
TALIS 2024: A po zëvendëson Inteligjenca Artificiale mësuesin në shkolla?
Sipas raportit TALIS 2024, Shqipëria kryeson në përdorimin e Inteligjencës Artificiale nga mësuesit. Shkrimi i Fiqiri Çiflikut ngre pyetje mbi ndikimin e IA në marrëdhëniet njerëzore, mendimin kritik dhe edukimin demokratik, duke theksuar se mësuesi nuk zëvendësohet.
Sipas raportit të fundit TALIS 2024, Shqipëria kryeson në përdorimin e Inteligjencës Artificiale (IA) nga mësuesit. Krahasuar me mesataren 36% të vendeve të OECD-së, 52% e tyre e përdorin në mësimdhënie. Ministria e Arsimit ka publikuar një plan veprimi për Arsimin Digjital 2025–2030, ku IA shihet si mjet për personalizimin e mësimit dhe përfshirjen më të gjerë.
Personalisht, jam dyshues për shifrat e pyetësorit, sidomos për shifrat se mbi 52% e mësuesve e përdorin IA. Më duket e pabesueshme dhe jashtë realitetit, por kjo pak rëndësi ka tashmë; flasim për realitet virtual, le ta “shijojmë”.
Ajo që dua të shtroj për diskutim në këtë shkrim janë disa pyetje të thella mbi marrëdhëniet njerëzore, mendimin kritik dhe edukimin demokratik:
- A duhet inteligjenca artificiale të vlerësojë punën e nxënësve?
- A do të na mësojë algoritmi si të mendojmë?
- A po e rimodelojmë arsimin, apo po e automatizojmë mendimin?
Në Shqipëri, kjo tendencë sipas TALIS po përqafohet me entuziazëm, si zgjidhje për ngarkesën administrative dhe si mjet për personalizimin e mësimit. Por në këtë përqafim digjital, a po humbasim përqafimin njerëzor?
Sipas vlerësimit, mesatarja e OECD-së tregon se një në tre mësues tashmë e përdor atë në punën e përditshme. Nga ata që e përdorin, një e katërta e përdorin për të vlerësuar ose korrigjuar punën e nxënësve.
Përdorimi i IA mund t’u kursejë kohë mësuesve, duke u mundësuar të përqendrohen më shumë te nxënësit.
Por ka shqetësime për sa mirë IA mund të gjykojë aspektet më të theksuara të punës së nxënësve dhe çfarë do të thotë kjo për marrëdhënien mësues–nxënës.
Cilat janë rreziqet që teknologjia ka sjellë dhe si lidhen ato me marrëdhëniet njerëzore?
Përdorimi i IA mund të sjellë efikasitet, por rrezikon të zbehë marrëdhënien e drejtpërdrejtë mes mësuesit dhe nxënësit. Një marrëdhënie ku empatia dhe intuita pedagogjike nuk mund të zëvendësohen nga algoritme. Vlerësimi i nuancave emocionale dhe kontekstit kulturor në punën e nxënësit mund të humbasë, duke rrezikuar që besimi dhe komunikimi ndërpersonal të dobësohen nëse IA-së do t’i jepen atributet e vlerësuesit kryesor.
IA mund të korrigjojë ese, të analizojë të dhëna, të sugjerojë përmirësime. Por nuk mund të ndiejë pasigurinë në një fjali të shkruar me zemër, nuk mund të kuptojë heshtjen e një nxënësi që ka nevojë për mbështetje, nuk mund të vlerësojë një metaforë që lind nga përvoja personale.
Mësuesi nuk është vetëm vlerësues. Ai është dëgjues, udhërrëfyes dhe, shpesh, pasqyrë e shpirtit të nxënësit. Në këto kushte duhet të bëjmë kujdes, duhet të ruajmë ekuilibrin, pa euforinë e shifrave që sot duken si ushqim imagjinar.
Besoj biem dakord se shkolla dhe edukimi kanë në themel marrëdhënien njerëzore, që është karakteristika kryesore si asnjë fushë tjetër. Për të mos e kthyer IA-në në një “mësues pa identitet”, duhet të bëjmë kujdes e ta përdorim atë si mjet ndihmës, jo si zëvendësues të gjykimit pedagogjik. Në këtë kuptim, duhet të ruhet dhe të përforcohet roli i mësuesit si mentor, interpretues dhe ndërtues i marrëdhënieve.
Përfshirja e IA në mënyrë kritike në kurrikulë, duke mësuar nxënësit si ta kuptojnë, sfidojnë dhe përdorin me përgjegjësi, duhet të marrë vëmendjen e nevojshme. E në këtë proces duhet të ftohen ekspertët më të mirë që njohin fushën e edukimit dhe të teknologjisë, për të mos bërë eksperimente që kanë kosto afatgjatë dhe, në arsim, pasojat janë të pakthyeshme.
Synimi i arsimit shqiptar është edukimi i qytetarëve për të jetuar në një shoqëri demokratike, duke u mbështetur tek mendimi kritik dhe krijues. Algoritmet e IA mund të ndihmojnë në analizën e të dhënave, por nuk duhet të zëvendësojnë procesin e të menduarit vetjak. Demokracia nuk mësohet me klikime. Ato mund të sugjerojnë modele, por nuk mund të gjenerojnë origjinalitetin që buron nga përvoja njerëzore.
IA mund të ndihmojë në analizën e teksteve, por nuk mund të mësojë nxënësit si të sfidojnë një ide. IA mund të sugjerojë struktura eseje, por nuk mund të frymëzojë një mendim origjinal. IA mund të japë përgjigje, por nuk mund të nxisë pyetje që lindin nga dyshimi, kurioziteti apo përvoja personale.
Demokracia kërkon diskutim të hapur, dialog dhe debat konstruktiv, jo vetëm përgjigje të automatizuara.
Pyetja për të gjithë ne është: A duam një arsim që edukon qytetarë të lirë, apo një sistem që prodhon përdorues të mirë të teknologjisë?
Nëse arsimi është zemra e demokracisë, atëherë mësuesi është pulsi i saj. Le ta përdorim IA për të lehtësuar, jo për të zëvendësuar. Mësuesi duhet të mbetet qendra e gjykimit pedagogjik. Le ta mbajmë arsimin njerëzor, kritik dhe krijues, sepse algoritmi kurrsesi nuk mund të na mësojë si të jemi njerëz.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Si të përgjigjeni saktë në testimin me shkrim dhe me gojë (arsim)
Kualifikimi i mësuesve 2025, procedurat dhe kriteret e vlerësimit
Mësimi me në qendër nxënësin, çfarë solli realisht në shoqërinë tonë?