Abrahamit”, të librit të ri të shkrimtarit Dashnor Kokonozi, vetiu bëj një lidhje të shpejtë me figurën e Abrahamit biblik, simboli i njeriut që përballet me një urdhër moral a shpirtëror që shkon përtej arsyes njerëzore. 


Ai bindet, edhe pse urdhri është absurd për mendjen njerëzore dhe i pamoralshëm në dukje. Ky është ai çasti i ankthit të besimit – kur njeriu qëndron vetëm përballë së pamundurës, midis dashurisë dhe detyrimit. 


E kështu, faqe pas faqeje, e përforcoj këtë mendim dhe kuptoj se tregimet në këtë libër nuk synojnë thjesht të rrëfejnë ngjarje. 


Autori na lë në duar jetë të thyera. Ai na fton në një shoqëri personazhesh me ndërlikime të thella psikologjike. Ata rrahin shtigje që nuk u premtojnë shpëtim. Besueshmëria e tyre lind nga dhimbja, nga dyshimi, nga heshtja që mbetet, pasi fjalët kanë dështuar.


Ja pse autori ka vendosur (mendoj) që ky libër me tregime të ketë titullin e njërit pret tregimeve të tij, “Ankthi i Abrahamit”, një nga tregimet më të thella dhe tronditëse të librit, me ngarkesë të fortë filozofike dhe emocionale. Del qartë në të figura biblike e Abrahamit, por tanimë një “Abrahami modern” që përballet me një urdhër të brendshëm, me zërin e dashurisë dhe të fajit. 


Libri përmban 24 tregime. 


Për sa i përket stilit, autori përdor një gjuhë të thjeshtë rrëfimi, por të ngarkuar me tension të brendshëm. Fraza të shkurtra, përshkrime të detajuara dhe një ritëm i ngadalshëm përcjellin ndjesitë njerëzore në jetën e përditshme. 


Në fund të çdo tregimi lexuesi përballet me dilema të moralit njerëzor: kufijtë e mëshirës, peshën e fajit dhe iluzionin e shpëtimit. “Të gjithë janë të dënuar të kërcejnë herë pas here me dilemat dhe fantazmat e tyre, derisa të mësojnë t’i lënë të ikin, zbathur, pa zhurmë”, shkruan Kokonozi në një nga tregimet. 


E kështu, në një univers të tillë ku veprojnë personazhet e këtij libri, Abrahami nuk është më një figurë biblike, ai merr trajtën e njeriut të ditëve tona që përballet me zgjedhje të pamundura në një botë të ndërlikuar – që e kupton gjithnjë e më pak. 


Kur përfundova së lexuar librin, i shkrova autorit:


Janë tregime që na bëjnë të reflektojmë, të ndihemi të dyzuar e njëkohësisht kritik ndaj përditshmërisë. I shkruar me një ngarkesë emocionale dhe kulturë mendimi. 




© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë

231 Lexime
6 orë më parë