Vlerësimi i rezultateve të punës

Vlerësimi i mësuesve dhe formati që duhet të plotësoni

Eksperti i arsimit Fiqiri Çifliku sjell për Portalin Shkollor Albas një material teorik ilustrues për vlerësimin e mësuesve në sistemin arsimor dhe një format për t’u ardhur në ndihmë drejtuesve dhe mësuesve për një vlerësim cilësor. E gjeni në vijim.

“Në një shoqëri krejtësisht racionale, më të mirët do të ishin mësues dhe pjesa tjetër prej nesh do të duhej të vendoste për diçka tjetër”. (Lee Iacocca)


Mësuesit dhe drejtuesit e shkollave janë në marrëdhënie të ndërlikuar pune dhe roli i secilës palë është i pazëvendësueshëm. Vlerësimi i mësuesve është një proces i rëndësishëm në sistemin e arsimit dhe nuk duhet të mbetet vetëm tek vlerësimi i performancës së mësuesve, por duhet të identifikojë edhe nevojat individuale për zhvillim profesional.


Një formular për vlerësimin e performancës së mësuesit mund dhe duhet të përfshijë elementë të ndryshëm në përputhje me dokumentet ligjorë në fushën e arsimit parauniversitar. Aktualisht vlerësimi mbështetet në standardet profesionale të formimit të përgjithshëm dhe të formimit lëndor të mësuesit në sistemin arsimor parauniversitar, të miratuar me urdhrin e ministrit përgjegjës për arsimin, Nr.246, datë 24.7.2020. Drejtuesit kanë përgjegjësinë kryesore në procesin e vlerësimit të performancës së mësuesit dhe duhet t’u japin përgjigjen e duhur disa pyetjeve, para se të plotësojnë instrumentin për vlerësimin e punës së mësuesit:


a. A zotërojnë mësuesit njohuritë e nevojshme në fushën e mësimdhënies?

b. Nëse po, a i përdorin dijet dhe aftësitë e tyre në mënyrë efektive në klasë?

c. Përditësojnë mësuesit njohuritë nëpërmjet hulumtimeve të vazhdueshme? 

d. Sa të angazhuar janë në zhvillimin profesional të vazhdueshëm dhe në përditësimin e njohuritë e tyre?

e. Krijojnë mësuesit marrëdhënie pozitive profesionale? 

f. Mësuesit janë në gjendje të ndërtojnë marrëdhënie të mira me kolegët, prindërit dhe nxënësit?

g. Është bashkëpunimi me prindërit në interesin më të mirë të nxënësve duke siguruar se nevojat e tyre po përmbushen?


Aktualisht vlerësimi i rezultateve të punës së mësuesit kryhet duke përdorur katër nivele të shkallëzuara, në varësi të realizimit të objektivave vjetor, sjelljes dhe qëndrimit profesional në një periudhë një vjeçare dhe plotësimit të standardeve të përgjithshme e lëndore:


Niveli 4, “shumë mirë” (3.4-4 pikë), tregon se mësuesi ka realizuar shumë mirë të gjithë objektivat dhe ka treguar një sjellje e qëndrim profesional të dalluar nga të tjerët. 

Niveli “mirë” (2.6-3.3 pikë), tregon se mësuesi ka realizuar mirë objektivat dhe ka treguar një sjellje dhe qëndrim të mirë profesional. 

Niveli “mjaftueshëm” (1.9-2.5 pikë), tregon se mësuesi ka realizuar kënaqshëm objektivat dhe ka treguar një sjellje dhe qëndrim profesional të kënaqshëm. 

Niveli “dobët” (1-1.8 pikë), tregon se mësuesi nuk ka realizuar objektivat dhe nuk ka përmbushur pritshmëritë lidhur me qëndrimin dhe sjelljen profesionale. 


Vlerësimi i punës është përmbledhje e vëzhgimeve që drejtuesit e shkollës kanë kryer gjatë vitit duke u mbështetur në standardet e miratuara të mësuesit, mësuesit lëndor, sjelljes etike, bashkëpunimit, njohjes dhe zbatimit të akteve ligjore, nënligjore, strategjive dhe rregulloreve në fushën e arsimit parauniversitar. Në varësi të vlerësimit të secilit tregues, në standardin përkatës përllogariten edhe pikët e përgjithshme të vlerësuara për mësuesin. Më poshtë për ilustrim sjellim vlerësimin e standardit 1, me pesë tregues që marrin përkatësisht nga 1 në 4 pikë. Në këtë rast e mësuesi vlerësohet “Niveli 3” “Mirë” pasi ka grumbulluar 2.8 pikë si mesatare e vlerësimeve të gjithë treguesve. (14 pikë:5tregues=2.8 pikë)


Nr. Treguesit Vlerësimi
1.1 Njeh legjislacionin arsimor në fuqi; 3
1.2 Njeh strategjitë arsimore; 2
1.3 Njeh procedurat e organizimit të institucionit arsimor; 2
1.3 Njeh standardet e përgjithshme të mësuesit dhe të mësuesit lëndor; 4
1.4 Ka një kuptueshmëri të plotë të strukturave që funksionojnë në shkollë; 3
  Vlerësimi i përgjithshëm i standardit 2.8


Vlerësimi i drejtë, i mbështetur në vrojtime konkrete, i matshëm, i arsyetuar, që i komunikohet mësuesit, do të evitonte shumë problematika. Nuk do të kishim vlerësime formale, pa asnjë kontribut në ngritje dhe përmirësim, si dhe do të zvogëlonin konfliktet e ashpra që krijojnë një mjedis acid në institucionin arsimor, duke ndikuar mirëqenien në vendin e punës. Theksojmë edhe njëherë se vlerësimi i komunikohet mësuesit, nënshkruhet nga ai dhe drejtori, duke mbajtur shënim komentet që mund të ketë në një rubrikë të veçantë. Vlerësimi i rezultateve në punë të mësuesit, vendoset në dosjen personale të mësuesit, është pjesë e vlerësimit të performancës së shkollës dhe mund të nënshtrohet inspektimeve.


“Shkolla vlen aq sa vlen arsimtari i saj” - (Fridrih Adolf Vilhelm Disterveg)

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

8,206 Lexime
3 muaj më parë