Reflektim

"Të rritesh me mend, jo thjesht me trup. Kjo është çështja" - Nga Evans Drishti

Sa e zhvillojnë “intelektin” e tyre nxënësit që në hapat e parë të sistemit parauniversitar? Vallë, lëndët e trajtuara në shkollë i mësojnë thjesht për një “notë” apo për t’u thelluar në fenomenin dhe tematikat që trajtohen në to?

“-U shitne e s’u shitne flamujt, qëndroi a s’qëndroi Shqipnija un kam mjaft, shyqyr, me jetue; a more vesht? E tash jashtë…. 

- Kadalë… ia priti djaloshi me t’egër e syt’ i vetuen; - dal vetë, s’asht nevoja me më qit jasht ti. Por edhe nji fjalë due me ta thanë e të lutem vire në vesh si at këshill që më dhe par në dugajë. Ti thue se jeton, por rrehesh. Ti je shlye prej numrit të të gjallëve, qysh se je ndry në kët dugajë, mbushë me mall. Ky asht vorri yt. E sa për Shqipni po të siguroj un se ka me qindrue. Prandaj mos ban merak se edhe flamujt kan me t’u shitë krejt. Por rueje shpirtin t’and mos t’ia shitish dreqit….”


Për dikë që s’lexon libra, natyrshëm që të tilla rreshta i duken si të pakuptimta, e madje shkon edhe më tutje teksa shpreh një lloj habie “Po ç’ne këto?”, duke mos u thelluar për të kuptuar tematikën dhe kontekstin e shfaqur në to. Për ata që s’janë lexues të rregullt, por që aty – këtu kanë lexuar diçka sërish ngelen të mjegulluar në memorien e tyre, por arrijnë të futen në brendësi të kontekstit të dhënë. Ndërsa për ata që e duan leximin s’është aspak e vështirë të kuptojnë dorën mjeshtërore dhe origjinale të autorit briland Ernest Koliqi me prozën e tij legjendare “Tregtar flamujsh”, ku në të, sikurse kuptohet, prezantohet një dialog mes një tregtari të quajtur Gaspër dhe një djaloshi intelektual të quajtur Hilushi. Ç’është e vërteta s’e sollëm këtë fragment për të bërë një analizë të tekstit, por për diçka krejtësisht tjetër. Reagimi i djaloshit intelektual mbart një peshë specifike jo vetëm për kontekstin e kohës, por edhe për peshën e gjykimit të tij duke mbërritur mjaft origjinal dhe aktual edhe në kohët e sotme të 2022-shit. Theksojmë termin “intelektual” për të kuptuar se kush mund të quhet i tillë dhe kur mund të arrihet një nivel i këtillë. Por mos u trembni; s’është aq vështirë të arrihet kjo “gradë” njerëzore… 


Kujtojmë… 


Në sistemin tonë të sotëm të arsimit parauniversitar ekzistojnë dy raste kur nxënësi arrin një “pjekuri intelektuale” 

a. Kur nxënësi përfundon ciklin e 9-vjeçares duke marrë një“Dëftesë pjekurie”

b. Kur nxënësi përfundon ciklin e së mesmes duke marrë një“Diplomë” maturimi. 


Ndërkaq pas maturimit vjen faza universitare, ku tashmë nxënësi “Student” do të diplomohet në rangun e një profesionisti. 

Por… 

  1. Sa e zhvillojnë“intelektin” e tyre nxënësit që në hapat e parë të sistemit parauniversitar? 
  2. Vallë, lëndët e trajtuara në shkollë i mësojnë thjesht për një “Notë” apo për t’u thelluar në fenomenin dhe tematikat që trajtohen në to?
  3. Kur mësojnë lëndën e Gjuhës shqipe dhe Letërsinë,vallë i mësojnë thjesht për të kuptuar gramatikën që të marrin një notë të mirë ose edhe të mjaftueshme apo për t’u thelluar edhe më tej duke kuptuar mirëfilltazi mënyrën e përdorimit dhe të ndërtimit të strukturës së një fjalie të rregullt dhe të bukur në gjuhën shqipe? 
  4. Kur mësojnë lëndët e Matematikës e Fizikës, Kimisë e Biologjisë, Historisë e Gjeografisë … mundohen të kuptojnë thjesht disa formula për të kryer një “detyrim” shkollor, apo për t’u thelluar më tej duke përfituar nga pesha e këtyre lëndëve në hapësirat e nevojshme jetësore? 


Diçka duhet kuptuar qartë: 


  • Të lexosh dhe të mësosh një tekst në lëndën e letërsisë nuk do të thotë “thjesht” të mësosh “përmbajtjen” e tekstit në mënyrë mekanike, përkundrazi: 
  • Të mësosh interpretimin me theks dhe intonacion të duhur të fjalëve, frazave, shprehjeve të figurshme apo edhe fjalive në tërësinë e tyre. 
  • Të kuptosh peshën e çdo leksiku në kontekstet përkatëse 
  • Të thellohesh në zgjerimin e imagjinatës për të krijuar përfytyrimin e duhur rreth ambienteve, rrethanave, realiteteve dhe personazheve të trajtuara. 
  • Të krijosh një urë lidhëse mes dy kohëve: kohës kur është trajtuar subjekti në fjalë dhe kohës kur jetohet tani. 
  • Të përpiqesh të jesh pjesë integrale e atij realiteti që të paraqitet për të kuptuar mirëfilltazi se në ç’pozicion duhet të qëndrosh në realitetin ku jeton vetë… 


Të shumta janë veprat që na sjellin realitete të ndryshme që ruajnë mjaft mirë aktualitetin e kohëve të ndryshme të epokave historike. 

