METAMORFOZA

Të lexosh përtej fjalëve…

Metamorfoza përmes një përkthimi të shkëlqyer nga Primo Shllaku, rivjen nga shtëpia botuese Albas. Një pazëll i vështirë fjalish për të kuptuar metamorfozën e njeriut. Por një e vërtetë e pakundërshtueshme se si po shndërrohet shoqëria...

Kur Kafka vdiq në moshën dyzetenjëvjeçare, pothuajse askush nuk i kushtoi rëndësi. Shumë pak e njihnin veprën e tij. Jeta nuk e përkëdheli shumë. Puna si jurist në shërbim të një shoqërie sigurimesh e lodhte. “Dëshira e vetme” e tij ishte të shkruarit, edhe pse gjithçka që shkruante e cilësonte si “shkarravina” dhe sa ishte gjallë nuk botoi shumë. Teksa nganjëherë u lexonte miqve ndonjë pjesë të tijën, shpesh qeshte tërë çiltërsi. Por humori i shfaqur prej tij nuk ishte tjetër veçse një “sjellje e hijshme e dëshpërimit”…


Ai i kërkoi mikut të tij, shkrimtarit Maks Brod, që pas vdekjes t’ia digjte të gjitha dorëshkrimet që nuk i kishte botuar. Për fat të mirë, Brodi nuk iu bind kësaj dëshire të fundit të Kafkës… Ndoshta ja pse sot Kafka bën pjesë ndër shkrimtarët më të rëndësishëm të letërsisë botërore.

* * *

Zgjodha të ndaloj në librin e tij, “Metamorfoza”, botim i Albas-it, dhe jo rastësisht.


Asnjë luftë e brendshme apo që rrezikon gjithë shoqërinë, asnjë konflikt, asnjë ngjarje makabre, asnjë festë që bekon për paqe, asnjë e asgjë s’e bëri njeriun më të mirë…


“Metamorfoza” (edhe pse i përkthyer në shqip tri herë) rivjen sërish për lexuesin nën një përkthim (jam pa fjalë, aq i mrekullueshëm) nga Primo Shllaku. Në një parathënie hyrëse Shllaku (duket qartë se përkthyesi ka bërë një qëmtim të plotë të të gjitha literaturave ekzistuese për të mbërritur në arsyetimin e tij) shpjegon pse fjalën gjermane das Ungeziefer e ka përkthyer çimkë.


Kafsha në imagjinatën dhe përshkrimin e Kafkës natyrisht është e stërmadhe, edhe pse çimka i ka këmbët e imëta, barku dhe shpina e saj janë të mysët, pra me gungë, kurse në ecejaket e Zamzës (çimkës) nëpër shtëpi ndihet se barku i tij është i fryrë nga poshtë, gjë që e bën që ai të fërkohet në dysheme dhe ecja e tij të jetë e spërdredhur. Madje, Kafka flet edhe për kacavarje dhe ecje të saj në tavan me anë të ca fijeve ngjitëse. A nuk lëvizin edhe çimkat me zhdërvjelltësi në çfarëdo rrafshi?


Kafka e ka vendosur njeriun në rrugën imagjinare të REGRESIT EVOLUCIONAR. Çfarë ka ndodhur? Cilat kanë qenë shkaqet që qenia njerëzore zbret disa shkallë në hierarkinë biologjike të specieve? Çfarë ka parasysh Kafka me familjen Zamza, brenda së cilës janë krijuar kushtet e një antievolucioni në kuptimin darvinian?


Familja, sipas Kafkës, përbëhet prej individësh që kanë mikrobotën e tyre. Shfaqet qartë automatizimi i jetës, ritmi i saj frenetik, gjithnjë në rritje vihet re sistemi i “hinkës”, ku njeriu rrëshqet në metropolet e mëdha për të përfunduar, pa shpëtim, në greminën e vrimës së kësaj hinke.


A po vetëshkatërrohet njeriu dhe çfarë po e shkakton këtë absurd?


Gregor Zamza përpiqet që të komunikojë me njerëzit, por forma, pamja e tij e jashtme s’e lejon. Ai ndien, sheh, provon, kënaqet, zemërohet, hidhërohet dhe tërbohet për shkak të një keqkuptimi të madh, që buron nga metamorfoza e tij. Sepse shpirti i tij i dhembshur jeton brenda trupit të një insekti të përbindshëm, të shëmtuar dhe të neveritshëm njëherësh. E kështu, të kundërtat vazhdojnë, si një mallkim, ta çojnë botën përpara, por njëherësh të shkaktojnë pa pushim edhe dhimbje njerëzore.


Me gjithë notat e zeza dhe frymën e rëndë që mbizotëron në apartamentin e Zamzajve, ku jetojnë njerëz e kafshë, shpirtra e zakone, arsyetime dhe ndjesi, interesa financiare dhe detyrime fisnike, na duket se ai apartament është E TËRË SHOQËRIA NJERËZORE.


Kafka është i zi. E zezë fotoja e tij e identifikimit. Të zinj flokët, të zinj sytë, madje të zinj edhe rrathët poshtë syve të tij. I zi peizazhi, të zeza dhomat. Gjithçka e zezë. E murrmja është pranvera e tij. “Unë nuk do ta imagjinoja Kafkën në një foto me ngjyra”, shprehet Shllaku. “Më parë imagjinoj një njeri të kthyer në një çimkë të stërmadhe sesa Franc Kafkën në një foto me ngjyra…”


Kjo ndoshta është arsyeja pse Kafka e fut njeriun nëpër një tunel të zi e të errët, me qëllimin tinëzar që të ndrisë sa më shumë shpirti i tij.


Një përkthim i mrekullueshëm i Primo Shllakut.

Një faqe e errët e shoqërisë, por që hedh dritë në regresin shpirtëror të njeriut (në emër të ecjes përpara).

Një shndërrim i njeriut – shndërrim që çdokush mund t’i japë një formë…

Një pazëll i vështirë fjalish për të kuptuar metamorfozën e njeriut. Por një e vërtetë e pakundërshtueshme se si po shndërrohet shoqëria.

 



Analizë nga redaktorja Artemisa Bushi për librin “Metamorfoza”, përkthyer nga Primo Shllaku, botuar nga “Albas”


©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

 

2,343 Lexime
3 vjet më parë