Roman

“Terma humanitarë si fjala bombardim”

“Ato mund të mos kishin një gjymtyrë, ndoshta disa, madje mund të mos kishin fare as kokë, por pikëllima do të ishte gjithmonë aty, duke fërgëlluar trazim.”

Shkrimtarja Arlinda Guma vjen ketë vit me romanin “Terma humanitarë si fjala bombardim”. Ky roman, na mban frymën pezull deri në momentin e fundit, përgjatë leximit. Është një prozë moderne, struktura e së cilës është ndërtuar mbi një mjedis real, ngjarjesh të prekshme të ndërthurura me mjeshtëri dhe origjinalitet. Gjeopolitika globale, organizatat ndërkombëtare dhe bota e tretë ndriçohen përmes ironisë dhe humorit të zi.


Një nëpunës i një misioni humanitar, në kontinentin Afrikan, bëhet rastësisht dëshmitar i një bombardimi, sa tragjik aq edhe grotesk.


Ai kërkon të shkruajë një artikull për gazetën “The New York Times”, menjëherë pas përfundimit të misionit dhe kthimit në qytetin e tij të lindjes; “një qytet mesdhetar që duket sikur jeton i gjithi në një tablo të Monet-së.” Por, ku ta dijë se edhe atje, në qytetin e tij të lindjes, e pret “një tablo e bombarduar”...


Pas romanit “Bulevardi i Yjeve”, “Terma humanitarë si fjala bombardim” është një tjetër titull sarkastik i autores Arlinda Guma, i cili fshikullon dritëshkurtësitë burokratike të organizatave ndërkombëtare në vendet e botës së tretë.


Një fiction i ndërtuar mbi një ngjarje të vërtetë, e cila çuditërisht ka kaluar jashtë vëmendjes së opinionit ndërkombëtar.


Një fiction që nuk e kursen aspak ironinë dhe humorin e zi, ndaj subjektivizmit të gjeopolitikës globale.


Romani përshkohet edhe nga një linjë e dytë, jo më pak e rëndësishme, e cila të mbështjell me një atmosferë delikate, vegullish, mirazhesh të panjohura, “si të dala prej përplasjes së disa epokave me njëra-tjetrën”, që personazhi rreket i pështjelluar t’i deshifrojë... Ndërkohë që një tjetër vegulli, një dashuri që duket sikur ka marrë një tren që ngurron të niset, e shoqëron atë “me një pikëllim të largët”, që migron edhe në sytë e statujave të qytetit të tij “impresionist”. “Ato mund të mos kishin një gjymtyrë, ndoshta disa, madje mund të mos kishin fare as kokë, por pikëllima do të ishte gjithmonë aty, duke fërgëlluar trazim.”


Dy subjekte romanesh në një... dhe një fill i ngrënë prej kohërave, që i mban të lidhur së bashku...“me një shkëlqim humnerash”...


Blini online librin duke klikuar në www.librarialbas.al


(Portali Shkollor)

1,894 Lexime
6 vjet më parë