Zgjidhja për ditët në shtëpi: librat me aktivitete argëtuese për fëmijët e moshës 3-6 vjeç

Si t’i mbani fëmijët 3-6 vjeç të angazhuar pa ekrane gjatë ditëve në shtëpi? Librat me aktivitete sjellin lojë, kreativitet dhe mësim, duke zhvilluar përqendrimin, logjikën, aftësitë motorike dhe përgatitjen për shkollë.

Si t’i mbani fëmijët të angazhuar pa ekrane në këto ditë të nxehta? 


Zgjidhja mund të jetë shumë më e thjeshtë nga sa mendoni: librat me aktivitete. Mes lojërave, enigmave, vizatimeve, ngjyrosjeve dhe ushtrimeve krijuese, ata jo vetëm argëtohen për orë të tëra, por zhvillojnë edhe imagjinatën, përqendrimin dhe aftësi të reja. Një mënyrë e bukur për ta kthyer kohën e lirë në një përvojë plot mësime dhe zbavitje.


Për fëmijët e moshës 3–6 vjeç, aktivitetet e përshtatura për zhvillimin e tyre luajnë një rol të rëndësishëm në të mësuar. Librat me aktivitete i ndihmojnë të ushtrojnë aftësitë motorike, të hedhin hapat e parë në matematikë dhe gjuhë, si edhe të zhvillojnë logjikën, vëmendjen dhe krijimtarinë, gjithmonë nëpërmjet lojës dhe zbulimit.


Më poshtë do të gjeni një përzgjedhje të librave më të mirë me aktivitete, të ndarë sipas grupmoshave:



1. Dosja “Hop-Hop” për moshat 3–4 vjeç


Dosja “Hop-Hop” është krijuar për të mësuar duke argëtuar dhe rekomandohet të përdoret për fëmijët e moshës 3-4 vjeç. Ilustrimet e fletëve janë frymëzuar nga bota e fëmijëve: nga mjedisi në të cilin jetojnë, nga natyra, nga kafshët, si dhe nga përrallat e dashura e personazhet e filmave vizatimorë. Aktivitetet e shumta për çdo temë mbulojnë të gjithë ditën e kopshtit, por mund të zgjidhen edhe vetëm ato që u përshtaten më mirë fëmijëve dhe mundësive për realizim.


2. “Blloku im argëtues i kopshtit” për moshat 3–5 vjeç


  • Blloku im argëtues i kopshtit: mëso dhe argëtohu
  • Blloku im argëtues i kopshtit: shkronjat dhe numrat
  • Blloku im argëtues i kopshtit: numëro dhe shkruaj

Seria “Mëso dhe luaj” ofron 3 blloqe argëtuese për fëmijët e moshës 3–5 vjeç, me ushtrime didaktike që ndihmojnë në zhvillimin e tyre fillestar. Përmes këtyre blloqeve, fëmijët aftësohen të gjejnë dallimet mes figurave, të kopjojnë gjurmët e kafshëve, të dalin nga labirintet, të identifikojnë sendet e gabuara dhe të ngjyrosin. Formati i tyre në formë blloqesh është mjaft praktik për këtë grupmoshë, pasi fëmijët që ende nuk punojnë dot me një libër mund të plotësojnë lehtësisht një faqe dhe ta grisin atë.



3. “Blloku im: Numrat” dhe “Blloku im: Shkronjat” për moshat 3–5 vjeç


  • Mëso numrat dhe format. Blloku im: Numrat
  • Mëso shkronjat. Blloku im: Shkronjat

Këto dy blloqe argëtuese rekomandohen për fëmijët e moshës 3-5 vjeç. Përmes figurave, ushtrimeve vizuale dhe aktiviteteve argëtuese, ato nxisin kureshtjen e fëmijëve dhe i ndihmojnë ata të bëjnë hapat e tyre të parë drejt numrave, formave dhe shkronjave.



4. “9 miqtë e mi” për moshat 4–5 vjeç


Libri “9 miqtë e mi” është hartuar sipas fushave kurrikulare për edukimin parashkollor dhe rekomandohet të përdoret për fëmijët e moshës 4-5 vjeç. Aty trajtohen zhvillimi gjuhësor, matematikor, shkencor, artistik, social dhe shëndetësor. Libri është strukturuar më 9 kapituj, që iu përgjigjen 9 muajve mësimorë, nga tetori deri në qershor. Libri shoqërohet me një udhëzues për edukatorët dhe prindërit, të cilët do ta ndjekin ecurinë e fëmijëve gjatë një viti shkollor.



5. Seria “Mëso dhe luaj” për moshat 5–6 vjeç


  • Mëso dhe luaj: libri im i madh i parashkollorit
  • Mëso dhe luaj: fletorja ime e kopshtit
  • Mëso dhe luaj: mëso, argëtohu dhe përgatitu për klasën e parë
  • Fletat mësimore me spirale

Pjesë e serisë “Mëso dhe luaj” janë edhe këta libra për fëmijët e moshës 5-6 vjeç, ku shkalla e vështirësisë së ushtrimeve rritet gradualisht, gjithmonë në përputhje me zhvillimin e fëmijës. Nëpërmjet aktiviteteve mjaft argëtuese, fëmijët do të mësojnë format, të kundërtat, numrat dhe shkronjat. Këta libra shërbejnë si një urë kaluese dhe përgatitje ideale për ta marrë bazën e nevojshme përpara se të shkojnë në klasën e parë.



6. Kutia “Luaj me shkronjat” për moshat 5–6 vjeç


Kutia “Luaj me shkronjat” është një zgjidhje mjaft praktike për njohjen e alfabetit të gjuhës shqipe, për fëmijët e moshës 5-6 vjeç. Ajo përmban fisha kartoni për të gjitha shkronjat, ku secila prej tyre shoqërohet me një figurë ilustruese (si A = ANA ose B = BALONA).Pasi fëmijëtnjihen me shkronjat dhe figurat përkatëse, ata kalojnë natyrshëm në etapën tjetër: fjalëformimin. Për ta bërë përvojën edhe më dinamike, kjo lojë mund të luhet edhe në kompjuter nëpërmjet CD-së integruese që shoqëron kutinë.



7. Paketa “Një hap drejt shkollës” për moshat 5–6 vjeç


Paketa “Një hap drejt shkollës” është hartuar në përputhje me kurrikulën e re për edukimin parashkollor dhe rekomandohet të përdoret për fëmijët e moshës 5-6 vjeç. Në paketë përfshihen librat: “Unë dhe shkronjat”, “Unë dhe numrat”, “Unë dhe mjedisi”, “Unë dhe arti”, Mozaiku i shkronjave. Libri shoqërohet me një udhëzues për mësueset dhe prindërit, të cilët do të ndjekin ecurinë e fëmijëve gjatë vitit shkollor.


Nëse dëshironi t’i mbani fëmijët të angazhuar gjatë pushimeve, të zhvillojnë aftësitë përmes lojërave apo t’i përgatisni për hapat e parë drejt shkollës, librat me aktivitete janë zgjidhja e duhurpër çdo familje. Mjafton të zgjidhni librin që i përshtatet moshës së fëmijës suaj dhe ta shndërroni kohën në shtëpi në një përvojë të dobishme e plot argëtim.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

60 Lexime
1 orë më parë