Aktiviteti

Tetori i librit, Albas dhuron libra për lexuesit e vegjël të bibliotekës “Gjergj Fishta”

Në kuadër të Tetorit të Librit, në bibliotekën "Gjergj Fishta" u zhvillua aktiviteti "Libra të rinj, miq të rinj" me nxënës të moshave të ndryshme, frekuentues të bibliotekës. Fëmijët u prezantuan me librat e rinj që shtëpia botuese "Albas" dhuroi veçanërisht për lexuesit e vegjël të qytetit të Lezhës.

Duket se muaji tetor është kthyer tashmë në muajin që i dedikohet tërësisht leximit dhe librave. Gjatë këtij muaji organizohen aktivitete të ndryshme për këtë qëllim. Një i tillë është zhvilluar së fundmi edhe në bibliotekën “Gjergj Fishta” në Lezhë. 


"Libra të rinj, miq të rinj"  ka qenë motivi që bëri bashkë nxënës të moshave të ndryshme, për t’u njohur më nga afër me rreth 70 tituj librash që shtëpia botuese ALBAS dhuroi për bibliotekën "Gjergj Fishta"


Ky gjest duket se i ka bërë përshtypje lexuesve dhe stafit të bibliotekës, pasi në një prononcim për Portalin Shkollor Albas, drejtori i kësaj biblioteke, Albert Çuko është shprehur se ky donacion do të mbesë gjatë në kujtesën e tyre. 


“Kam një falënderim të madh për shtëpinë botuese Albas për donacionin e bërë, veçanërisht për fëmijët të cilët do të frekuentojnë bibliotekën publike ‘Gjergj Fishta’, duke u mundësuar atyre libra të rinj të cilët janë sa edukativ aq edhe argëtues. Gjatë këtij muaji, në bibliotekën tonë janë zhvilluar shumë aktivitete por dhurata e Albas do të ngelet gjatë në kujtesën e lexuesve dhe stafit të bibliotekës”, ka thënë drejtori Albert Çuko, teksa ka veçuar kolanën e njohur të librave për fëmijë “Më quajnë...”.  

Këta libra duket se i kanë dhënë një shtysë tjetër fëmijëve të qytetit të Lezhës që të frekuentojnë më tepër bibliotekën dhe të lexojnë libra për moshën e tyre, pasi Z.Çuko ka pohuar gjithashtu se "ka pasur një interesim më të madh të fëmijëve për të pasur ndër duar këta libra dhe për t’u anëtarësuar në bibliotekë".

Përgatiti për publikim N.Allkja.Biçaku 

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,226 Lexime
3 vjet më parë