BOTIM I RI

“Si shkruhet një roman dashurie” botim i ri i ALBAS-it nga Gazmend Krasniqi

“Si shkruhet një roman dashurie” i Gazmend Krasniqit nuk është histori tradicionale dashurie, por një lojë narrative ku narratori është i shumëfishtë. Libri eksploron dashurinë, realitetin dhe trillimin, duke ftuar lexuesin të reflektojë mbi artin, jetën dhe kuptimin e tyre, me ironi dhe simbolizëm.

 Recension letrar nga redaktorja Artemisa Bushi 


Ky libër nuk rrëfen një histori në kuptimin tradicional, por përpiqet të zbulojë vetë mekanizmin e rrëfimit. Narratori është i shumëfishtë: studiues, shkrimtar, personazh - një mozaik zërash që krijon efektin e shkrimit brenda shkrimit.


Në libër rrëfehet për dashurinë (“Dashuritë e mëdha janë si fantazmat: pakkush i ka parë, por shumë flasin për to...”), edhe pse ajo nuk paraqitet thjesht si ndjenjë apo si një lidhje mes dy individëve, por si një kod i fshehtë, një lojë narrative që na fton të shohim përtej asaj që duket në sipërfaqe. Dialogët me figurat e pushtetit dhe mesazhet enigmatike që mbërrijnë nga një telefon i paidentifikuar, krijojnë një atmosferë të mbushur me paranojë dhe absurditet, ku kufiri mes së vërtetës dhe trillimit zhduket pothuajse plotësisht.


Vetë rrëfimi bëhet pjesë e lojës, duke na bërë të mendojmë për rolin e shkrimtarit, të lexuesit dhe të vetë asaj që rrëfehet. Në këtë proces, lexuesi përballet me pyetje thelbësore: Çfarë është reale? A ekziston vërtetësi, apo jemi të gjithë pjesë e një simulimi të pafund?


Me një stil thellësisht të ngarkuar me simbolika dhe ironinë e trishtë të një bote ku çdo përpjekje për të kuptuar është një hap më shumë drejt konfuzionit, gjithçka rrjedh si në një udhëtim metaforik dhe filozofik në kërkim të kuptimit të jetës, artit dhe dashurisë. 


Në fund, romani na lë me një ndjesi të thellë boshllëku, por edhe me një ftesë për të vazhduar kërkimin, për të pranuar lojën dhe për të gjetur “imazhin e mirë” – maskën që na lejon të ekzistojmë.


"Si shkruhet një roman dashurie" është një lexim i domosdoshëm për ata që duan të sfidojnë perceptimet e tyre mbi realitetin dhe për ata që e shohin artin jo thjesht si zbavitje, por si një mënyrë për të kuptuar jetën në dimensionet e saj më komplekse.


Prof. Gazmend, unë librat tuaj i lexoj përherë ngadalë, për të mos humbur asnjë element stilistikor e kuptimor. Urime dhe shumë suksese në këtë botim të ri tuajin!



© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë

212 Lexime
4 orë më parë