Tiranë

Tarifa e shkollimit, protestojnë studentët

Studentët janë mbledhur sot përpara kryeministrisë për të kërkuar që tarifa e shkollimit që paguajnë studentët të përgjysmohet. Reagon Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Studentët kanë protestuar sot përpara kryeministrisë duke kërkuar përgjysmimin e tarifës së shkollimit. Sakaq Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë nëpërmjet një deklarate ka shpjeguar se nuk ka rritje të tarifave të studimit në universitet publike.


Në një reagim për mediat ministria e Arsimit deklaron se nuk ka pasur rritje të tarifave të shkollimit, siç pretendojnë studentët, duke shtuar faktin se ato janë të njëjta që prej 4 vitesh.


1. Nuk ka rritje tarifash për nivelin e parë të studimeve, ato janë të njëjta të paktën 4 vitet e fundit për studentët në universitetet publike. Por gjithsesi, në kuadër të autonomisë universitare këto tarifa nuk vendosën më nga qeveria por nga vetë universitetet. 


2. Çdo universitet vendos vetë politikat që ndjek për sa i përket studentëve ngelës, të cilët nuk paguajnë tarifë të dyfishtë kur ngelin dhe përsërisin vitin. Por në rast të mos marrjes së një provimi disa herë, gjë e cila shton koston për universitetin, aplikohet një tarifë minimaliste që e vendos universiteti. Studentët që nuk performojnë nuk mund të kthehen në kosto për studentët që dëshirojnë të përfundojnë studimet.


3. Certifikimi i gjuhës së huaj nga institucionet ndërkombëtare vetëm për nivelin ‘master shkencor’ është vendosur që në vitin 2010. Certifikimi i gjuhës së huaj nga institucionet ndërkombëtare është parë si mundësi që çdo student që diplomohet të jetë konkurrues në tregun e punës, jo vetëm brenda vendit por edhe jashtë tij, dhe për të pasur aftësi më të mira ndërveprimi.


4. Vendimmarrja për godinën e fakultetit Gjeologji- Miniera i përket vitit 2014 nga qeveria ku ndër të tjera studentëve u është premtuar se do të jenë pjesë e godinës.

(Portali Shkollor)

3,322 Lexime
6 vjet më parë