Libër i ri

Teori e shkurtër për udhëtimin dhe për shkretëtirën

Vëllimi “Teori e shkurtër për udhëtimin dhe për shkretëtirën” ka fituar çmimin ndërkombëtar “Manuel Llano” (2010) dhe çmimin e bashkimit europian për letërsinë (2013).

Teori e shkurtër për udhëtimin dhe për shkretëtirën është një sfidë e vërtetë ndaj shumicës së rregullave të pranuara në letërsinë tonë për formën e një tregimi. Të gjitha tregimet e këtij vëllimi rrokin tërë përvojën e gjerë njerëzore, duke na vendosur në çdo cep të botës, që nga viset e thata të brigjeve mesdhetare, deri te faqet e shkrimtarit gjenial serb Milorad Pavić: ky është i gjithë udhëtimi. Falë një proze jashtëzakonisht elastike, një stili shkrimi endacak, që përshtatet me vendet e ndryshme shpirtërore, fizike apo imagjinare të çdo tregimi, dhe individualitetit të brishtë të personazheve të tij, Crusat-i i çon këto personazhe të rropatura drejt humnerës së frikës, dyshimit dhe dëshirës, që përbëjnë botën bashkëkohore. Ato presin, kërkojnë apo eksplorojnë mundësinë e një zbulimi që nuk mbërrin në të tashmen e tyre të mpirë, edhe pse, çuditërisht, ato duken të paafta që të ndërmarrin ndonjë veprim të dobishëm, me përjashtim, ndoshta, të Lenës joshëse,e cila na shkruan që nga bota pluskuese e ëndrrave. Siç na thotë mistika esufive, shpirti kërkon ndryshimin dhe, për pasojë, palëvizshmëria është njësoj me vdekjen e ngadaltë që na përgjon gjithandej, duke na përndjekur nëpër rrugë dytësore, vendparkime të zbrazëta apo hotele plot me turistë. Kjo është shkretëtira e realitetit, ku, fatlumë ose jo, jemi robër, në atë mënyrë që fati apo rastësia (një ngjarje e parëndësishme, një humbje ndjenjash në një plazh nudist, një aksident ajror që nuk ndodhi kurrë) është ai që, si ndonjë shpërthim, na zbulon fytyrën e vërtetë të vetmisë sonë.


Cristian Crusat (1963) është autor i vëllimeve me tregime "Statujat" (Pre-Textos, 2006) dhe "Të qetë në kohë lufte" (Pre-Textos, 2010). Ka botuar ese, përkthime dhe artikuj letrarë në revista të ndryshme spanjolle dhe hispano-amerikane, si Revista de Occidente, Letra Internacional, Punto departida.


Aktualisht punon si lektor i spanjishtes për të huajt.

Vëllimi “Teori e shkurtër për udhëtimin dhe për shkretëtirën” ka fituar çmimin ndërkombëtar “Manuel Llano” (2010) dhe çmimin e bashkimit europian për letërsinë (2013).

1,961 Lexime
6 vjet më parë