OPINION

Të gjithë “fajin” e ka shkolla

Mendohet se fuqizimi i marrëdhënies mësues - nxënës - prindër ndihmon mbarëvajtjen më të mirë të fëmijëve dhe pse nuk shkon ashtu si duhet gjithmonë kjo gjë!

Ndryshimet e shpeshta të kurrikulës e të metodave të mësimdhënies e mësimnxënies (sidomos te AMU dhe AML) nuk arrijnë të kuptohen qartë nga prindërit dhe shpesh mendojnë se shkolla apo dhe mësuesit janë të padrejtë në vlerësimin e fëmijëve të tyre. Notat e ulëta, mërzisin fëmijët, e prindërit nuk duan që ata të mërziten e për këtë arsye të gjitha vërejtjet u drejtohen mësuesve. Gjithashtu që nxënësi të shkojë mirë me shkollën, ai pikësëpari duhet të ketë prindër që e kuptojnë dhe e ndihmojnë. Nëse prindërit nuk ulen bashkë me fëmijën për të punuar, apo nuk krijojnë harmoni e qetësi në shtëpi, problemet e tij do të shfaqen edhe në shkollë. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se fëmijët me probleme sociale, kanë vështirësi në mësimnxënie.


Na ndodh shpesh të dëgjojmë shprehje të tipit “ua kam lënë juve mësuesve në dorë fëmijën”, “është përgjegjësia juaj sa mëson fëmija im” apo “pse djalit/vajzës sime i keni vënë këtë notë!” dhe të tjera si këto. Sot për hir të mesatares, prindërit duan nota dhe mesatare. Ata mendojnë se mësuesit janë dorështrënguar apo të ashpër me fëmijët e tyre dhe nuk përballen me të vërtetat apo thënë ndryshe me punën që realisht fëmijët e tyre bëjnë për t’u përgatitur.


Ajo që po kërkoj të them është se nuk mund t’i ndihmojmë fëmijët si nxënës duke i frikësuar, por duke qenë të qetë e të qartë se ku qëndrojnë problemet që duhen zgjidhur. Komunikimi duhet të jetë pjesë në vazhdimësi për të ditur realisht sa mëson, sa punon fëmija dhe prindi me fëmijën në ditë apo ku i ka prirjet dhe mundësitë për të ecur.

 

Nëse fëmijët nuk u tregojnë prindërve ecurinë e tyre, diçka nuk funksionon si duhet; ose takimet me shkollën janë këputur me kohë, ose prindërit janë shumë të ashpër me fëmijët sa ata tremben dhe fshehin të vërtetën. Shumë prej mësuesve i dinë shprehjet e nxënësve “mos i trego mamit/babit”, “kisha frikë t’u tregoja atyre të shtëpisë për takimin me prindër” etj. Një prind vjen më shpejt për shqetësimin e bankës së parë se sa për ecurinë e fëmijës. Kjo pasi ia “dëgjojnë tekat”, por nuk ia ndjekin punën në shkollë. Fakti që nuk ua tregojnë notat që marrin apo edhe të tjera gjëra, nuk më bëjnë të mendoj që kjo marrëdhënie është gjithmonë shumë e mirë. 


Pyetjes “Si ndjehesh në raportin e krijuar me prindërit e tu rreth eksperiencës tënde shkollore?”, a do ta besonit sikur asnjë nxënës të mos shënonte keq apo shumë keq?


Gjatë një pyetësori të zhvilluar mbi fenomenin e bullizmit, ndër të tjera, iu bë nxënësve edhe kjo pyetje. Në disa të dhëna nxënësit sjellin përfundime kontradiktore. Duke qenë se mund ta shohim veten si një strukturë e kryqëzuar ku mësuesit janë prindër në familjet e tyre dhe nxënësit janë fëmijë në familjet e tyre, atëherë pse kur nxënësve i bëhet pyetja e sipërpërmendur mbi interesimin e prindërve, 63.7% përgjigjen mirë dhe  0% keq dhe shumë keq; kurse kur pyetja bëhet: “Si ndjehesh në raportin e krijuar me mësuesit e tu?”, raportet janë 37.2% mirë dhe  6.8% shumë keq. 


Pra, nxënësit që e kanë shumë keq komunikimin me prindërit është 0%, dhe me mësuesit gati 7% e nxënësve. Nuk po dyshoj te shifra e dhënë për mësuesit, por dyshoj te ajo për prindërit. Unë si mësuese prej 20 vitesh, e di shumë mirë që shpeshherë nxënësit nuk duan që prindërit t’i dinë disa gjëra që u ndodhin në shkollë. Pse nuk e pranojnë asnjëri prej tyre që edhe moskomunikimi me prindërit ndikon në mbarëvajtjen e tyre?! Mendoj që fshehja e kësaj të dhëne e cila “mbulon” familjen, nuk ndihmon në gjetjen e problemeve për mbarëvajtjen e nxënësve në shkollë. Po t’i pyesësh nxënësit më vete, për raportin e tyre me prindërit lidhur me shkollën, do të rreshtojnë një mori ankesash. 


Mbarëvajtja në shkollë e nxënësve është një detyrë sa e prindërve, aq edhe e mësuesve. Në këtë rast, nuk dua të bëj shenjtorë asnjërin dhe mendoj që secili ka përgjegjësitë e veta, ama duhet që edhe prindërit ta mendojnë punën me fëmijën në shtëpi si diçka e kontrolluar me kujdes dhe ide të qarta e jo të ngarkojnë me përgjegjësi mësuesit kur notat nuk janë të pritshmet. Mendoj që ankesave të fëmijëve, prindërit i besojnë akoma pa u ballafaquar me mësuesin. 


