Për mësimdhënësit

Denata Toçe: Të kujdesemi për mësuesit tanë

Kishte ardhur koha të ndaja këto reflektime mbi rolin e mësuesit. Uroj të kem hedhur një gur themeli për të ndërtuar një sistem më të mirë në mbështetje të rolit dhe figurës së mësuesit në sistemin e arsimit. Duket se nevojat dhe kërkesat e tyre janë modeste, edhe se problemet që ekzistojnë".

Në këtë dekadën e fundit, kam mësuar disa aspekte të reja të rolit të mësuesit në shkollat shqiptare, punën që ata bëjnë çdo ditë dhe marrëdhëniet që kanë me nxënësit, prindërit dhe kolegët apo drejtuesit. Më parë nuk isha kujdesuar t’i vëreja nga afër, edhe pse përballesha hera-herës me raste specifike, që në punën e tyre kishte kaq shumë sfida dhe dilema duke e vështirësuar kështu rolin e tyre si mësues. Vitet e fundit më është dhënë mundësia të bashkëpunoj me mësuesit, dhe të shkëmbejë përvoja profesionale me ta. Unë merrem me fëmijë në vështirësi zhvillimi, dhe mbështetja e këtyre mësuesve ka qenë mbresëlënëse, edhe pse përvoja dhe njohuritë nuk janë të shumta, për të mos thënë se për mësues të ndryshëm, përvoja ka qenë në mungesë të plotë. Kanë qenë këta të fundit të cilët më janë drejtuar për të mësuar sesi të sillen me fëmijët që kanë probleme me sjellje nga më të ndryshmet, që nga ato me bazë vëmendjen dhe deri te sjelljet shmangëse, refuzuese apo kundërshtuese. Të interesuar sesi të reagojnë me prindërit që kanë pritshmëri jorealiste, apo me prindër të cilët mendojnë se mësuesi do të duhet t’i mësojë gjithçka fëmijës së tyre, dhe me gjithçka, kanë parasysh edhe kujdesin ndaj higjienës, mënyrën e sjelljes ndaj autoritetit në klasë, sjelljet agresive me të tjerët, bashkëmoshatarët dhe me mësuesit, të bëhet i pavarur në realizimin e mësimeve, mundësisht edhe ato që i duhet t’i krijojë apo t’i bëjë i vetëm etj. 


Me mësuesit kam ndarë edhe sfida të tjera profesionale, administrative dhe sociale brenda shkollës, të cilat e vështirësojnë edhe më shumë rolin e tyre. 

Ata pyesin se çfarë duhet të bëjë një mësues kur i kërkohet të ndërrojë rolet ose të ndërmarrë role të reja brenda institucionit ku punon, edhe pse nuk ndihet kompetent, ose nuk është në ambiciet e tij profesionale? 

Si të do të duhet të punojë një mësues me fëmijët që kanë vështirësi zhvillimi në procesin e arsimit gjithëpërfshirës? 

A mund ta bëjnë ata që janë mësues kimie apo letërsie mësuesin ndihmues për këta fëmijë? 

A mundet ata të ndërtojnë planet e punës individuale? 

Si do të duhet të përballet një mësues, kur kupton se një fëmijë i caktuar ka një vështirësi psiko-emocionale dhe psikologët e shkollës nuk e përmbushin dot nevojën për t’i ardhur në ndihmë, pasi ende psikologët shkollorë kanë në dispozicion dy ose më shumë shkolla? 


Figura e mësuesit është shumë e rëndësishme në miredukimin e fëmijës. Por mos harrojmë se mësuesit, për të bërë punën që bëjnë, do të duhet të jenë në një terren të mbrojtur nga stresorët, në një terren të pasur me motivim, mbështetje, mirënjohje, nxitje profesionale, ambicie dinjitoze për t’i zhvilluar profesionalisht dhe, mbi të gjitha, në një terren respekti dhe etike. Marrëdhënia më e rëndësishme që e siguron pjesën më të madhe të këtij “ushqimi” shpirtëror është ajo me nxënësit. Po të lexojmë me kujdes studimet e paraqitura si më poshtë, do të kuptoni se për çfarë ka nevojë një mësues që të ndihet i motivuar, i vlerësuar dhe i arritur në profesionin e tij. 


