Konceptet e mësimit në distancë

Studiuesja Rovena Dokollari: Teoritë dhe strategjitë e mësimdhënies dhe nxënies përmes internetit

Disa arsye më të forta të shfrytëzimit të teknikës dhe teknologjisë moderne për mësimin në distancë, të sjella nga studiuesja Rovena Dokollari mbështetur në teoritë dhe strategjitë e mësimdhënies dhe nxënies përmes internetit.

Është pranuar tashmë, që teknologjia është në vetvete një urë drejt të nxënit. Mësimi në distancë, si metodë e re e mësimnxënies, që realizohet përmes teknologjisë së komunikimit, për të arsimuar njerëzit që ndodhen në vende të ndryshme, metodat e realizimit të arsimit në distancë dhe shkallën e zbatueshmërisë. Përveç vlerësimit të gjendjes së pandemisë Covid-19, në lidhje me mësimin në distancë, tashmë vihet në dukje roli i teknologjisë për aplikimin e mësimit në distancë.

 

Përderisa deri dje leximi dhe shkrimi në mënyrë tradicionale konsideroheshin si elemente kryesore të shkollimit, në botën e sotme shkollimi informativ kompjuterik dita-ditës po bëhet më i domosdoshëm për shkëmbimin e diturisë dhe bartjen e shkathtësive themelore të nxënësit.


Mësimi në distancë është formë e arsimimit, e cila realizohet përmes teknologjive moderne të komunikimit, me qëllim të mësuarit e nxënësve të vendosur në vende dhe largësi të ndryshme -jashtë ambientit tradicional të mësimit (klasës). Programet e mësimit në distancë ua mundësojnë të interesuarve dhe mësuesve të ndërveprojnë me njëri-tjetrin nëpërmjet mjeteve kompjuterike, internetit, telefonave, televizioneve dhe teknologjive të tjera. Përderisa mësimi në distancë i referohet përvojës së të mësuarit zyrtar ose jozyrtar, edukimi në distancë nënkupton veçanërisht udhëzimin zyrtar të realizuar nga një mësues, që planëzon, orienton dhe në fund e vlerëson procesin e të mësuarit. Të gjithë jemi dëshmitarë të domosdoshmërisë të shpejtë të rrjeteve kompjuterike, të kapaciteteve të tyre të paimagjinueshme përpunuese dhe përparimeve të skajshme në teknologjinë e ruajtjes së informacionit. Kompjuteri është një mjet i rëndësishëm që ka disa përparësi në mësimin në distancë. 

 

Mësimi në distancë ka krijuar një ndryshim të madh në çështjen se si pedagogët dhe studentët mendojnë rreth mësimdhënies dhe të mësuarit. Mësimi në distancë hap mundësi edukative, duke i lejuar nxënësit/studentët të mësojnë në ambiente më të përshtatshme dhe në kohën kur ata janë të lirë. Ai ua mundëson njerëzve të zgjasin kohën e edukimit të tyre nga një numër i kufizuar vitesh shkollore, pra ua mundëson arsimimin gjatë gjithë jetës. Po ashtu, mësimi në distancë i ndryshon marrëdhëniet që lidhen me fuqinë dhe autoritetin, ndërmjet pedagogëve dhe studentëve.

 

Disa arsye më të forta të shfrytëzimit të teknikës dhe teknologjisë moderne për mësimin në distancë: 

▪ Përparohet mënyra e qasjes së të nxënit dhe mësimit;

▪ Rritet dukshëm cilësia e të nxënit dhe mësimit;

▪ Zvogëlohen shpenzimet e nevojshme për të nxënë dhe mësim;

▪ Të nxënit dhe mësimi bëhen shumë ekonomikë;

▪ Përmes lidhjeve teknologjike nxënësit mund të përcjellin e të zotërojnë kurse, seminare e përmbajtje nga format më të ndryshme të të nxënit dhe mësimit nga fusha, profesionet dhe lëndët të cilat nuk i kanë në vendin ku jetojnë;

▪ Përmes tabelës elektronike arsimtarët mund të konsultohen me kolegët e vet në qytetin e njëjtë ose edhe në gjithë vendin;

▪ Rrjeti kompjuterik ua bën të mundur nxënësve nga vendet e ndryshme të mësojnë dhe bashkërisht t’i zgjidhin problemet e caktuara mësimore; 

▪ Programet kompjuterike dhe teknika moderne telekomunikative e bën të mundur shfrytëzimin e njëhershëm të burimeve multimediale: zërin, fotografinë lëvizëse, tekstin, ilustrimin; 

▪ Bën të mundur përparimin e nxënësve sipas mundësive individuale që ka; 

▪ Mundëson të nxënit dhe mësimin permanent dhe përsosjen dhe perfeksionin e përhershëm profesional. 



Teoritë dhe strategjitë e mësimdhënies dhe nxënies përmes internetit:

Teoritë dhe strategjitë e mësimdhënies dhe nxënies përmes internetit sigurojnë një mekanizëm për organizimin e mësimit elektronik. Kjo pjesë i përshkruan disa strategji dhe teori, të cilat mund të zbatohen për mësimdhënie. Përmes këtyre teorive dhe strategjive, mësimdhënësit mund të organizojnë mësimin, të përfshijnë nxënësit/studentët në bashkëbisedim të vazhdueshëm, të planifikojnë objektivat e mësimit dhe në mënyrë të qëndrueshme, të kontrollojnë shkallën e njohurive të nxënësve/studentëve. Të gjitha këto objektiva mund të arrihen përmes teorive të mësimnxënies, siç janë strategjitë të ndërkëmbyeshme dhe sigurojnë një mekanizëm për organizimin e mësimit, si: ligjëratat, prezantimet, puna në grupe dhe puna e shpërndarë, si dhe leximi dhe hulumtimi i pavarur. Për të qenë një mësimdhënie dhe nxënie e suksesshme rekomandohet kombinim i teorive me strategji. 

 


Studiuese: Rovena Dokollari



Publikim N. Allkja Biçaku 

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,926 Lexime
3 vjet më parë