"Shkolla e pyllit" dhe "Patoku në plazh", dy titujt e rinj që Albas sjell për lexuesit e vegjël nga krijimtaria e Bedri Dedjes

Albas sjell dy botime të reja nga krijimtaria e Bedri Dedjes: “Shkolla e pyllit” dhe “Patoku në plazh”. Dy poema plot humor, fantazi dhe aventura, që i ftojnë fëmijët në botën magjike të personazheve të dashura të shkrimtarit dhe përcjellin mesazhe të vlefshme edukative.

Dy vepra të shkrimtarit të njohur Bedri Dedja vijnë së shpejti për lexuesit e vegjël në një botim të ri nga shtëpia botuese "Albas". "Shkolla e pyllit" dhe "Patoku në plazh" janë dy poema që i ftojnë fëmijët në botën e veçantë të imagjinatës së autorit, ku kafshët marrin tipare njerëzore, situatat e zakonshme shndërrohen në aventura dhe humori ndërthuret me mesazhe edukative.


Përmes vargjeve plot ritëm, personazheve të larmishme dhe ngjarjeve që ngjallin kureshtje, Bedri Dedja sjell dy histori që argëtojnë, por edhe nxisin te fëmijët dëshirën për të mësuar, për të menduar dhe për të kuptuar më mirë botën që i rrethon.


Të dyja veprat mbajnë vulën e krijimtarisë së Dedjes, një prej emrave të rëndësishëm të letërsisë shqipe për fëmijë, i cili ka ditur ta bëjë humorin, fantazinë dhe edukimin pjesë të pandashme të tregimeve të tij.



"Shkolla e pyllit" - Bedri Dedja

Një përrallë në vargje që na çon në botën plot ngjyra të shkollës së pyllit, ku mësuesja gardalina dhe nxënësit e saj na shoqërojnë në aventura plot humor, ngjarje gazmore dhe mësime të vlefshme për rëndësinë e dijes dhe të shkollimit.


Do-re-mi-fa-sol-la si… bjeri pianos korb i zi. Si-la-sol-fa-mi-re-do… mos u çirr ti, por këndo!


Kështu e nis orën e saj mësuese gardalina, në botën plot ngjyra të shkollës së pyllit. Kjo përrallë në vargje, e autorit të dashur për fëmijë, Bedri Dedja, na shoqëron në botën magjike, atje ku mësimi shndërrohet në aventurë dhe ku çdo personazh zbulon një rrugë të re drejt së ardhmes. 


Mes humorit, ngjarjeve gazmore dhe situatave që të bëjnë të mendosh, kjo poemë na mëson se dija është fuqi dhe rruga që na hap dyert e jetës. 


Por, çfarë ndodh me lepurin që nuk pranoi të shkonte në shkollë?


Në një pyll të gjelbëruar,

ku njeri nuk kish kaluar,

plot me ferra, plot me drurë,

plot kërpudha edhe gurë,

një mëngjes porsa agoi,

një trumbetë fort ushtoi.

Na u ngritën milingonat,

ketrushat dhe shqiponjat,

kanarina, harabeli

dhe palloi i fryrë si gjeli,

ujku i çalë e dhelpra plakë,

një patok e një rosak,

dy sorkadhe, një ari,

korbi plak e flokëzi,

me të vegjlit përpara,

nëpër pyll e nëpër ara;

lanë shpellat, lanë gjerdhet,

lanë strofkat, lanë çerdhet,

lanë drekën pa gatuar,

lanë punët pa mbaruar

dhe u nisën në çeltinë,

te mësuesja gardalinë!



“Patoku në plazh” - Bedri Dedja

Një poemë fantastike që i fton lexuesit e vegjël në një plazh të pazakontë, ku kafshët pushojnë së bashku, aventurat nuk kanë të sosur dhe dhelpra dinake thur plane për t’u bërë mbretëreshë e të gjithëve.


Gjer më sot, përralla thotë, plazh si ky nuk ka në botë! 


Po, po, një plazh i çuditshëm, ku pushojnë të gjithë bashkë: pula, ariu, rosa, lejleku, zebra, sorkadhja, gjirafa, peshqit etj. Çudi e madhe! 


Në plazhin zoologjik të kësaj poeme fantastike gjithçka është e mundur. Patoku-mekanik vjen me familjen për të shijuar pushimet, por aty ka plot të papritura. Dhelpra dinake ka plane të fshehta dhe ëndërron të bëhet mbretëresha e të gjitha kafshëve, madje të ketë luanin shërbëtor.


Bëhuni gati për aventura dhe mos harroni rrobat e banjës! Se në këtë plazh, edhe peshqit dalin për t’u nxirë në diell!



Kanarinat dhe pallonjtë

me një varkë shëtisin,

çu-çu-çu, kokë më kokë,

rrinë e pëshpërisin.



Ja, për shembull, peshqit,

me breçkat e banjës,

po nxihen në diell.

Madje edhe dielli, çuditet në qiell!



Si s’u merret fryma

peshqve në rërë?

Hajde çfarë çudie, peshqit paskan bërë!



Shkenca peshkatare

u marrka me shpikje,

peshqit në ranishte mund të bëjnë kalitje.



Mbajnë në kokë skafandër

plot me ujë deti

dhe në rërë ç’u nxikan, si i gjithë mileti!





© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

91 Lexime
5 orë më parë