Marrëdhëniet mësues-nxënës përmenden shpesh si një nga arsyet thelbësore për të qëndruar në profesion (Hargreaves, 1998; O'Connor, 2008). Besohet gjerësisht se marrëdhëniet personale me fëmijët u japin mësuesve shpërblime të brendshme dhe i japin kuptim punës së tyre. Pra, mësuesit mendohet të kenë një profesion shumë të vështirë, të ngarkuar me të gjitha sfidat që përmendëm më sipër, me diversitet nxënësish të cilët vijnë me tipare dhe dinamika familjare nga më të ndryshmet. Por arritjet që mësuesit bëjnë me këta nxënës, duke krijuar gjurmë në personalitetin e tyre dhe duke i parë ato të kthehen në zhvillim te fëmija, japin një shpërblim të pashoq për motivim dhe, si rrjedhojë, vazhdim të profesionit. Nuk janë të paktë mësuesit që heqin dorë nga profesioni i tyre edhe pse punojnë si mësues. Ose, më saktë, që dorëzohen dhe heqin dorë nga pasioni i tyre për shkak të mungesës të gjithë këtyre faktorëve që përmendëm më sipër. 


Studiues të tjerë gjithashtu kanë tërhequr vëmendjen për lidhjen e fortë midis mirëqenies personale dhe profesionale të mësuesve, dhe kanë arsyetuar se nuk mund të ketë zhvillim të vërtetë profesional pa zhvillim personal (Day dhe Leitch, 2001; O'Connor, 2008).


Por, a mjafton vetëm marrëdhënia e mësuesit me nxënësit si motivim profesional dhe personal për këta të fundit? 


Sigurisht që jo. Edhe pse marrëdhënia mësues-nxënës është renditur si më të rëndësishmet nga shumë faktorë që përbëjnë jetën e mësimdhënies së mësuesit (Shann, 1998), sërish bashkëjetojnë në harmoni edhe shumë faktorë të tjerë, që duhet të jenë aktiv për të lehtësuar jetën profesionale dhe personale të mësuesit. 


Kurrikula e shkollës është një variabël. Mësuesi do të duhet të ndihet që është pjesë e një kurrikule të pasur dhe dinjitoze, e cila e përfshin dhe e përfaqëson. Ndërkohë, autonomia e mësuesit është një tjetër faktor shumë i rëndësishëm: të mund të jesh në gjendje të marrësh vendime për krijimin e një mësimdhënieje kreative, me vlera në risi, me buxhet të alokuar për aktivitete të ndërlidhura me mësimin që ndodhin jashtë katër mureve të shkollës. Siguria në punë e mësueseve është një tjetër faktor i rëndësishëm, sikurse është edhe siguria e nxënësve. Mësuesit do të duhet të sigurohen se kanë mbështetjen e drejtuesve, e autoriteteve përkatëse dhe e sindikatave që do të duhet t’i përfaqësojnë për çështje të cilat lindin gjatë jetës profesionale. Unë mendoj se mësuesit ndihen dhe JANË të pambështetur. Sa raste kemi hasur që mësuesit janë ndier madje të turpëruar nga dhuna verbale? Duke filluar që nga nxënësit, por edhe nga drejtuesit që shpeshherë janë aty me ndërlidhje partiake, e çfarëdolloj ngjyre qoftë ajo. Apo vendime të padrejta në raport me rolin e mësuesve, përvojës së tyre dhe detyrave të lëna. Me lëndime psikologjike dhe fizike të cilat janë lënë të injoruara dhe të patrajtuara. Njohjen e arritjeve të mësuesve do të duhet ta kemi në prioritetin tonë më të madh, sepse vetëm kështu do të rrisim nivelin profesional të tyre. Ne, si profesionistë, prindër dhe qytetarë, e kemi të thjeshtë që të nxjerrim një konkluzion apriori, duke thënë se niveli i mësuesve sot ka rënë. Por, a mos duhet të reflektojmë sesi sistemi i mbrojtjes së figurës së këtij mësuesi ka rënë, ose, më mirë të themi, që me raste edhe ka dështuar dhe nuk ka reflektuar mbi dështimin e tij? 


