analizë

Studentët mbeten të papunë dhe pa perspektivë

Kalimi në universitet është një etapë themelore në formimin e individit-qytetar. Institucioni i arsimit ka përgjegjësi të formojë profesionistët e së ardhmes për tregun e përshtatshëm të punës.

Kalimi në universitet është një etapë themelore në formimin e individit-qytetar. Institucioni i arsimit ka përgjegjësi të formojë profesionistët e së ardhmes për tregun e përshtatshëm të punës. E nevojshme është që profesorët dhe lektorët të plotësojnë kualifikime të tilla që të kompensojnë për mungesën e eksperiencës së universiteteve tona. Duke hedhur sytë në simbolet e arsimit europian, ne kemi minimalisht dhe natyrshëm nevojë për më shumë kohë. Periudha e tranzicionit gjithashtu nuk ka mbaruar e nuk do të mbarojë ende, përderisa vazhdimisht tronditen themelet e muret e ndërtuara në vite. Pakënaqësi vazhdojnë të ngrihen për probleme si pagat e pamfjatueshme (ose të munguara), e deri tek vizionet jontransparente të drejtuesve për të ardhmen tonë. Studentët nga ana tjetër janë qytetarët me potencialin më të madh, por me përvojën më të vogël. Çdo gjë është e re dhe zë vend më me peshë te ta. Nëse universitet fillojnë të lëkunden, perspektiva dhe motivimi i tyre pëson kolizion. 


Mungesa e theksuar e përgjegjshmërisë dhe ndjeshmërisë qytetare nga ana e drejtuesve, ka bërë që si studentët, ashtu dhe punonjësit e institucioneve arsimore të ndjehen të braktisur. 


Por kjo braktisje ka ndodhur me kohë (duke pranuar se më parë ishin në bashkëpunim). Kapitalizmi për ne është një sistem i vështirë për t’u përballuar shëndetshëm. Ai bazohet në lirinë e njeriut dhe në marrjen fatit të tij në dorë, në shfrytëzimin e resurseve për të ndërtuar të ardhmen e tij. 


Por në vimë nga një periudhë instensive izolimi dhe rrobërimi të verbër. Papritur dikush na hoqi fashën që na ishte lidhur përreth syve dhe filluam të shihnin dritën e diellit me të gjithë spektrin e tij të ngjyrave. Të tjerëve mund t’u vinte keq për ne, sepse një traumë e tillë - sado të aftë të kemi treguar që jemi për tu përshtatur – nuk kalohet pa pasojat e saj të shëmtuara. 


Pasojat prekin të ardhmen e fëmijëve. Të tashmen e studentëve dhe aftësinë e tyre për largpamësi. 

Brezat e dyta dhe të treta s’mund ta marin veten mjaftueshëm për të ruajtur hapin e kohës. Një pjesë duket të jetë dorëzuar për të rivënë fashën rreth syve, e madje dhe tapat e veshëve. Kaq shumë nuk mund të pritet nga një njeri: kalimi nga një lloj lufte në tjetrën dhe trajtimi i njerëzve ende si ushtarë, kur kohë më parë duhet të kishin marrë titullin e veteranëve. 


Ne po luftojmë me ushtarë të vjetër, kurse ushtarët e rinj radhiten në barraka duke pritur armëpushimin. 

Nuk mund të pretendoj kurrsesi që udhëheqësit e trupës sonë nuk janë të vetëdijshëm për strategjinë e tyre vdekjeprurëse. Kërkohet një lloj inteligjence dhe dinakërie për të mbërritur aty ku ata qëndrojnë. Trauma e lëvizjes së pushtetit ata i ka rënduar dhe vazhdon t’i rëndojë më shumë. Dikujt do t’i vinte keq për ta po ashtu. 

Por a nuk është ky një mëkat, një gabim fatal, çuarja dëm e batalioneve të tëra kadetësh të rinj për hir të fatalitetit të drejtuesve? 


Në fund të fundit, studentët punojnë me dhë për potencialin e mendjes së tyre. Shumë do të dallonin e shkëlqënin në fusha që ne kemi vërtetë nevojë t’i zhvillojmë. Por ata janë të detyruar të përtupin zymtësinë dhe konfuzionin që s’e kuptojnë nga i vjen, pasqyrim i fatalitetit të “udhëheqësve” tanë.


E gjitha sepse rrefuzojmë të pranojmë që, komunizëm apo kapitalizëm, jemi një komunitet i përbashkët. Kur dikush sëmuret, të gjithë të tjerët ndikohemi po ashtu. 

Studentët nuk e dinë përse të mesojnë e punojnë. Mos duhet të luftojnë të arrijnë majat për veten e tyre? Kjo përflitet të sjellë mirëqënie ekonomike. Por shihet gjithashtu se për moralin është rrënim. Pra kush do t’i udhëzojë ata drejt moralitetit e prosperitetit? 

Dhe për sa kohë do të pretendojmë që lulet të rriten në një shtrat të kalbur…? 


(Rea Shundi, Portali Shkollor)

2,997 Lexime
6 vjet më parë