Një prej kryeveprave të letërsisë botërore, siç njihet nga të gjithë (kuptohet, për lexuesit e rregullt, por duke ua sugjeruar me ngulmim edhe të tjerëve) është edhe “I HUAJI” i Albert Kamy-së, me personazhin e tij të njohur Mersoin, ku në fokus të veprës është njeriu rebel, njeriu indiferent, njeriu i huaj për vetveten, për familjen dhe për atë që e rrethon… 

Për lexuesit që thellohen në tërësinë kontesktuale të veprës, natyrshëm ndjejnë një lloj “trishtimi” të brendshëm duke mos dashur në asnjë lloj mënyrë dhe rrethanë të ishin në pozicionin e tij. 

Prandaj, për të mos qenë i atillë kërkohet një “lexim” që nuk mjafton të jetë vetëm i rregullt, por njëkohësisht një “lexim i thelluar” me synimin e sigurt të zgjerimit të vizionit dhe horizontit duke arritur në nivelin e një “intelektuali”… 


Kështu: 

Çfarëdo lloj lënde të trajtohet në shkollë, është me rëndësi: 

  • Ta duam si lëndë,
  • Ta respektojmë dhe të përqendrohemi tek fjala shpjeguese e mësuesit, 
  • Ta lexojmë tekstin e dhënë apo formulat përkatëse,
  • Të ushtrohemi në kuptimin dhe shpjegimin e termave që paraqiten, 
  • Të zhvillojmë sa më shumë ushtrime që na zgjerojnë vizionin dhe aftësinë për t’u thelluar në tematikën përkatëse, 
  • Të kuptojmë përdorimet dhe praktikat e lëndës në hapësirat e jetës,
  • Të integrohemi në hulumtimin e tematikave të ndryshme për të zgjeruar “intelektin” për një perceptimin sa më të gjerë të fushave të jetës. 


Për këtë ka shumë rëndësi që: 


  • Çdo mësimdhënës të jetë një integrues tepër i fortë dhe një aspirues i ideve të larmishme. 
  • Të mos kufizohet vetëm në idenë se “e njeh” lëndën, pasi e zhvillon prej vitesh, por përkundrazi të impenjohet dita – ditës në zgjerimin e materialeve përkatëse duke ofruar diapazone të shumta për nxënësit e kategorive të ndryshme. 
  • Mos të mendohet përherë se vetëm “nota” është arma më e fortë që e bën mësuesin “të fuqishëm”, përkundrazi është “instrumenti” që ofron mësimdhënësi për të depërtuar në mendjen dhe ajo që është më kryesorja në “Logjikën” e shëndetshme tek nxënësi. 

Jo vetëm fizikisht… 

Mos të mendojmë se një nxënës tashmë “shtatlartë”, i çfarëdo  lloj klase të qoftë, ka arritur “pjekurinë” e duhur … JO!... 

Mos të na “gënjejë” paraqitja fizike “e hijshme apo jo” e një djali apo një vajze që të pajtohemi apo të bindemi se tashmë kanë “intelekt”, përkundrazi… 

Është domosdoshmëri të zhvillojmë “logjikën” dhe “arsyetimin” e shëndetshëm tek nxënësit duke u ofruar atyre “thelbin” dhe “thelbësoren” në mënyrë që të zhvillojnë aftësinë e tyre në shpjegimin dhe komentimin e tematikave dhe fenomeneve të ndryshme lëndore duke u përgatitur akoma më shumë “të kuptojnë”, “të gjykojnë”, “të ideojnë”, “të argumentojnë”, “të shprehen” qartë, kuptueshëm dhe bindshëm duke u bërë kështu një figurë e pranueshme dhe e kërkueshme në shoqëri. 


Nisur nga këto… 


S’ka rëndësi nëse nxënësi do bëhet një gjuhëtar apo letrar, një matematikan apo fizikant, një biolog apo kimist, një historian apo gjeograf, një artist apo muzikant …

S’ka rëndësi nëse nxënësi do bëhet një mjek apo inxhinier, një arkitekt apo piktor, një ekonomist apo një administrator… 

Çfarëdo të dëshirojë të bëhet në jetë pikësëpari të ushqejmë tek ai/ajo dëshirën “për të kuptuar” dhe të këmbëngulim të ngrejë nivelin intelektual mbi bazën e një “arsyetimi” dhe “logjike” të shëndetshme. 

Si arrihet kjo?....Një hapësirë e volitshme për shkëmbim eksperience… 




Nga Evans Drishti 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

613 Lexime
3 muaj më parë