Në përfundim, sot janë mësuesit ata të cilët të vetëm përballen me sfidat dhe dilemat gjatë mësimdhënies. Ata ndihen në të shumtën e rasteve të pambështetur për t’u përballur me prindër, shpesh të dëshpëruar që t’u ofrojnë ndihmë fëmijëve të tyre, ose me prindër të papërgjegjshëm që presin VETËM nga shkolla, pa kuptuar dhe pa u ndërgjegjësuar se shkolla dhe psikologjia më e mirë janë thelbësisht ata. Shkolla është një orientim i rëndësishëm, por për vazhdimin dhe themelimin e qenies apo të karakterit të fëmijës janë vetë ata; roli i tyre si model për fëmijën. Nëse ata gënjejnë, edhe fëmijët do të gënjejnë mësuesit dhe bashkëmoshatarët. Nëse ata ushtrojnë dhunë, edhe fëmijët do të jenë të dhunshëm me bashkëmoshatarët dhe shpesh edhe me mësuesit. Nëse në familje bullohet fëmija, i bëhen krahasime, i tregohet se ai nuk vlen, se nuk ia del, se është i pamjaftueshëm me pritshmëritë aspak reale të prindërve, atëherë edhe fëmija do të bullojë, me shumë gjasa një fëmijë tjetër të suksesshëm, për t’i prishur atë rehatinë psikologjike dhe emocionale që ai/ajo nuk e kanë. Dhe ne do të duhet të presim që këtë ndryshim ta sjellin mësuesit? Jo ore jo, mësuesit do të punojnë që ta minimizojnë në maksimum këtë fenomen duke ngritur strategji në dinamikën e klasës, apo edhe personale me nxënësin, me ndihmën e psikologut, nëse ky i fundit është i miredukuar dhe trajnuar, por kurrsesi mësuesi nuk është aty për të bërë prindin. Mësuesi ka një tjetër rol, dhe për këtë do të duhet të respektohet si i këtillë. Prindit do të duhet të kujdesen që të ndërgjegjësohen se fëmija i tyre edhe dështon, ka të tjera dhunti, nuk është i njëjtë në arritje me të tjerët. Le të mos presim që fajin e ka mësuesi për këtë, pa bërë një herë reflektim sesa jemi marrë ne me fëmijët dhe se në çfarë niveli arritjeje, aftësie apo mundësie është fëmija. Ne u kërkojmë mësuesve se pse fëmija i tyre nuk mori rezultat të lartë? Si mendoni ju, pse nuk mori rezultatin që ju prisni? 


Mësojeni fëmijën tuaj ta kërkojë te vetja, te puna e tij, përpara se ta kërkojë së jashtmi, tek tjetri, te mësuesi. Kështu do ta pajisni fëmijën me një vlerë të madhe të vetëreflektimit dhe të arritjes për sukses. 


Kishte ardhur koha të ndaja këto reflektime mbi rolin e mësuesit. Edhe pse ende ka shumë për të thënë, uroj të kem hedhur një gur themeli për të ndërtuar një sistem më të mirë në mbështetje të rolit dhe figurës së mësuesit në sistemin e arsimit. Duket se nevojat dhe kërkesat e tyre janë më modeste dhe se problemet ekzistojnë. Le të fillojmë të mendojmë për një të nesërme më të mirë për ata, dhe le ta fillojmë duke i rikthyer respektin dhe dinjitetin që meritojnë. 



Nga Drnt. Denata Toçe

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

13,521 Lexime
2 vjet më parë