
"Vlerësimi që harron njeriun"
Vlerësimi në arsim mat vetëm njohuritë standarde, duke injoruar talentet e ndryshme dhe stilin unik të nxënësve. Kjo u mohon atyre vetëbesimin dhe gëzimin e mësimit. Duhet të përdoren portofolë, projekte dhe vlerësim i vazhdueshëm për një qasje më humane dhe gjithëpërfshirëse.
Nga Fiqiri Çifliku, ekspert arsimi
Në çdo strategji arsimore flitet për shumëllojshmëri, gjithëpërfshirje dhe zhvillim kompetencash. Por, kur vjen momenti për të vlerësuar nxënësin, gjithçka kthehet në një provim të vetëm, me pyetje që matin pak dhe përfaqësojnë edhe më pak. Kjo s’është thjesht kontradiktë pedagogjike, por një padrejtësi e heshtur që zhvesh mësimin nga gëzimi dhe nxënësin nga vetëbesimi.
Nxënësit nuk janë kuti që duhen mbushur me fakte. Ata janë botë më vete, me muzikën e tyre të brendshme, me kuriozitetin që nuk vlerësohet dot me oraret e testeve, me mendime që shpesh nuk mund të shprehen me kutizën e një flete kontrolli të testit VANAF, PKAB apo MSH. E megjithatë, ne vijojmë stoik, i matim njësoj, me mjete të dala mode, si të ishin copë letre që duhen prerë sipas të njëjtit shabllon.
Kemi folur për inteligjenca të shumëfishta (muzikore, hapësinore, ndërpersonale, etj.), por testet e standardizuara matin kryesisht njohuritë logjiko-matematikore dhe gjuhësore. Nxënësit që shkëlqejnë në fusha jo konvencionale shpesh etiketohen si “të dobët”, kur në fakt janë jashtë kutisë së provimeve.
Flasim për kurrikula me kompetenca, por bëjmë matje lineare të njohurive. Kompetencat kërkojnë vëzhgim të procesit, kontekst, krijimtari, ndërkohë testimi fokusohen në “njohje” dhe “riprodhim informacioni”.
Format e vlerësimit që përdorim nuk kalojnë pa lënë gjurmë, ato kanë efekte tek nxënësit. Kështu ata ndihen të padukshëm, të nënvlerësuar, madje edhe të mbyllur në veten e tyre, sepse nuk u jepet mundësi të shfaqin potencialin në mënyrën e tyre. Kështu do të vijojmë në të njëjtën klimë ku nota bëhet sinonim i vlerës njerëzore, çka dëmton vetëbesimin dhe motivimin. Ca më keq, kur nota kthehet në formalitet për t’u paraqitur në grafik modern plot ngjyra për tu publikuar me mburrje, si arritje imagjinare... 98,5% kalueshmëri.
Çfarë mund të bëhet ndryshe? A ka zgjidhje? Sigurisht që po...
Përdorimi i portofolëve, projekteve, dhe vlerësimit të vazhdueshëm, përveç testimit tradicional do të bënte të mundur përshtatjen e vlerësimit sipas stileve të të nxënit, duke i dhënë secilit nxënës hapësirë të ndriçojë në mënyrën e vet.
A nuk është koha të ndryshojmë drejtimin e këtij treni të vjetër? A nuk është momenti të pyesim: “Çfarë dimë për nxënësin?” në vend të “Sa pikë mori?”
Arsimi ka nevojë për një kthesë humane. Jo një reformë tjetër në letër, por një rikthim tek ajo që është thelbësore për të njohur dhe mbështetur njeriun në çdo nxënës. Sepse kur i mat të gjithë me të njëjtën "kut", e mohon pasurinë e mënyrave të mësuarit dhe të menduarit që secili nxënës sjell me vete.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Kualifikimi i mësuesve 2025, procedurat dhe kriteret e vlerësimit
Kualifikimi i mësuesve 2025, procedurat dhe kriteret e vlerësimit
Bukurie A Hajdarmataj: Letërsia dhe ndikimi i saj në formimin e karakterit të nxënësit