Na intereson të gjithëve të marrim njohuri të qëndrueshme e jo të besojmë lehtësisht se sa të zotë e të mençur jemi pa punuar. Mësuesi mund të gjykohet më lehtë, pasi ai vë notë, që jo gjithmonë i bind prindër e nxënës bashkë. Nuk them që notat janë objektive se do ishte e vështirë për këdo ta pranonte, por të heqim dorë nga vlerësimet “mësues i mirë” apo “marrëdhënie e mirë me mësuesin”, nëse ai vë notën që duam të besojmë se meritojmë. Mësues i mirë është ai që punon gjithë orën e mësimit dhe shpjegon me profesionalizëm e pasion lëndën e tij, që të vë në punë, të nxit dëshirën për lëndën, të rrit kureshtjen, të ndihmon me njohuri për të fituar shkathtësi, qëndrime e vlera e për të pasur dije të qëndrueshme.


Shkolla ka rolin e saj në edukimin dhe vlerësimin e nxënësit, por kjo nuk bëhet pa punën sistematike të nxënësve e pa mbështetjen e prindërve. Duke përjashtuar ata prindër që vërtet bëjnë një punë të mirë bashkëpunuese me shkollën dhe që arrijnë të punojnë me fëmijën e tyre për të ecur, u ndala tek ata që fajësojnë shkollën për rezultatet e fëmijës dhe punën e tyre e reduktojnë në britma apo kontroll të sipërfaqshëm me shprehje të tipit “flasim kur të shkojmë në shtëpi!”. Nuk është aspak zgjidhje imponimi për të studiuar apo presioni, si për fëmijën ashtu edhe për mësuesin, pasi nxënësi duhet të kërkojë e të gjejë se cila është materia që i pëlqen e duhet mbështetur, ndihmuar në rrugën që duhet për ta thelluar njohjen. Kontrolli i vazhdueshëm, pa besueshmëri, krijon fëmijë manipulatorë, që humbasin dëshirën për të punuar e për të zbuluar veten e tyre përballë dijes. Mësuesit dhe prindërit ndërkohë, duhet të ndërrojnë metodat e punës për përgatitjen e nxënësve. Notat nuk na hyjnë aspak në punë, nëse krijojmë fëmijë të lodhur, që mësojnë prej frikës së autoritetit, të notës e të mesatares.


Shënim për lexuesin: lidhur me temën kryesore të bullizmit, kemi planin tonë të punës me të cilën merremi gjatë gjithë vitit.


Shtojcë

Analiza e pyetësorit të zhvilluar nga klubi i bullizmit i shkollës me 20% të nxënësve (nëntor 2019)


1. Si ndjehesh me shokët/shoqet e klasës? 

56.8 mirë       

21.5% Mjaftueshëm mirë       

19.6% As mirë as keq     

0.9% Mjaftueshëm keq      

5-0.9% Shumë keq 


2. Po me djemtë/vajzat e tjerë  që frekuentojnë shkollën? 

46% Mirë       

22.5% Mjaftueshëm mirë        

25.5% As mirë as keq        

0.98% Mjaftueshëm keq      

0.98% Shumë keq 


3. Si ndjehesh në raportin e krijuar me mësuesit e tu?

37.2% Mirë       

31.3% Mjaftueshëm mirë        

20.6% As mirë as keq        

2.9% Mjaftueshëm keq      

6.8% Shumë keq 


4. Si ndjehesh në raportin e krijuar me prindërit e tu rreth eksperiencës tënde shkollore?

63.7%Mirë       

28.4%Mjaftueshëm mirë        

6.8%As mirë as keq        

0%Mjaftueshëm keq      

0% Shumë keq 


5. Cilin moment të ditës preferon të kalosh me shokët/shoqet e klasës?

39.2% Orët jashtë klasës         

9.8%Mësimin           

13.7% Rruga nga shtëpia në shkollë dhe anasjelltas  

29.4% Kohën e lirë        

7.8% Asnjë moment 


6. Të ndodh të qëndrosh vetëm, sepse asnjë nga shoqet/shoqet nuk dëshiron të qëndrojë me ty?    

1.96% Po, orët jashtë klasës

1.92% Po,  gjatë mësimit

1.92% Po, gjatë rrugës nga shtëpia në shkollë dhe anasjelltas

1.92% Po,  më lënë gjithmonë vetëm

92.1% Jo,  gjithmonë qëndroj me djem/vajza të tjerë. 


7. Sipas teje, në shkollën tënde është dikush që bën prepotentin  (sillet si bullues)?

33.3%  Po

24.5%  Jo

52.1% Nuk e di 


8. Çfarë lloj veprimesh bëhen nga persona të përmendur te pika VII?

26.7% Tallje

18.1% Ofendime dhe sharje

4.31% Kërcënime

19.8% Shaka të rënda      

7.2% Ofendime ndaj dikujt

3.9% Vjedhje të vogla (pa vlerë)

9.8% Përjashtime nga shoqëria

7.9% Ofendime mbi familjarë e tu

2.2%Vjedhje(Telefon,portofol)


9. Bulluesit (prepotentët) janë: 

a) 10.2% Të vetëm 1.1%Dy 40.9% Në grup

b) 3.4%Femra   17.04% Meshkuj 27.2%Të dyja gjinitë (M, F)

                                                                                                 Nga Migena Kapllani 



(Portali Shkollor) 

4,790 Lexime
4 vjet më parë